INTERVISTË

Hetemi: Lexohen më shumë autorët e huaj, ata vendorë duket sikur paragjykohen…

Ju ftojmë të lexoni intervistën me menaxherin e degës së Shtëpisë Botuese Albas në Prishtinë, Fatlum Hetemi, fokusuar në aktivitetet e realizuara brenda këtij viti. Intervistoi: Zamira Rexhepaj.

Shtëpia botuese ALBAS është themeluar në vitin 2000 dhe që në fillimet e saj ajo ka pasur në fokus botimet shkollore. Sot ka një sërë botimesh, të cilat janë profilizuar në disa drejtime kryesore: tekste shkollore, botime ndihmëse për mësuesit dhe nxënësit, botime universitare, seria e atlaseve dhe botime të tjera.

Në vazhdim ju ftojmë të lexoni intervistën me menaxherin e degës së Shtëpisë Botuese Albas në Prishtinë, Fatlum Hetemi, fokusuar në aktivitetet e realizuara brenda këtij viti.



Me sa libra të botuar mbylli vitin e shkuar “Albas”?


Botimet Albas, nëse përjashtojmë tekstet shkollore, nxjerrin përafërsisht rreth 40-50 tituj të rinj çdo vit. Duhet të përmendim që këto botime realizohen nga tri redaksi të Shtëpisë Botuese Albas, në tri shtete të ndryshme, konkretisht në Kosovë (Prishtinë), në Shqipëri (Tiranë) dhe në Maqedoninë e Veriut (Tetovë). 



Në cilat zhanre ka qenë fokusi juaj?


Ne si shtëpi botuese kemi profil të gjerë, pra nuk botojmë vetëm një zhanër të caktuar. Në fillim Albasi, krahas botimeve shkollore, ka qenë i fokusuar kryesisht në botimin e letërsisë për fëmijë. Nga këto botime veçoj serinë e veprave klasike botërore për fëmijë, të cilat janë ripërkthyer në gjuhën shqipe. Duke qenë se një pjesë e tyre ishin përkthime relativisht të hershme, pra ndihej nevoja të silleshin në një shqipe të ditëve të sotme, vendosëm t’i ribotojmë  të përkthyera nga gjuhët origjinale. Ndërsa prej disa vitesh botojmë edhe letërsi për të rritur, si nga autorë vendas, ashtu edhe të përkthyer. Këto botime përmbledhin veprat psikologjike, vepra studimore, botime universitare, letërsi artistike etj.



A janë pikërisht këto zhanre të cilat lexohen më së shumti?


Tepër të kërkuar nga lexuesi janë librat udhëzues e vetëndihmues. Scot Peck-u dhe Robin Sharma vazhdojnë të mbeten më të kërkuarit dhe kanë lexuesit e tyre besnikë për çdo titull të ri që botohet. Po të ndalemi te letërsia artistike, në përgjithësi më të kërkuarit janë romanet, por kjo nuk vlen gjithmonë. Këtë vit kemi botuar ‘trashëgiminë poetike’ të Sapfos-ë, të përkthyer nga origjinali, që ka ngjallur interes të madh te lexuesi. Të njëjtën gjë mund ta them edhe për Rumiun, poezitë e të cilit kanë dashuruesit e vet në çdo kohë. 



Cilët libra lexohen më shumë, vendorë apo të huaj?


Besoj se lexohen më shumë autorë të huaj, sepse edhe botohet më shumë letërsi e përkthyer. Mos të harrojmë se zakonisht autorët që përkthehen nga gjuhët e tjera, zakonisht gëzojnë një prestigj ndërkombëtar, që do të thotë që janë të njohur e të vlerësuar me çmime dhe kjo le të themi që shërben si garanci për lexuesin, njëkohësisht dhe si busull orientuese për shitblerjen e librave. Sa u përket autorëve vendorë, mendoj se ndonjëherë paragjykohen pa të drejtë, duke i konsideruar veprat e tyre si të dorës së dytë. Mendoj se në Kosovë, po ashtu dhe në Shqipëri, po bëhet letërsi e mirë, e cila nuk mbetet mbrapa letërsisë së vendeve të rajonit. Gjithsesi, kohëve të fundit po vërehet një “rehabilitim” te lexuesi i letërsisë së shkruar nga autorë shqiptarë. 



Sa mendoni se shiten librat në Kosovë?


Mendoj se në Kosovë ka një interes konstant për blerjen e librave, gjë që jo gjithmonë përkthehet në përfitime për botuesit vendas, sepse sot një pjesë e mirë e lexuesve u drejtohen librarive edhe për të blerë tituj në gjuhë të huaj, ose dhe librarive digjitale, si: Kindle, Scribd, Amazon etj. 



A mund të bëni një klasifikim të lexuesve, kush blen më shumë sipas jush?


Mendoj që fillimisht është më e drejtë të ndajmë lexuesin nga blerësi, sepse jo çdo blerës i librit është edhe lexues i tij dhe anasjelltas, jo çdo lexues është edhe blerësi i librit. Nëse më do të më pyesnit cilët lexojnë më shumë, padyshim janë lexuesit e rregullt, ata që le të themi e kanë leximin si një ritual; ndërsa pyetjes se cilët blejnë më shumë, janë prindërit që blejnë për lexuesit e vegjël.



A është çmimi i librit i pranueshëm për buxhetin e një të riu?


Ne përgjithësisht përpiqemi që librave t’u vendosim çmime të përballueshme për xhepin e lexuesit, gjë që në pjesën më të madhe të rasteve e kam vënë re dhe te botuesit e tjerë. Por, nuk duhet të harrojmë se pas çmimit të vendosur qëndrojnë disa kosto që shkojnë për të mbuluar hallka të ndryshme të procesit të botimit të një libri, si: kostoja e shtypit, përkthimi, autorësia, shpërndarja etj.  Po ashtu vlen të kujtohet që tregu i librit fizik nuk është në ditët e tij më të mira, prandaj duhet të ketë dhe mirëkuptim nga ana e lexuesit për çmimin e librave. 



Sa shpërndahen librat në biblioteka, kështu që të mund ta gjejnë ata që nuk mund ta blejnë?


Institucionet shtetërore përkatëse kanë fonde të posaçme për pasurimin e bibliotekave shkollore apo komunale me libra, që mund të jenë tituj të rinj ose tituj që mungojnë. Këto furnizime janë të herëpashershme dhe kryesisht shpërndarje më të gjerë ka libri për fëmijë ose letërsia klasike për të rritur. Një mundësi tjetër për të siguruar librat ata që nuk mund t’i blejnë, është Biblioteka Kombëtare, tek e cila dorëzohen kopjet e detyrueshme për çdo titull të botuar të pajisur me ISBN.



Sa financoheni institucionalisht në botimin e librave?


Pjesa më e madhe e botimeve tona nuk mbështeten financiarisht. Por ka pasur raste kur kemi marrë mbështetje financiare të pjesshme nga ana e institucioneve. Duhet theksuar se mbështetje të tilla kanë një vlerë financiare të vogël.



A keni përkrahje tjetër në mënyrë që të rrisni produksionin letrar?


Përkrahje tjetër për botuesit, përveç institucioneve shtetërore, ofrojnë institutet kulturore të vendeve të ndryshme, që japin grante për përkthime. Po ashtu grante përkthimi ofrojnë dhe rrjetet e mëdha ndërkombëtare, si Creative Europe apo TRADUKI. 



Cilat janë mangësitë tjera institucionale që pamundësojnë rritjen e produksionit letrar?


Disa nga mangësitë institucionale që pamundësojnë rritjen e produksionit letrar janë padyshim taksa e lartë ndaj librit, rritja e çmimit të nënprodukteve, si ajo e letrës. Vështirësitë në lëvizjen doganore për të mund të shitur librin shqip në të gjitha shtetet ku flitet shqip.



Ku i shisni librat, sepse duket që s’ka librari të mjaftueshme?


Albas ka librari të sajat në Prishtinë, Tiranë, Tetovë dhe Preshevë, ku shesim librat tanë, por jo vetëm, dhe kjo gjë na ndihmon të kemi një rrjet të gjerë distribucioni. Natyrisht, botimet tona shiten në të gjitha libraritë e këtyre vendeve. Sa i përket vërejtjes suaj se nuk ka librari të mjaftueshme, parimisht jam dakord, por mendoj se kjo vlen më shumë për vendet periferike, sepse në Prishtinë gjendja është pak më ndryshe. Gjithsesi, nuk mund të kemi pritshmëri të mëdha për shtimin e librarive fizike, duke qenë se tani kanë marrë përparësi forma alternative të shitjes së librave. 



A keni kaluar te shitja online?


Po, nëse me këtë nënkuptojmë shitjen e librit fizik përmes platformave online. Prej disa vitesh shtëpia botuese Albas ka platformën e vet të shitjes së librave online: librarialbas.al. Natyrisht, përveçse në platformën tonë, librat tanë tregtohen online edhe nga operatorë të tjerë që e ofrojnë këtë shërbim. 

Pastaj, nëse flasim për e-book-un, një shërbim të tillë e ofrojmë për tekstet shkollore paralelisht me librin fizik. Pra, kush e blen librin si kopje fizike, ka akses edhe në formatin elektronik. Më lejoni ta theksoj që Albasi është e para shtëpi botuese që e ka ofruar një shërbim të tillë për mësimdhënien multimediale në Kosovë dhe në Shqipëri. 

Sa i përket tregtimit të librit artistik si format elektronik (e-book),  sot për sot, si në Kosovë, dhe me sa jam në dijeni edhe në Shqipëri, nuk e ofron ndonjë botues këtë shërbim, për arsye se nevojitet ndryshim i legjislacionit përkatës për të mundësuar tregtimin e librit në një format të tillë. 



Dhe për fund, a mendoni se jemi një popull që lexon?


Ndoshta kultura e leximit të përditshëm nuk është e përhapur gjerësisht te ne, pra mund të mos identifikohemi lehtësisht si popull që lexon, por, pavarësisht kësaj, mendoj se jemi një popull që e do leximin. Mjafton të kujtojmë se popullit shqiptar, në kohë, në rrethana dhe për arsye të ndryshme, i është ndaluar leximi, qoftë i letërsisë kombëtare, qoftë i letërsisë botërore, dhe nuk kanë qetë të pakta rastet kur lexuesit kanë rrezikuar lirinë e tyre dhe të familjeve të tyre për të mund të lexuar një libër të ndaluar. 



Intervistoi: Zamira Rexhepaj/ ObserverKult

© Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

1,836 Lexime
2 vjet më parë