Aktualitet

Inagurohet shkolla e gjuhëve të huaja “Asim Vokshi”, Manastirliu: Këtë vit përfundojmë 100 shkolla

“Për këtë vit do të përfundojnë 100 objekte shkollore, të cilat ne i kemi nisur si projekte dhe do t’i vendosim në dispozicion të mësuesve dhe nxënësve tanë brenda këtij viti.” – ka thënë ministrja Manastirliu, gjatë përurimit të shkollës së mesme të gjuhëve të huaja "Asim Vokshi".

“Për këtë vit do të përfundojnë 100 objekte shkollore, të cilat ne i kemi nisur si projekte dhe do t’i vendosim në dispozicion të mësuesve dhe nxënësve tanë brenda këtij viti.” – Deklarata u bë nga Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu, gjatë përurimit të shkollës së mesme të gjuhëve të huaja "Asim Vokshi", e cila është rindërtuar me standardet më të mira, me mbështetjen e programit EU4Schools, financuar nga BE dhe zbatuar nga UNDP.


“Shkolla ‘Asim Vokshi’ është ndërtuar si një institucion model arsimor, i pajisur me infrastrukturë të avancuar dhe teknologji të fundit. Ajo do të ofrojë një mjedis inovativ arsimor për 750 nxënës, duke u fokusuar në mësimin e gjuhëve të huaja dhe aftësitë në fushën e IT-së. Kjo shkollë ka për qëllim përgatitjen e nxënësve jo vetëm për tregun e punës në Shqipëri por edhe atë ndërkombëtar, duke i pajisur ata me njohuri dhe aftësi të nevojshme për të qenë konkurrues në një treg global”, thuhet në njoftimin e zyrës së shtypit të MAS.


Sot, në ceremoninë e hapjes zyrtare të godinës së re arsimore, e cila simbolizon një hap të rëndësishëm drejt ofrimit të arsimit cilësor, ishin të pranishëm Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, Kryetari i Bashkisë Tiranë Erion Veliaj, Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato, përfaqësuesi i UNDP, Francisco Roquette, mësues, nxënës, si dhe përfaqësues të institucioneve arsimore.


Krahas investimeve në infrastrukturën arsimore, Ministrja e Arsimit dhe Sportit tha se fokusi dhe vëmendja më e madhe është në modernizimin e kurrikulave shkollore, si dhe në mbështetjen profesionale për mësuesit. Kjo përfshin rritjen e pagave dhe ofrimin e më shumë garancive për zhvillimin e tyre profesional, me synimin që të përgatisin nxënësit, jo vetëm për sfidat e tregut vendas, por edhe atë ndërkombëtar.

 

“Fokusi Ministrisë së Arsimit dhe Sportit shkon përtej vetëm infrastrukturës fizike të shkollës, që patjetër që është një komponent i rëndësishëm i të gjithë sistemit arsimor. Komponenti i dytë i rëndësishëm është kurrikula shkollore, për të cilën ne kemi një plan për të ridimensionuar dhe modernizuar kurrikulën e shkollës, ku në fokus do të jenë edhe shkollat me orientim gjuhësor, me orientim artistik, shkollat në orientim sportiv, por gjithashtu edhe burimet njerëzore. Dhe unë këtu dua ta kem fokusin kryesor të punës së ekipit të Ministrisë së Arsimit, ku, ne do të kalojmë në një nivel të ri të mbështetjes për mësuesit, të shkallëve të kualifikimit të mësuesve, të mbështetjes direkte, nëpërmjet rritjes pagave dhe të të ofruarit mësuesve akoma më shumë garanci për rritjen e tyre profesionale”, tha Manastirliu.

 

Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu foli edhe për hapjen e Kolegjit të Evropës, Kampusit të Tiranës.

 

“Me masterplanin që po përgatisim, do të kemi një projekt fantastik gjithashtu për Kolegjin e Evropës, i cili ne duam, dhe së bashku po punojmë, që të kemi akoma më shumë kapacitete pritëse, për të pasur edhe më shumë të rinj. Dhe imagjinoni tani dhe këtu duhet t'ju drejtohem ju nxënësve por sidomos mësuesve se çfarë përgjegjësie keni, sepse nxënësit tuaj janë ata që do të jenë diplomatët nesër, nxënësit tuaj janë ata të cilët do të tregojnë vlerat e vendit tonë, Shqipërisë, sepse edhe me turizmin që po rritet me nevojën që ne kemi për t'i treguar vlerat e kombit tonë ne na duhen poliglotët, por nga ana tjetër ju si nxënës keni shumë mundësi dhe shkolla duhet ta japë dhe ta ofrojë këtë potencial të  jashtëzakonshëm.”, tha Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu.

 


Kaltra Tafani

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

464 Lexime
4 muaj më parë