Dedikim

"Gra kokeforta” nga Natasha Poroçani

Bota ka ndryshuar pak dhe shpesh janë thjeshtë emrat ato që ndryshojnë. Ndaj dhe unë, si një vijim i monologut të famshëm të një prej humoristeve më në zë, ndjeva nevojën t’u drejtohem sot, më 8 mars 2024, disave syresh. Jo më ashtu në përgjithësi, por me emër, sepse ato kanë emër.

Kisha besuar se bota perëndimore kishte ecur aq përpara sa gjendja e gruas në të, falë edhe ideologjive të ndryshme, kishte bërë hapa gjigandë drejt ndërgjegjësimit më të madh individual dhe shoqëror për të drejtat, dhe mbi të gjitha, për vlerën e tyre. Kjo derisa ndesha në monologun e famshëm të një prej humoristeve më në zë italiane. Zëri i saj i fortë më tregoi se në fakt bota ka ndryshuar pak dhe shpesh janë thjeshtë emrat ato që ndryshojnë. 

Ndaj dhe unë, si një vijim i zërit të saj, ndjeva nevojën t’u drejtohem sot, më 8 mars 2024, disave syresh. Jo më ashtu në përgjithësi, por me emër, sepse ato kanë emër. 

(Emrat që kam përmendur janë realë)


Nga Natasha Poroçani


Gëzuar 8 Marsin LIRIDONA, gëzuar shoqe. Të hoqën zërin dhe fjalën, sepse kaq mund të ta bënin. U shkave duarsh, ti një person i sjellshëm që sa më pak të fliste, aq më mirë do të ishte, një person brenda një sistemi që është ndërtuar kryesisht për burrat. 


Gëzuar 8 Marsin DUHIJE, ti nuk mund të lindësh fëmijë. Ty sistemi nuk të pranon. Të damkos dhe i jep të drejtën burrit të fusë në shtratin tënd, atë…Duhijen tjetër që është po aq e përdhosur sa ti, sepse nëse edhe ajo, Duhija tjetër nuk do të mund të plotësojë funksionin e saj bilogjik, do të duhet të lirojë shtratin për një tjetër Duhije e kështu pafund. Por ka edhe një Dujihe tjetër që nuk dëshiron të lindë fëmijë. Thjesht nuk do. Nuk do kur përballet me pyetjen po kur do të na bësh një djalë? Ti fol: nuk do të bëj një djalë, sepse nuk dua të bëj një djalë. Kaq kam në dorë për t’iu kundërvënë sistemit. 


Gëzuar 8 Marsin MALVINA. Pas kater fëmijëvë që ke lindur, pas ditës lidhur me sobën e shtupën, tanimë je plakur. Nëse nuk lyhesh, je e lënë pas dore, nëse lyhesh, ku e gjen kohën, nëse del në kafe je nënë e keqe, nëse nuk del je mendjembyllur. Në dreq. 


Gëzuar 8 Marsin VJOLLCA. Ti ndërtove një perandori biznesi me duart e tua, por pagove koston e te përdalës, sepse sistemi të do të ndershme dhe e ndershmja nuk mundet të ulet në një tryezë me burrat, të pijë cigaren e partnerit apo të firmosë çekun me mijëra euro. Kamarieri faturën e drekës ia drejton burrit, jo për xhentilencë. Jo. Por sepse për sistemin paratë i sjell burri dhe atij i ka lezet të paguajë. 


Gëzuar 8 Marsin LEDINA. Mes zhurmës së lavatrices dhe tastierës së kompiuterit, ti nuk e kuptove se si re në depresion. Por jo, kjo është për të qeshur. Një grua e martuar nuk ka kohë të bjerë në depresion, sepse sistemi e do në këmbë: te çorapet e lara, te domatet e grira, te detyrat e shtëpisë dhe te akrobacitë e shtratit. Depresion s’ka. S’të lejohet. 


Gëzuar AISHE, Aisha pesë vjeçare. Të takova në pastiçerinë e lagjes. Shamia të mbulonte ballin e vogël dhe akulloren e haje fshehurazi nën vështrimin e rreptë të tët eti. 5 vjeç Aishe. Ta haje atë dreq akulloreje e të përlyheshe me të. 5 vjeç, mosha kur zoti i vetëm për ty është yt atë. Po sistemi nuk ta heq ty atë shami e t`ia vërë tët eti, sepse për sistemin ti je plaçka që yt atë do ta shesë shumë shpejt. 


Gëzuar 8 Marsin ANILA. Sistemi të quajti "nënë të keqe" sepse yt bir ra në burg. Ti nuk nxjerr zë, por pranon të quhesh "nënë e keqe", mjaft që të vazhdosh të quhesh "nënë". Nuk nxjerr zë, sepse sistemi është aty dhe gishtin ta ka drejtuar ty. Vetëm ty, jo babait. Sepse në këtë rast nuk vlen refreni “ka baba çun”.


Gëzuar edhe ti vajza ndryshe. E di që ke frikë të dalësh në shesh. Edhe unë kam frikë për ty. Se sistemi ngre mbi ty jo vetëm ferrin, por edhe parajsën. Sepse në vendin tonë, pranohet lehtësisht burri me dy, tri e katër gra, madje quhet burrë, por nuk pranohet kurrsesi të qenurit ndyshe. 


Mirëmbrëm SILVANA. E di që je me fat? Sepse burri yt të do kaq shumë sa është tmerrësisht xheloz për ty. Të do kaq shumë sa të nxiu syrin e të theu tri dhëmbë. Po sistemi e ka të gatshëm justifikimin:“Kush të rreh të do”. Dhe përtej sistemit, është nëna që rriti bishën, vjehrra jote që ka kurajon të thotë në ekranet e turpit: ani, nji shpullë asht!


Natën e mirë EGLANTINË. Morëm vesh që plumbat t`i dha babai dhe vëllai. Sepse ishe 16 vjeç dhe deshe të kërceje. Si Agia e Migjenit edhe ti bëre turpin të qeshje e të kërceje. Të ndajnë 100 vite nga Agia, por baba dhe Nushi janë po ata. 


Mirëmëngjes ty MEG që ke dëshirën t’ia nxjerrësh të dy sytë e lyrosur shefit që të zhbiron çdo mëngjes. Por nuk mundesh, sepse sistemi të nxjerr jashtë loje e jashtë pune. 


Gëzuar 8 Marsin SIBELA, që për dreq u dorëzove para thashethenajës së tik tokut e pas të ndoqi fraza “vetë e kërkove”. Pushofsh në paqë Sibela! Je më me fat se Sibela tjetër që u përdhunua te shkallët e pallatit dhe gruaja e kasapit i ulëriu; “Mirë t’u bë. Ku shkon ti me atë minifund.”


Gëzuar 8 Marsin edhe ti nëna MONA, ti që ke punuar një jetë dhe gëzon si fëmija në fundviti për 5000 lekë që sistemi t`i ofron si lëmoshën e rradhës. E di, je vetëm. Pensioni s’të del as për ilaçe, por sistemi të përdor ty. Më tej akoma, të denatyralizon çdo muaj, kur të detyron të firmosësh një copë letër që të dëshmosh se je ende gjallë, duke të të kujtuar se mund të vdesësh nga muaji në muaj. 


Gëzuar 8 Marsin LUIZA. Na mrekullove të gjithëve kur dëgjuam himnin tonë kombëtar në stadiumet e botës. Dhe nuk ishte një fushë futbolli. Luiza, njëra nga ne...


Gëzuar 8 Marsin doktoreshë NAJADA! Kur le mandatin e deputetit për të qënë në ballë të luftës me covid, ti e dije që e vërteta jote nuk është nën strehën e gënjeshtrës, po aty mes jetës që ti vetë e çon përpara. 


Gëzuar ANA, fituesja e olimpiadës së matematikës. Të përulemi ty që dhe mes Kajros ngrite flamurin kuq e zi. Por sistemi të harroi Ana, sepse sistemit nuk i intereson mendja e bukur, por injoranca, ngase “injoranca është pushtet” ka thënë Orwell. 


Gëzuar 8 Marsin KLODIANË. E dimë, je në vijën e parë të lajmit, nuk trembesh nga dhëmbët e krimit dhe i jep zë gjithë liridonave, sibelave e eglantinave që heshtojnë në ikjen e tyre. 


Të përshëndes SONILË. Ti s`ke kohë të lexosh kartolinën time sepse je në luftë: në luftë me ditën, sekondën; ty të duhet krejt e vetme të rrisësh e edukosh vajzën tënde. Sistemi të quan grua pa burrë, ne të quajmë grua burrë. 


Gëzuar BLERINË. Nuk të njeh sistemi as ty e dashur. Por ti vijon të përhapësh e të zbukurosh gjuhën shqipe edhe përtej detit. Gëzuar profesoreshë! 


Gëzuar 8 Marsin ty, SHOQJAIME E ZEMRËS që çdo mëngjes më shoqëron në rrufitjen e kafesë... ah prit, sistemi nuk të njeh, por ty as ta ndjen për sistemin, sepse je e lumtur, je e bukur dhe je aq madhështore në hapësirën tënde ku ka zëra fëmijësh, aromë jete dhe respekt për përditshmërinë. 


Gëzuar gra kokëforta. Kokëfortësia është cilësia që na përket; kjo është ajo çfarë jemi dhe sigurisht që nuk kemi nevojë për një mimozë për të na kujtuar këtë.



©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

822 Lexime
2 muaj më parë