Inspektimi në arsim: Strukturë më shumë se përmbajtje?

Inspektimi në arsim pas një shekulli ka patur rritje strukturore dhe burokratike, por jo domosdoshmërisht përmbajtësore. Fiqiri Çifliku evidenton problematikat ligjore, operacionale e formale, dhe propozon profesionalizim, dixhitalizim, transparencë e zhvillim profesional.

Nga Fiqiri Çifliku, ekspert arsimi 


"Dikur, mungesa e inspektimeve ishte sinonim i neglizhencës shtetërore. Sot, pas një shekulli, kemi borde, kontrolle, protokolle... por a kemi edhe përmbajtje? Nëse dikush guxon të mbrojë vlerat e punës, shpërblehet me heshtje apo...? A mos po e inspektojmë moralin më shumë se performancën?"


Në mend më vijnë pyetjet:


A ka kaluar ndonjë “inspektim i plotë” në institucionin tënd? Si mund ta dallojmë një inspektim të vërtetë nga një kontroll dekorativ? A është ndërgjegjja profesionale një luks, apo nevojë?


Struktura aktuale e inspektimit në sistemin arsimor parauniversitar e instaluar pas shkrirjes së Inspektoratit Shtetëror të Arsimit (ISHA) në 2019, edhe pas reformës që hyri në fuqi më 1 tetor 2024 vijon e mbivendosur në disa nivele, me fokusin e ri në fuqizimin me drejtor dhe përgjegjës të institucioneve qendrore dhe rajonale.


Kështu Agjencia Kombëtare e Arsimit Parauniversitar (AKAP) si hallka kryesore për menaxhimin dhe inspektimin e institucioneve arsimore, nga 20 shkoi në 33 punonjës, përfshirë një zv/drejtor dhe të veçuar një sektor të shërbimeve mbështetëse.


Drejtorive Rajonale të Arsimit Parauniversitar (DRAP) u është shtuar  drejtoria e Tiranës si një njësi më vete, duke e shkëputur nga varësia e Durrësit qarkun Tiranë. Këto struktura kryejnë mbikëqyrjen dhe inspektimin në nivel rajonal dhe janë gati dyfish nga 60 në 115 punonjës.


Zyrat Vendore të Arsimit Parauniversitar (ZVAP), 52 në gjithë territorin, të cilat duhet të sigurojnë mbështetje lokale, u është reduktuar pesha në inspektim pas reformës, por në mendimin tim edhe në drejtim të vlerësimit të kurrikulës, trajnimit të stafeve, monitorimit të projekteve shkollore dhe aktiviteteve mbështetëse në nivel bashkie.


Nëse bëjmë një analizë të inspektimit dhe vlerësimit konstatohet se numri i inspektorëve në nivel qendror dhe rajonal, ka rritje në vlerë absolute (nga 45 në 66), por përqindja e tyre në raport me totalin e stafit para 2024, është ulur (nga 60% në 45%).


Nisur nga qëllimi i strukturës së re që synonte rritjen e llogaridhënies dhe cilësisë në arsim, monitorim më të centralizuar dhe profesional, apo reduktim i inspektimeve formale pa përmbajtje, duke synuar vlerësim real të performancës nuk përputhen me atë çka ofrojnë shifrat që citoj më sipër.


Po cilat janë problematikave kryesore me të cilat përballet sot sistemi i inspektimit në arsimin parauniversitar?  Për lehtësi krahasimi dhe për të kuptuar po i paraqes të ndara sipas natyrës së tyre.


Problematikat ligjore


Problematikat ligjore të cilat lidhen me vakume ligjore për konceptet e reja: Si p.sh. shkollat e bashkuara, statusi i veçantë për shkollat artistike/sportive, mësuesit në dispozicion, të cilat nuk janë shumë të qarta dhe kërkojnë rishikimin e standardeve përkatëse.


Certifikimi i drejtuesve edhe pse këtë vit bën 7 vjeç, si kriter i shtuar përveç formimit universitar, ende nuk garanton që në çdo shkollë të kemi të emëruar drejtues të certifikuar.


Portali “Mësues për Shqipërinë” dhe procesi i lëvizjeve paralele me dëshirë apo për shkak të mbylljes së vendit të punës, jo gjithmonë gjen zbatim të unifikuar në gjithë territorin dhe shpesh shoqërohet me paqartësi në emërimet dhe transparencën.


Mungesë e standardeve të qarta për inspektim, duke mos pasur një përcaktim të qartë  për kriteret për inspektim të jashtëm dhe vlerësim të brendshëm. Duke qenë se AKAP dhe strukturat e varësisë janë pikërisht strukturat qe sigurojnë ofrimin e shërbimit në gjithë territorin, a mund të konsiderohen ato edhe si subjekt i jashtëm për vlerësimin e këtij shërbimi apo po bëjmë përsëri një vlerësim te vetvetes.


Problematikat operacionale


Reduktim i përqindjes së inspektorëve pavarësisht se në pamje të parë duket se numri është rritur, përqindja në raport me stafin është ulur nga 60% në 45%, duke dobësuar kapacitetin inspektues.


Kemi fragmentim institucional, ose mbivendosje, ku ndërlidhja mes AKAP, ASCAP, DRAP, ZVAP dhe QSHA shpesh është e paqartë dhe jo efikase.


Vlerësimi i performancës kërkon burime njerëzore të kualifikuara dhe të dhëna të standardizuara, që shpesh mungojnë për të garantuar vlerësim cilësor dhe të vijueshëm.


Sistemi SMIP ka lehtësuar disa procese, por nuk është i integruar në inspektim dhe vlerësim të performancës duke e konsideruar si digjitalizim të pjesshëm që pak shërben në proceset inspektuese.


Klasifikimi i pozicioneve të inspektorëve nuk njihet si i tillë as në ligj as në VKM duke i vendosur kategorinë e tyre në vlerësim të diferencuar nga kolegët e inspektorateve të tjerë.

Sistemet e vlerësimit online duhet të ndërthuren me sisteme të tjera për vlerësimin e përmbajtjes dhe jo vetëm si ChekList  online me reflektim të menjëhershëm.


Problematikat formale


Shpesh inspektimet janë thjesht për të plotësuar dokumentacionin, të pamundura për analizë reale të cilësisë. Formati i vlerësimit online nuk ta lejon ta bësh këtë analizë. Nëse inspektojmë ndalimin e duhanit mjafton të bësh matje verifikim në terren nëse plotësohen kriteret ,  mjafton. Por në arsim duhet analizë e theluar , ndjekje orësh mësimore, vlerësim analitik etj. detaje që ekspertët e arsimit i dinë më mirë.


Raporte të përgjithshme, jo të personalizuara me një standard të caktuar, që nuk i reflektojnë detajet apo specifikat e çdo institucioni.


Shkollat nuk kanë kapacitet për të realizuar vetëvlerësim të thelluar, duke e kthyer atë në formalitet dhe një hallkë të dobët. Këtu mund të forcohet roli i koordinatorit të cilësisë por jo për të marrë atributet e drejtuesit të shkollës apo të inspektorit siç është cilësuar në disa raste. Ata nuk janë kurrsesi inspektor, janë mësues që duhet të trajnohen fuqishëm krahas inspektorëve. Fokusi i punës së tyre në vijim duhet të jetë ndihma me trajnime dhe moduli i vetëvlerësimit të institucionit arsimor krahasuar me të institucionet e tjera brenda njësisë arsimore vendor.


Raportet e performancës nuk publikohen rregullisht dhe nuk nxisin diskutime, rrahje problematikash apo llogaridhënie publike. Kështu nuk garantojnë transparencë për rezultatet e çdo institucioni të inspektuar.


Praktikat e inspektimit në vendet e OECD ofrojnë një pasqyrë të pasur për mënyrën si mund të ndërtohet një sistem efektiv, i drejtë dhe zhvillimor për institucionet arsimore. Inspektim i jashtëm kryhet nga agjenci të pavarura ose ministri, me qëllim llogaridhënien dhe përmirësimin. Inspektorët janë të trajnuar profesionalisht me ekspertizë pedagogjike dhe në mënyrë periodike japin feedback të detajuar, si dhe publikojnë raportet. Udhëzimet e qarta nga autoritetet qendrore ku edhe  inspektorët ndihmojnë shkollën në vetëvlerësim dhe zhvillim profesional.


Standardizim i kritereve për të siguruar objektivitet dhe përdorim i të dhënave nga testet kombëtare dhe vlerësimet e nxënësve si dhe lidhja me zhvillimin profesional të mësuesve dhe drejtuesve i japin fuqi këtyre sistemeve.


Për të mos e kaluar vetëm me konstatime dhe krahasime po paraqes më poshtë një paketë propozimesh për një sistem efikas inspektimi në arsimin parauniversitar në Shqipëri, duke u mbështetur në praktikat më të mira të vendeve OECD dhe analizën e strukturës aktuale.


1. Rishikimi i strukturës institucionale duke filluar me konsolidimi i roleve, autonomi për inspektorët dhe zvogëlim i burokracive.

Qartësim i funksioneve që në ligj, mes AKAP, ASCAP, DRAP dhe ZVAP për të shmangur mbivendosje dhe fragmentim. Krijimi i një trupe inspektimi të pavarur nga menaxhimi rajonal  në atë qendror ku çdo lëndë duhet të ketë ekspertin e vet  të specializuar më së mirë në atë profil për të garantuar cilësi dhe objektivitet. Thjeshtim i zinxhirit të raportimit dhe reduktim i dokumentacionit formal pa ndikim real.


2. Mbështetje për profesionalizimin e inspektimit dhe të punonjësve të këtyre struturave.

Trajnim i vazhdueshëm për inspektorët në pedagogji, etikë, vlerësim cilësor dhe komunikim me qëllim standardizimin e metodologjisë. Përdorim i teknikave të vëzhgimit, intervistimit dhe analizës së të dhënave sipas manualeve të përditësuara. Koordinimi me ASCAP dhe QSHA për matjen e rezultateve të nxënësve, klimës shkollore dhe zhvillimit profesional të stafit, mbështetur në përdorim real të indikatorëve të performancës.


3. Dixhitalizim dhe transparencë

Platformë kombëtare për inspektimin duhet të jetë e integruar me SMIP për raportim, analizë dhe publikim të rezultateve. Këtu do të përfshija edhe sistemin e punësimit nëpërmjet Portalit Mësues për Shqipërinë duke e larguar përfundimisht ndikimin e njeriut në procesin e njoftimeve të vendeve të punës, pranimit deri në lidhjen e kontratës apo në largimet nga puna. E thënë shkurt e qartë këto platforma të shërbejnë si pasaportë unike që e ndjek pas punonjësin arsimor. Çdo shkollë duhet të ketë një profil vlerësimi të aksesueshëm nga komuniteti si dhe  të bëj publike raporte e vetëvlerësimit apo të inspektimit: Sistemi SMIP mund të përdoret gjithashtu edhe për kryerjen e anketave digjitale për të mbledhur perceptime reale nga prindërit, nxënësit dhe komuniteti.


4. Ndërlidhje me zhvillimin profesional, vetëvlerësimin e shkollave si bazë mbështetje e integruar me inspektimin e jashtëm.

Inspektimi duhet të përdoret si mjet zhvillimi, jo ndëshkimi, pra edhe për identifikimin e nevojave për mbështetje dhe trajnime. Në këtë kuptim inspektorët duhet të jenë të përgatitur të ofrojnë udhëzime konkrete për përmirësim, jo vetëm për vlerësim. Raportet do të shërbenin për identifikimin e nevojave për trajnimin e drejtuesve dhe ekipeve kurrikulare apo për të realizuar analiza të thelluara. Vetëvlerësimi duhet të jetë pjesë e raportit final dhe të ndikojë në planin e zhvillimit.


5. Përditësimi i manualeve  të vlerësimit të performancës .

Agjencia e Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar, duhet të përditësojë manualette që përcakton kriteret, metodologjitë dhe objektivat për inspektimin dhe vlerësimin e performancës në tërësi.

Duhet fuqizuar gjithashtu bashkëpunimi me QSHA për analizë të thelluar të vlerësimit të arritjeve të nxënësve përmes provimeve kombëtare.



© Portali Shkollor Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

2,568 Lexime
3 ditë më parë