Hapen regjistrimet online për klasën e parë dhe të dhjetë në e-Albania, nis aplikimi më 6 korrik

Ministria e Arsimit ka njoftuar hapjen e regjistrimeve online në e-Albania për klasën e parë dhe të dhjetë. Procesi nis më 6 korrik dhe zgjat deri më 31 korrik (klasa e parë) dhe 30 shtator (klasa e dhjetë). Aplikimi bëhet online, pa pagesë dhe me procedura të thjeshtuara. Për më tepër lexoni më poshtë.

Hapen zyrtarisht më 6 korrik 2026 regjistrimet online për nxënësit që do të ndjekin klasën e parë dhe klasën e dhjetë, përmes portalit shtetëror e-Albania. Procesi i aplikimit do të jetë i hapur deri më 31 korrik 2026 për klasën e parë dhe deri më 30 shtator 2026 për klasën e dhjetë në arsimin profesional.


Shërbimi elektronik synon të lehtësojë procedurat e regjistrimit për prindërit dhe kujdestarët ligjorë, duke shmangur paraqitjen fizike në institucionet arsimore dhe duke garantuar një proces më të shpejtë dhe më transparent.


Regjistrimi në klasën e parë


Shërbimi “Regjistrimi në klasë të parë” u vjen në ndihmë nxënësve që duhet të fillojnë arsimin fillor në shkollat publike të arsimit bazë parauniversitar. Të drejtë regjistrimi kanë të gjithë fëmijët që mbushin 6 vjeç deri më 31 dhjetor të vitit kalendarik në fjalë.


Aplikimi kryhet nga prindi ose personi që ushtron përgjegjësinë prindërore, i cili plotëson formularin online në portalin e-Albania. Regjistrimi bëhet në institucionin arsimor publik që mbulon zonën e vendbanimit të nxënësit, sipas hartës së miratuar të ndarjes territoriale.


Në rastet kur aplikimi bëhet nga kujdestari ligjor, kërkohet dokumenti përkatës i kujdestarisë. Pjesa tjetër e dokumentacionit sigurohet nga administrata shtetërore, pa qenë e nevojshme që qytetari t’i dorëzojë fizikisht.


Procesi i shqyrtimit të aplikimit kryhet brenda 10 ditëve, ndërsa shërbimi ofrohet pa pagesë.


Regjistrimi në klasën e dhjetë në arsimin profesional


Shërbimi “Regjistrimi në klasë të dhjetë, në shkollë të mesme profesionale” u mundëson nxënësve të vazhdojnë arsimin në institucionet e arsimit dhe formimit profesional. Në këto shkolla pranohen nxënës nga të gjitha shkollat e arsimit bazë, pavarësisht zonës gjeografike.


Në klasën e dhjetë pranohen nxënës deri në moshën 18 vjeç, ndërsa ndjekja e studimeve mund të vijojë deri në moshën 22 vjeç. Pranimi në arsimin profesional bëhet pa konkurs.


Në rastet kur kërkesat tejkalojnë kapacitetet e një ofruesi të AFP-së, përzgjedhja e nxënësve bëhet sipas kritereve të përcaktuara, duke përfshirë vendbanimin, mesataren e notave dhe kohën e aplikimit. Nëse ka vende të lira pas fazës së parë, pranimi bazohet në parimin “i pari që aplikon, i pari që pranohet”, sipas mesatares minimale të vitit paraardhës.


Arsimi profesional ofron gjithashtu përfitime për nxënësit. Vajzat që regjistrohen përfitojnë 50 për qind bursë, ndërsa në disa drejtime mësimore si bujqësia, veterinaria, ndërtimi, peshkimi, detaria dhe të tjera, ofrohet bursë e plotë. Pas përfundimit të studimeve, nxënësit pajisen me aftësi profesionale të kërkuara në tregun e punës dhe kanë mundësi të vijojnë studimet universitare.


Procesi i aplikimit kryhet online në e-Albania dhe shqyrtohet nga shkollat përkatëse brenda 10 ditëve nga dorëzimi i aplikimit.



Për çdo paqartësi mbi përdorimin e shërbimit, qytetarët mund të kontaktojnë në adresën [email protected] ose [email protected].



© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

202 Lexime
8 orë më parë