Integrimi i teknologjisë së komunikimit në mësimdhënie dhe nxënie
Zhvillimi i shpejtë i teknologjisë ka sjellë ndryshime pozitive, por edhe një sërë pasojash negative. Këto pasoja negative vihen re në keqpërdorimin e gjuhës shqipe nga të rinjtë. Mësuese Rovena Dokollari na sjell disa raste...
Integrimi i teknologjisë së komunikimit në mësimdhënie dhe nxënie nënkupton përdorimin e rrjeteve sociale në mënyrë produktive, shfrytëzimin dhe përdorimin e internetit për qëllime të mësimdhënies dhe të nxënies. Aplikimi i teknologjisë në mësimdhënie ofron përfitime të mëdha për nxënësit dhe rrit aftësitë konceptuese dhe perceptuese të tyre gjatë orës së mësimit duke lehtësuar të nxënit.
Mirëpo dukuri shqetësuese te ne është se integrimi i teknologjisë informative të komunikimit në masë të madhe po keqpërdoret nga nxënësit duke qëndruar orë të tëra pranë kompjuterit dhe duke e përdorur jashtë interesit të mësimit. Një faktor shqetësues nga qëndrimi i tepërt në rrjete sociale është edhe edhe transformimi që po i bëhet gjuhës. Gjuha dhe format e të folurit, me të cilat nxënësit komunikojnë në rrjetet sociale janë krejtësisht jashtë të të folurit apo të shkruarit të shqipes standarde. Format e të folurit, të cilat përdoren në rrjetet sociale, madje, janë bërë si një zhargon trendi edhe në komunikimin e përditshëm jashtë këtyre rrjeteve.
Gjuha me të cilën komunikojnë të rinjtë në rrjete sociale përfshin mjaft shprehje nga gjuhët e huaja. Të njejtat shprehje janë bërë rutinë edhe në komunikimin e përditshëm, jashtë kufijve virtualë. Gjuha në rrjetet sociale kryesisht po përzihet me anglishten ose edhe me gjuhë të tjera. Po përdoren zhargone, zakonisht këto fjalë, të rinjtë po i përdorim edhe në jetën normale, por ajo çka duket më tepër shqetësuese është se përdorimi i këtyre shkurtesave shihet edhe në punimet e nxënësve, si: hartime, ese, detyra kontrolli apo edhe gjatë testimit të njohurive që i bëhet nxënësve, duke ndikuar kështu drejtpërdrejt, negativisht gjatë vlerësimit e tyre. Gjuha e komunikimit në rrjetet sociale është e mbushur me barbarizma, shkurtesa ose akronime. Në mendjen tonë sjellim disa raste si: - ‘hi ose hello’... këto të gjitha kanë ardhur nga anglishtja. - ‘Like’, ‘comment’, e të gjitha këto kanë ardhur nga rrjetet sociale që i përdorim, ‘Facebook’-u, “Twitter’, etj”. - në shumë raste, nuk e thërrasin dikë në emër, por përdorin shprehjet “o tip” ose “o njeri”; - bëjnë komplimente në formën “po dukesh nice njeri” në vend të shprehjes “dukesh bukur zotëri’; - edhe shprehjet emocionale, i shprehim në formën “jam happy” në vend të shprehjes “jam i lumtur”.
- i bën një nder dikujt dhe nuk të thotë ‘faleminderit’, por vetëm ‘flm’; - ka edhe fjalë që kthehen në formën e mbrapshtë, si për shembull: ‘op’ në vend të pohimit ‘po’ , etj. Gjuha që përdoret në rrjete sociale nga nxënësit, është po ajo gjuhë me të cilën ata komunikojnë edhe në jetën e përditshme, jashtë rrjeteve. Kjo në njëfarë mënyre është edhe një pasqyrë e kulturës gjuhësore tek ta. Gjuha e njejtë ndërmjet shokëve mund të flitet në internet, por jo nëpër shkolla. Kur kemi ndonjë fjalim më formal është më ndryshe. Kjo dukuri duket se është bërë gati shprehi që të flasin ashtu sikur në rrjetet sociale.
Një problematikë tjetër është niveli shumë i ulët i zotërimit të drejtshkrimit dhe të normave të tjera të gjuhës: Përdorimi i gjuhës në këto rrjete sociale na tregon nivelin e ulët të zotërimit të normave të gjuhës standarde në shkollë dhe pikërisht ky fakt duhet të shërbejë si nxitje që të forcojë kontrollin në shkolla dhe masat për rritjen e cilësisë së mësimdhënies së gjuhës shqipe. Ligjërimi elektronik ka marrë një shtrirje të gjerë, duke u përdorur për komunikimin midis individësh, madje, shpesh, me “gjuhë të internetit” kuptohen këto forma të komunikimit midis individësh a të individëve me grupe më të gjera sociale. Duke qenë se ligjërimi i individit nuk kalon në filtrin e korrektimit e të redaktimit, në to vërehen shmangie të shumta nga normat e gjuhës, gjë që ka bërë të lindë shqetësimi për mënyrën e përdorimit të gjuhës shqipe.
Një dukuri tjetër negative përbën mospërdorimi i shkronjave ë dhe ç, të cilat mungojnë në tastierat e kompjuterëve dhe të laptopëve. Nuk janë të pakta çiftet e fjalëve që po të shkruhen me e në vend të ë-së apo me c në vend të ç-së, marrin kuptim tjetër. Për shembull: çull bëhet cull, çap behët cap, çik behet cik, çok bëhet cok; ose në behet ne, nën bëhet nen, nëna bëhet nena, ndër bëhet nder, bëj behet bej ,etj. Kjo mund të sjellë gabime të tjera edhe në rastet kur në tekst ka fjalë të huaja me ë, si Wilson, që bëhet Ëilson, etj.
Gjithashtu mund të themi se zhvillimi i shpejtë i teknologjisë ka sjellë ndryshime pozitive, por edhe një sërë pasojash negative. Ky përparim i vrullshëm i mjeteve teknologjike ka bërë që nxënësit të rriten në një mjedis virtual, duke e bazuar zhvillimin e tyre edukativ dhe shoqëror kryesisht nga këto mjete.
(Mësuese Rovena Dokollari; Portali Shkollor)
Gabime në përdorimin e trajtave të shkurtra në gjuhën shqipe
Përdorimet e gabuara të apostrofit/Si ta përdorim drejt apostrofin
Takimi i dy shkronjave të njëjta në një fjalë