Intervistë

Intervistë me Ermal Hasimja: “E shkuar e pakryer”, një histori përballë dhimbjes, kujtesës dhe përpjekjes për të mos harruar

Në intervistën për Portalin Shkollor Albas, Ermal Hasimja zbulon frymëzimin pas romanit "E shkuar e pakryer", një rrëfim që sfidon harresën kolektive. Përmes historisë së gjyshes së tij, ai na çon në zemër të komunizmit, duke eksploruar dhimbjen, identitetin dhe qëndresën e shqiptarëve.

Intervistoi Nanila Allkja Biçaku


Në këtë intervistë për Portalin Shkollor Albas, autori Ermal Hasimja na flet për romanin e tij “E shkuar e pakryer”, një histori që zgjon kujtesën dhe na fton të reflektojmë mbi të kaluarën tonë. Duke eksploruar temat e harresës dhe kujtesës, Hasimja përshkruan jetën e një familjeje që lufton për mbijetesë nën trysninë e dy regjimeve represive: komunizmi shqiptar dhe sundimi serb. Përmes personazhit të Anës, një grua që sfidon kohën dhe normat e saj, autori zbulon fuqinë dhe qëndresën e grave në historinë shqiptare, ndërsa reflekton mbi harresën kolektive që vazhdon të ndjekë shoqërinë tonë. Me një rrëfim prekës, introspektiv dhe i guximshëm, “E shkuar e pakryer” kërkon të prekë zemrat e lexuesve dhe të ndriçojë një pjesë të errët të historisë sonë që ka lënë gjurmë të pashlyeshme.



Cili ishte frymëzimi për të shkruar “E shkuar e pakryer”? A kishte ndonjë ngjarje apo periudhë historike specifike që ju motivoi?


E nisa si një projekt egoist. Doja të shkruaja historinë e familjes dhe kryesisht të gjyshes sime, më tepër për t’ua lënë brezave të ardhshëm me të njëjtën ADN me mua. Është historia e një gruaje dinjitoze dhe me vullnet të çeliktë që ndahet për 44 vjet nga familja e saj duke u përpjekur në të njëjtën kohë t’i mbijetojë persekutimin komunist. Më pas zbulova se kishte një analogji interesante mes harresës individuale që shkakton sëmundja e Alzajmerit te protagonistja dhe prirjes së harresës kolektive që shoqëria jonë i ka imponuar vetes në raport me komunizmin. Për mendimin tim shumica e shqiptarëve nuk kanë kuptuar asgjë nga komunizmi. Ia kanë vënë fajin psikopatologjisë së protagonistëve si Enver Hoxha, por nuk e kanë kuptuar kurrë se problemi qëndron në fakt te rrënjët, pra te ideologjia marksiste-leniniste. Libri eksploron edhe këtë përmasa të harresës dhe moskuptimit të komunizmit.

Sa kohë ju mori për të shkruar këtë libër dhe çfarë burimesh hulumtuese përdorët për ta bërë atë sa më autentik dhe historikisht të saktë?

Kam shpenzuar 3-4 vjet për të mbledhur frymëzimin, por edhe informacionin e duhur. Meqenëse ngjarjet zhvillohen pjesërisht në Kosovë kam gërmuar shumë edhe atje dhe kam patur fatin të shoh historinë e ndarjes së familjes të parë nga të dy anët e kufirit. Shpesh e njëjta ngjarje është përjetuar me nuanca të ndryshme varësisht nga ana e kufirit ku ndodheshin dëshmitarët. Procesi i të shkruarit ka qenë më i shpejtë.



Në libër përshkruani përvojat e shqiptarëve në një Jugosllavi, ku identiteti i tyre është nën presion. Si mendoni se kjo periudhë dhe përvoja e kësaj gjenerate kanë ndikuar në formimin e identitetit shqiptar?


Paradoksi i kosovarëve që emigruan në Shqipëri ishte që ikën nga Jugosllavia për t’i shpëtuar sundimit serb dhe përfunduan me shumicë nëpër burgjet dhe kampet e komunistëve shqiptarë. Komunistët shqiptarë e kanë parë gjithnjë me dyshim dhe armiqësi Kosovën, njësoj si veriun e Shqipërisë, për faktin e thjeshtë se ajo ishte djep i nacionalizmit shqiptar. Ajo që shpallte regjimi në mediet e kohës nuk kishte asnjë lidhje me politikën e vërtetë. Kosovarët që erdhën në Shqipëri u persekutuan më shumë se cilido grup tjetër. Por kjo nuk dihej nga opinioni publik në Kosovë për shkak të propagandës dhe izolimit. Pra për ironi, kosovarët e adhuronin dhe idealizonin Shqipërinë komuniste pa e ditur realisht ferrin që ekzistonte aty për shqiptarët dhe veçanërisht për shqiptarët e Kosovës që kishin emigruar.  



Historia shfaqet përmes një familjeje që ka kaluar trauma të ndryshme në vende të ndryshme. Si e konsideroni rolin e familjes si element qendror në përballimin e vështirësive historike dhe politike? Ana është portretizuar si një personazh i fortë që përballet me normat e kohës. Çfarë mesazhi doni të përcillni përmes saj dhe si e mendoni rolin e grave në historinë shqiptare?


Personazhi kryesor, Ana, është mishërimi i një kulture tradicionale që ka në thelb të saj familjen, me të gjithë të mirat dhe problemet e traditës. Mbijetesa e familjes është instinkti dhe qëllimi kryesor. Kur ky instinkt përplaset me dinjitetin e personazhit është mbijetesa e familjes që mbizotëron. Ana, një qenie jashtëzakonisht krenare dhe dinjitoze i nënshtrohet një procesi zvetënimi pikërisht për të siguruar mbijetesën e familjes. Romani dhe vetë historia ku mbështetet ai është praktikisht një histori matriarkati ku gratë mbajnë në dorë fatet e familjes që në origjinën e saj të largët. Nuk është domosdoshmërish roli i përgjithshëm i gruas shqiptare në shoqërinë e asaj kohe të dominuar gjerësisht nga meshkujt, por është rezultati i natyrshëm i një tradite specifike familjare. Edhe vetë personazhi themeltar që i ka dhënë emrin familjes është një grua që merr gjakun e burrit të vrarë për të mbrojtur dinjitetin e vet.



Pra, përmes rrëfimit tuaj dhe përvojës së dhimbshme të të afërmve të tu, ju ndërtoi një narrativë që përpiqet të kuptojë dhe të rrëfejë një të kaluar që ende lë pasoja në zemrat dhe mendjet e shqiptarëve. A mund të shpjegoni zgjedhjen e titullit dhe simbolikën e tij? Çfarë përfaqëson "E shkuara e pakryer" në kontekstin e historisë që tregoni? Sot në vitin 2024, çfarë e tashme dominon nga e kaluara? Si e konkretizon harresën kolektive? 


Titulli më erdhi natyrshëm sepse libri rrëfen pikërisht një të shkuar që nuk është kryer dhe mbajti peng ëndrra e dëshira të parealizuara. Nga ana tjetër, përtej dramës familjare, e shkuara kolektive shqiptare është ende e pakryer përderisa nuk janë nxjerrë mësimet e duhura nga regjimi totalitar.



Nëse do të kishit mundësi të ktheheshit në kohë, në jetën e personazheve të romanit, cili moment do të dëshironit të përjetonit personalisht dhe përse?


Do të doja mbi të gjitha të isha në periudhën që është më vështirë të njihet, atë të viteve 30-40. Është një periudhë e trazuar, por njëkohësisht edhe periudha në të cilën ngjizen karakteret e personazheve reale dhe ku nis thyerja e madhe historike për shqiptarët. 



Çfarë do të dëshironit që të rinjtë shqiptarë të marrin si mësim ose si ndjesi nga ky libër? A ka një ndjenjë ose vlerë që ju mendoni se brezi ynë e ka humbur dhe që romani mund të ndihmojë ta rikthejë?


Brezat e rinj e njohin komunizmin përmes filmave të propagandës komuniste të kohës, pra e njohin ashtu si donte regjimi komunist. Realitetin e njohin jashtëzakonisht pak. Si arsimtar e kam kuptuar shumë shpejt këtë gjë kur shoh se si mbeten me gojë hapur teksa u rrëfen historitë e regjimit. Ky libër është një përpjekje për t’i ndihmuar të rinjtë të kuptojnë dhe të analizojnë.



Dhe në fund, a ndiheni ju vet i ndryshuar pasi përfunduat “E shkuar e pakryer”? :) 


Nuk besoj se kam ndryshuar, por libri më ka shërbyer për një lloj katarsisi. Ndihem i çliruar nga një sens i rëndë detyre si familjar dhe si qytetar. Jam përpjekur të bëj detyrën time për të përcjellë histori nga të cilat mund të mësohet. Shpresoj që shkrimtari amator ose familjari brenda meje të mos ketë tradhtuar arsimtarin.




© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,649 Lexime
3 javë më parë