Intervistë me drejtoreshën model Rozina Sterkaj - Si e ktheu shkollën “Tringë Smajli” në Shkodër në një institucion bashkëkohor me “tru dhe zemër”

Nga një shkollë e amortizuar dhe e paragjykuar, në një institucion bashkëkohor me "tru dhe zemër". Si u transformua shkolla "Tringë Smajli" në Shkodër dhe si u rikthye besimi i prindërve? Drejtoresha Rozina Sterkaj rrëfen rrugëtimin që e ktheu shkollën në një model zhvillimi.

Dikur, shkolla “Tringë Smajli” në Shkodër përballej me një realitet të vështirë, që kishte prekur jo vetëm kushtet infrastrukturore, por edhe imazhin dhe besimin e komunitetit ndaj saj. Xhama të thyer, ambiente të amortizuara, mungesë e kushteve bazë, oborr pa gjelbërim dhe një numër gjithnjë e më i vogël nxënësish. Gjendja kishte arritur deri aty sa mediat ta etiketonin shkollën si “stallë bagëtish”, një përcaktim i rëndë që pasqyronte më së miri realitetin me të cilin përballej institucioni.


Sot, pamja që të ofron shkolla është krejt tjetër. Ambiente të rikonstruktuara dhe të gjallëruara me ngjyra, klasa të pajisura me teknologji, hapësira më miqësore për fëmijët dhe një frymë e re në jetën shkollore. Përtej ndryshimeve infrastrukturore, “Tringë Smajli” ka nisur të ndërtojë një identitet të ri, duke rikthyer nxënësit, besimin e prindërve dhe vlerësimin e komunitetit. 

Një transformim që nuk lidhet vetëm me muret e shkollës, por edhe me kulturën e punës, bashkëpunimin dhe përkushtimin për të krijuar një mjedis ku fëmijët të dëshirojnë të mësojnë dhe mësuesit të ndihen krenarë për institucionin ku punojnë.


Për të mësuar më shumë rreth këtij transformimi, sfidave të përballuara dhe vizionit për të ardhmen, kemi zhvilluar një intervistë me drejtoreshën e shkollës “Tringë Smajli”, Rozina Sterkaj. 


Ajo e nisi rrugëtimin e saj me pasionin e mësueses që nuk dinte t'i thoshte “jo” asnjë fëmije, për t'u shndërruar më pas në drejtuesen që la mënjanë “takat e pushtetit” dhe veshi atletet për të vrapuar drejt ndryshimit. Përmes shembullit personal, vendosmërisë dhe bashkëpunimit të ngushtë me stafin e komunitetin, ajo u bë pjesë e një transformimi që e nxori shkollën nga një realitet i paragjykuar drejt një institucioni bashkëkohor me “tru dhe zemër”. 


Për të, arsimi nuk matet thjesht me mure të lyera apo nota, por me dinjitetin e njerëzve që formohen dhe besimin e rikthyer të prindërve. Kjo është historia e një shkolle që po ndërton një identitet të ri dhe e një drejtueseje që beson se kur udhëheq me zemër dhe pa bërë kompromis me padrejtësinë, edhe ndryshimet më të vështira bëhen të mundura.



Ju keni një histori të gjatë me shkollën “Tringë Smajli”, fillimisht si mësuese dhe më pas si drejtuese. Si e kujtoni shkollën në fillimet tuaja?


I kujtoj me shumë zell ato vite. Ishte viti 2005 kur nisa punën me një klasë të dytë, me 40 nxënës. Isha e re, me shumë dëshirë për të sjellë diçka ndryshe dhe me një vizion të qartë për atë që dëshiroja të arrija. Në atë kohë vijonte përplasja mes traditës dhe kërkesave të kohës, një përballje që, në forma të ndryshme, mendoj se vazhdon edhe sot.


Nuk kam qenë kurrë njeri që ndikohej lehtë nga mendimet e rrethit. Kisha bindjet e mia dhe kërkesa të larta ndaj vetes dhe nxënësve. Numri i madh i tyre ndoshta më bënte disi më të rreptë, por shumë shpejt kuptova se rreptësia nuk ishte çelësi i suksesit.


Në vitin e dytë të punës pata një inspektim nga Drejtoria Arsimore Shkodër. Më kujtohet se në testimin e zhvilluar, 16 nxënës u vlerësuan me notën 10. Inspektorja, një zonjë me emrin Flutura, gjatë analizës që zhvilloi me kolegët, foli me shumë superlativa për punën time. Unë isha skuqur e bërë flakë e kuqe, sepse ndoshta ishte një ditë me fat dhe e kuptoja se jo të gjitha vlerësimet i meritoja në atë masë. Ajo vlerësoi performancën e klasës, dokumentacionin, regjistrin, ditarin dhe arritjet e nxënësve.


Megjithatë, ajo ditë më dha diçka shumë të rëndësishme: rriti vetëvlerësimin tim. Kuptova se besimi te vetja është një element i fuqishëm që të çon drejt suksesit. Gjë që e përcolla edhe te nxënësit. Tek po përcillnim inspektoren, ajo nxori nga makina dhe më dhuroi një libër me titull “Mësimdhënia me në qendër nxënësin”. Ai libër më ndihmoi të thelloja njohuritë për metodat bashkëkohore të mësimdhënies dhe të kuptoja më mirë se fëmija duhet të jetë gjithmonë në qendër të procesit mësimor. Kam qenë natyrë hulumtuese, gjë që më çonte vazhdimisht në përditësimin e gjithçkaje që kishte lidhje me profesionin.


Me kalimin e viteve kuptova edhe diçka tjetër: fëmijët janë fëmijë, pavarësisht se nga vijnë, çfarë familjeje kanë apo çfarë rrethanash mbartin. Ata janë një material njerëzor që formësohet çdo ditë. Mësuesi është një element shumë i rëndësishëm në këtë proces, sepse me modelin, fjalën dhe punën e tij mund të ndikojë në formimin, por fatkeqësisht edhe në deformimin e personalitetit të tyre.


Ndoshta natyra ime e ndjeshme më bënte t'i shihja gjërat pak më thellë. Kur kishte veprimtari artistike, konkurse apo aktivitete të tjera, fillimisht përgatitja nxënësit e klasës sime. Por kur më afrohej një nxënës tjetër dhe më pyeste: “A mund të më përgatitësh edhe mua?”, përgjigjja ime nuk ishte kurrë jo. E kisha shumë të vështirë ta jepja atë përgjigje. Dilja pasdite në shkollë dhe punoja me të gjithë njësoj, edhe kur nuk ishin nxënësit e mi.


Kështu, dalëngadalë, i sollëm shkollës “Tringë Smajli” shumë vlerësime dhe çmime, mes tyre 14 çmime të para në nivel lokal dhe kombëtar. Kjo ka qenë gjithmonë bindja ime: suksesi i një nxënësi është sukses i të gjithë shkollës.



Kur morët drejtimin e saj, me çfarë realiteti u përballët dhe cilat ishin ndryshimet që mendonit se duheshin ndërmarrë?


Kur mora drejtimin e shkollës, gjëja e parë që më dha shtysë dhe besim ishte mbështetja e stafit pedagogjik dhe dakordësia e tyre që unë të isha drejtuese. Kishim punuar gati njëzet vite së bashku, njihnim mirë njëri-tjetrin, pikat e forta dhe të dobëta. E konsideroja veten me fat që kisha një staf serioz, të mirëkuptuar dhe profesional. Mbi të gjitha, si njerëz, ishte secili më i mirë se tjetri.

Stafi i shkollës "Tringë Smajli" 

Por realiteti i shkollës ishte krejt tjetër. Në vlerësimin e performancës, shkolla renditej e fundit. Nuk kam hiç dëshirë t'i rendis të gjitha, por gjendja ishte alarmante: braktisje, largim i fëmijëve drejt shkollave të tjera, godinë e amortizuar, xhama të thyer, kamera jofunksionale, mungesë laboratorësh, interneti, tualetesh dhe biblioteke. Oborri pa gjelbërim e dimrit i mbytur në baltë e ujë. Mungonte higjiena, aktivitetet shkollore pothuajse ishin harruar dhe problematikat me nxënësit ishin të theksuara. Madje, mediat e kishin etiketuar shkollën si “stallë bagëtish”.



Rënia e numrit të nxënësve kishte krijuar edhe një problem tjetër: rrezikimin e vendeve të punës së mësuesve. Katër kolege, shoqe me të cilat kisha ndarë për gati njëzet vite profesionin, bukën dhe hallet, ishin në KVD. Ishte një situatë që më rëndonte shumë.


Nuk dija nga t'ia filloja. Mblodha stafin dhe u thashë se nuk kisha ardhur aty për të gjykuar askënd, as për të kërkuar fajtorë për gjendjen ku ndodheshim. As për të rrahur takat për të treguar se jam drejtoresha, por me atlete të vraponim për të ndryshuar gjendjen. Rendita shkaqet që e çonin drejt ndryshimit dhe rëndësinë e tij. Vendosëm ndërgjegjet në tavolinë dhe së bashku vendosëm për të ndryshuar realitetin dhe për t'i rikthyer dinjitetin shkollës sonë.



Cili ishte vizioni juaj për këtë shkollë dhe si nisët ta vinit në jetë?


Vizioni im ishte i qartë: shkolla të kishte “tru dhe zemër”, ta kthenim shkollën “Tringë Smajli” në një institucion ku nxënësit të dëshironin të vinin, prindërit të kishin besim dhe mësuesit të ndiheshin krenarë që ishin pjesë e saj.


Doja një shkollë të bukur, me jetë, me aktivitete, me kulturë pune, me rezultate dhe gjithëpërfshirëse. Një shkollë ku çdo fëmijë të ndihej i vlerësuar dhe të kishte mundësi të zbulonte aftësitë e tij.



Sot flasim për një institucion që ka ndryshuar ndjeshëm. Përtej përmirësimeve infrastrukturore, çfarë ka ndryshuar në mënyrën se si funksionon shkolla?


Me ndihmën e Zotit, të stafit, komunitetit, OJF-ve, pushtetit lokal dhe Ministrisë së Arsimit, ka ndryshuar vërtet shumë.


Po përshkruaj disa pika, ku po i përmbledh disi ndryshimet, duke u nisur nga baziket deri te modernizimi.

FUNKSIONALITETI BAZË DHE SIGURIA

  • Shtrimi urgjent i rrugës në oborr.
  • Rikthimi i funksionalitetit të tualeteve dhe garantimi i kushteve higjienike.
  • Lyerja e ambienteve.
  • Sigurimi i bazës materiale: banka, pajisje dhe mjete didaktike.
  • Vendosja e rregullave të qarta për respektimin e orareve dhe lëvizjen e nxënësve.
  • Përmirësimi i aksesit në internet.

MJEDISI MIQËSOR DHE KULTURA SHKOLLORE

  • Rikonceptimi estetik i ambienteve përmes ngjyrave dhe krijimit të hapësirave të ngrohta e miqësore.
  • Sistemimi dhe gjelbërimi i oborrit.
  • Krijimi i bibliotekës multifunksionale me disa kënde dhe me rreth 1500 libra për fëmijë të të gjitha moshave.
  • Shfrytëzimi i orëve të ShQK-së dhe Artit e Zejes për krijimin e garderobës së shkollës.

ZHVILLIMI PROFESIONAL DHE JETA KRIJUESE

  • Projekte të përbashkëta që sollën gazetën e shkollës dhe botimin e librave.
  • Zhvillimi i nismave krijuese dhe përfshirja aktive e nxënësve.
  • Aktivitete të shumta kulturore dhe artistike.
  • Vlerësime maksimale në shumë konkurime lokale e kombëtare.
  • Vendosja e paneleve diellore.

MODERNIZIMI DHE ZGJERIMI I SHËRBIMEVE

  • Vendosja e paneleve diellore.
  • Lobim institucional dhe, si rezultat, sigurimi dhe implementimi i sistemit SmartLab.
  • Projekt rehabilitimi në fazën përmbyllëse, tani në fund të nëntorit.
  • Investim madhor për tualete moderne me akses nga brenda institucionit.
  • Kënd sportiv bashkëkohor me disa fusha.
  • Sistemim dhe rikualifikim modern i oborreve.
  • Ndërhyrje në ndriçimin e jashtëm e të brendshëm dhe riparim i problematikave infrastrukturore.
  • Projekt rehabilitimi në fazën përmbyllëse, me përfundim të parashikuar në fund të nëntorit.
  • Përfshirja në programin “Pas Shkolle”, me 8 grupe.

Sot kemi një shkollë më të organizuar, me përgjegjësi të përcaktuara, me dokumentacion të sistemuar dhe me një vëmendje më të madhe ndaj cilësisë së procesit mësimor. Por mbi të gjitha, ka ndryshuar perceptimi për shkollën. Nga një institucion që dikur përballej me paragjykime, sot është kthyer në një shkollë që promovon arritjet e veta.



Ju pra përmendët ndryshimin e kulturës së punës dhe të mentalitetit. Si arritët ta ndërtonit këtë frymë të re brenda institucionit?


Nuk është e lehtë të ndryshosh mentalitete, sidomos kur njerëzit kanë krijuar një mënyrë të caktuar të të punuarit ndër vite. Siç e thashë më lart, urdhri ekziston vetëm në letra. Besoj se ishte shembulli personal dhe fati që punoja me një staf të përgjegjshëm e të mirëkuptueshëm.


Nuk besoj se ndryshimi ndodh brenda një dite. Ai ndërtohet çdo ditë, me vendime të vogla, me këmbëngulje dhe me standarde që nuk duhet të ndryshojnë sipas rrethanave.



Sa i rëndësishëm ka qenë angazhimi i stafit pedagogjik në këtë proces dhe si keni arritur të krijoni një ekip që punon drejt të njëjtave objektiva?


Stafi pedagogjik ka qenë dhe mbetet një nga faktorët më të rëndësishëm të këtij transformimi. Asnjë drejtues, sado vizionar të jetë, nuk mund ta çojë përpara një institucion i vetëm.


Më vjen keq që meritat më shkojnë mua dhe do të doja të kisha një zë të fuqishëm, të më dëgjonin të gjithë, që të kuptohej se është meritë e stafit e gjithë kjo. Shpreh mirënjohjen më të thellë për të gjithë. Kam pasur fatin të punoj me mësues që e njohin mirë shkollën dhe që kanë dhënë kontributin e tyre në këtë rrugëtim. Unë kam mësuar shumë prej tyre. Përpiqem të krijoj një klimë ku secili të ketë hapësirë për ide, iniciativa dhe përgjegjësi.


Fati im të punoj me një staf që ka zemër, ka besim, ka bashkëpunim deri edhe në sakrificë për njëri-tjetrin. Një staf që i udhëheqin njerëzorja dhe detyra paralelisht.


Si do ta përshkruanit veten si drejtuese? Cilat janë parimet që nuk bëni kompromis në ushtrimin e këtij roli?


E shoh veten si një drejtuese njerëzore, organizatore, këmbëngulëse dhe vizionare (shpresoj ta thonë të tjerët këtë, se ndoshta më duket mua, haha). Përpiqem të jem zëri që dëgjon, dora që organizon dhe mendja që kërkon zgjidhje. Besoj te drejtësia, bashkëpunimi dhe fuqia e shembullit. Më pëlqen të mbjell ide, të motivoj njerëz dhe t'i kthej vështirësitë në mundësi. Nuk pretendoj se kam bërë gjithçka, por jam përpjekur që aty ku kam drejtuar të lë gjurmë, jo thjesht detyra të përfunduara; të lë diçka njerëzore që vazhdon të rritet edhe pas meje.


Absolute është të mos bërit kompromis me padrejtësinë. Kurrë, në asnjë lloj rrethane. Më udhëheq parimi: “Më mirë 10 ditë me dinjitet se një jetë me pisllëk”.



 A ka pasur vështirësi apo momente kur ndryshimi dukej i vështirë për t'u realizuar? Si i keni kapërcyer?


Ndoshta tingëllon pak e çuditshme, por nuk mund të them se kam përjetuar vështirësi të pakapërcyeshme. Zoti, empatia e ndërsjellë, stafi model, respekti i komunitetit, dashuria e nxënësve, aftësitë e mia lidhëse, këmbëngulja dhe përkushtimi kanë qenë forcat që i kanë sjellë ndryshimet, ndoshta edhe në një kohë rekord, sa çuditesha edhe vetë. Përveç lodhjes fizike të familjes sonë të madhe (kështu e konsiderojmë stafin), e cila shpërblehej me kënaqësinë e arritjeve, nuk mund të veçoj vështirësi të tjera. Besoj se kur njerëzit bashkohen me mirëkuptim dhe zemër, edhe ndryshimet më të vështira bëhen të mundura.



Po bashkëpunimi me prindërit dhe komunitetin sa ka ndikuar në zhvillimin e shkollës?


Ka ndikuar jashtëzakonisht shumë. Për fatin tim të mirë, që në kohën kur isha mësuese, kisha krijuar një marrëdhënie vëllazërore me komunitetin. E ndieja se emri im ishte mitizuar disi, ndoshta më shumë nga ç'e meritoja, dhe kjo më bënte të ndihesha borxhlie ndaj besimit dhe respektit të tyre.


Kur mora drejtimin, prindërit shprehën besimin te ndryshimi ende pa nisur puna. Madje, filluan të rikthenin fëmijët që ishin larguar drejt shkollave të tjera, sepse besonin tek unë dhe ishin të gatshëm të prisnin. Kjo më vendosi një përgjegjësi të madhe mbi supe. Ndihesha borxhlie ndaj asaj konsiderate dhe dashurie. Gatishmëria e tyre për të ndihmuar e për të dhënë kontribut më dha krahë dhe vullnet për të ecur përpara. Komuniteti nuk ishte thjesht mbështetës i ndryshimit, por u bë pjesë e tij.



Sot rreth 300 fëmijë ndjekin arsimin parashkollor dhe 9-vjeçar në këtë institucion. Çfarë mjedisi edukues dëshironi të gjeni te çdo fëmijë që kalon nëpër këtë shkollë?


Së pari, përulem me respekt përpara sjelljes së atyre fëmijëve që spikasin mes bashkëmoshatarëve për edukatën që reflektojnë, respektin dhe dashurinë që dinë të falin.


Mund të them me krenari se nxënësit e shkollës “Tringë Smajli” janë shembullorë. Ata i janë përshtatur rregullave me mirëkuptim dhe bashkëpunim, duke krijuar një kulturë të bukur komunikimi, respekti dhe përgjegjësie, e cila na ka çuar drejt rezultateve të kënaqshme.


Dëshiroj që çdo fëmijë të rritet jo vetëm me dije, por edhe me vlera njerëzore, empati, qytetari dhe besim te vetja. Sepse suksesi i një shkolle nuk matet vetëm me atë që fëmijët dinë, por edhe me njerëzit që bëhen.


Tashmë shkolla është përfshirë edhe në programin "Pas Shkolle", një mundësi e re që do ta lehtësojë arritjen e këtij qëllimi, duke e bërë shkollën një mjedis edhe më miqësor, gjithëpërfshirës dhe produktiv, ku çdo fëmijë gjen hapësirën për të mësuar, krijuar dhe zhvilluar talentet e tij. Nuk duhet të harrojmë se nuk kemi përballë thjesht nxënës, por personalitete në formim. Secili ka ritmin, prirjet dhe talentet e veta.


Nëse arrijmë të zbulojmë qoftë edhe një aftësi të fshehur te një fëmijë dhe ta ndihmojmë ta zhvillojë, kemi përmbushur një pjesë shumë të rëndësishme të misionit tonë.



Godina po i nënshtrohet një procesi rehabilitimi, ndërsa pritet të ndërtohen edhe dy terrene sportive. Çfarë mundësish të reja do t'u krijojnë këto investime nxënësve?


Rehabilitimi i godinës do të na japë mjedise më të sigurta, më dinjitoze dhe më bashkëkohore. Ndërsa dy terrenet sportive do të krijojnë mundësi të reja për zhvillimin fizik, social dhe emocional të nxënësve. Dëshirojmë që shkolla të jetë një mjedis ku nxënësi të zhvillohet në të gjitha dimensionet: akademike, artistike, sportive dhe njerëzore.



Pas kaq vitesh në arsim, fillimisht si mësuese dhe më pas si drejtuese, si ka evoluar këndvështrimi juaj për shkollën dhe misionin e saj?


Nuk ka ndryshuar dashuria ime për arsimin, ndryshoi vetëm madhësia e përgjegjësisë që ajo mbartte. Në fillim kujdesesha për disa lule të kopshtit, ndërsa sot për të gjitha lulet e kopshtit.



Kur shihni sot shkollën “Tringë Smajli”, cili është ndryshimi që ju bën të ndiheni më krenare?


Nëse do të veçoja diçka, do të thosha se më krenare më bën rikthimi i besimit. Besimi se kjo shkollë ka vlera, ka potencial dhe mund të ofrojë arsim cilësor.


Nuk është pak të kalosh nga një realitet që paragjykohej në një institucion që sot përpiqet të jetë model i zhvillimit dhe i përkushtimit.



Çfarë synoni të arrini më tej dhe si e imagjinoni shkollën në vitet e ardhshme?


E imagjinoj shkollën “Tringë Smajli” si një institucion edhe më bashkëkohor, ku teknologjia, inovacioni, arti, sporti dhe të nxënit përmes përvojës të jenë pjesë e përditshmërisë.

Një shkollë model për të gjitha shkollat!


Dua që çdo fëmijë të hyjë në këtë shkollë me dëshirë dhe të largohet prej saj me kujtime të bukura, dije dhe besimin se mund të arrijë shumë në jetë.


Më ka mbetur në mendje një thënie e një mikeshe zemre që më tha:


“Mos e humb kurrë atë mësuese dhe atë zemër që ke brenda vetes, edhe kur përgjegjësitë e drejtoreshës të bëhen të rënda. Ajo është ndoshta arsyeja pse ke arritur deri këtu.”



Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

387 Lexime
6 orë më parë