struktura

Hartimi i projektit kurrikular

Projekti do të konsiderohet edhe si një mënyrë e të përshkuarit të aktiviteteve ose të punëve që kryhen përmes një planifikimi. Në lëndën e letërsisë, si të gjithë këto lloje projektesh, ato shihen edhe si pjesë e përpunimit të njohurive të marra.

Fusha: gjuhët dhe komunikimi

Lënda: gjuhë shqipe dhe letërsi

Shkalla: V

Klasa: X

Dy fjalë për projektin


Projekti do të konsiderohet si një model të shkruari, përmes të cilit nxënësit do të parashtrojnë idetë dhe synimet e tyre për një punë që pritet të bëhet.

Projekti do të konsiderohet edhe si një mënyrë e të përshkuarit të aktiviteteve ose të punëve që kryhen përmes një planifikimi. Në lëndën e letërsisë, si të gjithë këto lloje projektesh, ato shihen edhe si pjesë e përpunimit të njohurive të marra përgjatë procesit të të nxënit.


Hartimi i projektit duhet vlerësuar si një mënyrë të shkruari. Në projekt, krahas synimeve, do të shënohen edhe objektivat që pritet të arrihen, hapat që duhet të ndiqen, koha kur do të kryhet, kush do ta kryejë, materialet që do të përdoren, buxheti që nevojitet, aktivitetet që do të kryhen, vlerësimi që do t’i bëhet etj.


Mbi të gjitha, ky projekt do të shihet si një veprimtari, e cila synon të përfshijë të gjithë nxënësit në punë të përbashkëta, rezultatet e të cilave do të jenë fryt i bashkëpunimit të nxënësve si pjesë e një grupi pune. Thelbi i projekteve kurrikulare, në fakt është edhe vetë origjinaliteti që do të sjellin nxënësit.


Objektivat e projektit

Synimi i këtij projekti është njohja sa më e plotë e veprimtarisë së një shkrimtari, duke shfrytëzuar gjithë njohjen gjuhësore, letrare, studimore dhe analitike.

Për të arritur këtë synim duhet:

- Të njohim jetën e autorit.

- Të takojmë (nëse mundemi) bashkëkohës të autorit për të marrë materiale autentike të jetës dhe veprës së tij.

- Të kërkojmë dhe gjejmë veprën e tij të plotë.

- Të hulumtojmë në veprat e shkrimtarit përmes fjalës së tij.

- Të shkruajmë duke reflektuar mbi veprën e shkrimtarit të parapëlqyer, nëpërmjet sjelljes së shkrimeve të natyrave të ndryshme: vlerësuese, argumentuese etj., që kanë të bëjnë me këndvështrimin tonë lidhur me veprat e shkrimtarit të zgjedhur.

- Të përgatisim recensione lidhur me veprën.

- Të njohim në mënyrë shteruese veprën e shkrimtarit.

- Të përgatisim album me pamje nga veprimtaria e tij.

- Të përgatisim fletëpalosje, postera, gazetë për të reklamuar sa më mirë punën e kryer.


Etapat e projektit

Puna për hartimin e një projekti mund të përshkruhet përmes etapave të mëposhtme:

• Titulli

• Qëllimi

• Synimet

• Objektivat

• Përshkrimi

• Përfituesit

• Kalendari i veprimtarive

• Bashkëpunimi

• Bashkëdonatorët

• Buxheti

• Vlerësimi i projektit

Më poshtë po detajojmë organizimin e punëve në orë të veçanta.


Hapi i parë

Paraqitja e projektit dhe ndarja e grupeve të punës.

Klasa ndahet në aq grupe pune sa mësuesi/ja mendon se numri brenda grupit është i mjaftueshëm për të përballuar materialin.

Njëri prej nxënësve brenda çdo grupi, me pëlqimin e shumicës, zgjidhet kryetar i grupit dhe i jepen disa detyra:

- të merret me ndarjen e detyrave brenda grupit;

- të ndihmojë në çdo rast shokët kur hasin ndonjë vështirësi;

- të jetë personi kyç që në çdo çast do të komunikojë me mësuesin/en dhe do të raportojë për punën e kryer apo pengesat e hasura.

Duke komunikuar me njëri-tjetrin, nxënësit anëtarë të një grupi do të zgjedhin një autor të pëlqyer nga shumica e tyre. Autori mund të jetë shqiptar apo i huaj, por duhet të marrë miratimin e mësueses për t’u thelluar më tej.


Hapi i dytë

Ndërtimi i titullit të projektit dhe synimet që duam të arrijmë me të.

Secili prej grupeve në këtë fazë ka mbërritur me emrin e autorit më të pëlqyer, mbi të cilin do të punojnë.

Duke u konsultuar, gjatë kësaj ore do të kemi ndërtuar titujt e punës me projekte. P.sh., “W. Shekspir, më i madhi nga mjeshtrit e fjalës, pena e të cilit ngriti monumente arti”.


Hapi i tretë

Përgjatë kësaj ore do të diskutojmë me grupet e punës mbi:

- kërkimet e kryera në bibliotekë mbi informacionet e vjela për temën e dhënë;

- kërkimet e kryera në internet;

- leximet e veprave të ngarkuara brenda grupit;

- nxjerrjen e shënimeve të nevojshme.


Hapi i katërt

Përgjatë kësaj ore do të merremi me:

- Skedimin e materialeve të marra nga burimet e pasqyruara më sipër për secilin grup pune.

- Ndërtimin e një interviste apo pyetësori, drejtuar bashkëmoshatarëve, për të parë se sa informacion kanë ata mbi autorët e zgjedhur nga grupet e punës me projekte.


Detyrë për të ardhmen:

Përpunimi dhe nxjerrja e konkluzioneve të pyetësorit.


Hapi i pestë

Përgjatë kësaj ore do të diskutojmë me grupet e punës mbi:

- Përfundimet e nxjerra pas përpunimit të informacionit të marrë nga pyetësori për çdo grup pune.

- Detyrat apo objektivat që na dalin pas këtij diskutimi.

- Përgatitjen, sistemimin dhe klasifikimin e materialeve.


Hapi i gjashtë 

Përgjatë kësaj ore do të diskutojmë me grupet e punës mbi:

- Përgatitjet e varianteve të para dhe diskutimet mbi këto punë në grupe të vogla.


Hapi i shtatë

Marrja e një vlerësimi paraprak nga mësuesi/ja për punët e kryera.


Detyra për të ardhmen:

Duhet të punojmë për të plotësuar, sistemuar apo organizuar më mirë informacionet e paraqitura deri në këto momente nga secili nxënës.

Po ashtu, do të diskutojmë me grupet e punës mbi:

- Përgatitjen përfundimtare të albumit me fotografi për autorin e zgjedhur nga çdo grup.

- Përgatitjen e një reklame.

- Përgatitjen e një posteri.

- Përgatitjen e një fletëpalosjeje.


Hapi i tetë

Përgjatë kësaj ore do të diskutojmë me grupet e punës mbi:

- Përgatitjen e variantit përfundimtar.

- Ndërtimin e materialeve të shkurtra dhe thelbësore për hartimin e një gazete.


Hapi i nëntë

Përgjatë kësaj ore do të diskutojmë me grupet e punës mbi:

- Përgatitjen e variantit përfundimtar të gazetës së “punës me projekte” nëpërmjet bashkëpunimit të të gjitha grupeve të punës.

Objektivi:

Të bashkëpunojmë për të sjellë në sytë e bashkëmoshatarëve shkrimtarët më në zë të periudhave që kemi studiuar dhe monumentet e tyre letrare.


Hapi i dhjetë

ORA 1

Paraqitja e projektit përfundimtar për grupin e parë dhe mbrojtja e tij përballë një publiku të gjerë (nxënës klase, nxënës shkolle, mësues, të ftuar, të interesuar etj.).

Përgatitja e një koktejli nga grupi i parë.

ORA 2

Paraqitja e projektit përfundimtar për grupin e dytë dhe mbrojtja e tij përballë një publiku të gjerë (nxënës klase, nxënës shkolle, mësues, të ftuar, të interesuar etj.).

Përgatitja e një koktejli nga grupi i dytë.

ORA 3

Paraqitja e projektit përfundimtar për grupin e tretë dhe mbrojtja e tij përballë një publiku të gjerë (nxënës klase, nxënës shkolle, mësues, të ftuar, të interesuar etj.).

Përgatitja e një koktejli nga grupi i tretë etj.


Hapi i fundit

Përfundimet e nxjerra nga mësuesi/ja mbi punën me projekte, angazhimin, pritshmëritë, përparësitë, arritjet.

Vlerësimi i punëve të nxënësve do të bëhet duke pasur parasysh disa pika:

• planin e projektit kurrikular për çdo grup;

• zbatimin e tij nga secili grup;

• menaxhimin e informacionit;

• etikën e punës në grup;

• përfundimet e nxjerra nga secili grup pune;

• punët krijuese të çdo grupi;

• mënyrën e paraqitjes.


Kriteret e vlerësimit

MINIMALE: (NOTA 5)

- Përgatit materialin e kërkuar me gojë ose me shkrim dhe e paraqet (dorëzon atë në afatet e kërkuara).

MJAFTUESHËM: (NOTA 6)

- Trajton temën e kërkuar duke përdorur informacionin e dhënë dhe respekton kriteret e kërkuara (me shkrim elektronik, jo më pak se 2 faqe e shkruar dhe paraqitje me gojë jo më shumë se 5 minuta).

MESATAR: (NOTA 7)

- Shtjellon argumentin e kërkuar nga tema dhe respekton afatet dhe kriteret e vendosura më sipër.

MIRË: (NOTA 8-9)

- Përdor shembuj dhe citime nga bibliografia e rekomanduar, që shërbejnë për trajtimin e temës.

- Rendit qartë dhe logjikisht materialin.

- Përdor një gjuhë korrekte dhe pa gabime.

SHUMË MIRË: (NOTA 10)

- Ka origjinalitet në trajtimin e temës.

- Përdor saktë dhe me korrektësi bibliografinë.

- Përdor një gjuhë të qartë dhe pa gabime.


(Portali Shkollor)

38,768 Lexime
3 vjet më parë