Intervistë me fabulistin Ferit Lamaj për librin e ri “Mbreti xhuxh”, botuar nga Albas

Ferit Lamaj rikthehet me “Mbretin xhuxh”, një përmbledhje fabulash ku humori dhe ironia përcjellin mesazhe për jetën, shoqërinë dhe marrëdhëniet njerëzore. Në këtë intervistë, ai flet për letërsinë për fëmijë dhe rëndësinë e afrimit të brezit të ri me librin.

Rrugëtimi i Ferit Lamajt në botën e botimeve letrare nisi në vitin 1977, me librin e tij të parë “Në verë dhe në dimër”. Që prej asaj kohe, fabula dhe satira janë bërë pjesë e pandashme e krijimtarisë së tij, përmes së cilës autori ka sjellë në vargje sjellje njerëzore, dukuri shoqërore dhe problematika të jetës së përditshme. 


Me një krijimtari që përfshin mbi 120 tituj librash dhe rreth 11 mijë fabula, Lamaj vijon të shkruajë për lexues të moshave të ndryshme. Së fundmi, ai vjen me librin “Mbreti xhuxh”, në një botim më të plotë nga shtëpia botuese Albas, ku fabulat janë ndarë në katër grupe tematike: familjare, shoqërore, shkollore dhe shkencore.


Në këtë intervistë për Portalin Shkollor, Ferit Lamaj rrëfen për lidhjen e tij me këtë gjini letrare, për fuqinë e humorit dhe ironisë në përcjelljen e mesazheve dhe për vlerat që fabula mund t'u japë fëmijëve. Ai ndalet gjithashtu te roli i familjes dhe shkollës në nxitjen e dëshirës për lexim, si dhe te sfida për t'i mbajtur fëmijët pranë librit në një kohë kur teknologjia zë gjithnjë e më shumë vend në jetën e tyre.



Intervistoi Nanila Allkja Biçaku 



Zoti Lamaj, libri juaj i ri, “Mbreti xhuxh”, vjen si një përmbledhje fabulash të ndara në katër grupe tematike: familjare, shoqërore, shkollore dhe shkencore. Si lindi ideja për këtë libër dhe çfarë ju frymëzoi gjatë krijimit të tij?


Në fakt, libri me këtë titull para disa vitesh është botuar në Tiranë nga shtëpia botuese “Ilar” dhe në Tetovë nga shtëpia botuese “Nobel”.


Ishte nisma dashamirëse e shkrimtares Rita Petro, drejtuese e përkushtuar e shtëpisë botuese “Albas”, që më ftoi në një bisedë të çiltër dhe më propozoi publikimin e librit “Mbreti xhuxh” me fabula dhe vjersha humoristike të zgjedhura. Këtë herë libri paraqitet më i plotë, më i këndshëm, me ilustrime shumëngjyrëshe.

Fabula më frymëzon thuajse çdo ditë me gjetjet dhe motivet e reja. Grupimi tematik dhe situatat e larmishme satirike i kanë dhënë vëllimit fabulor hijeshinë e domosdoshme. Më joshi bashkëpunimi me Albas-in, pasi ka një staf të tërë profesionistësh të mirëfilltë: redaktorë, korrektorë gjuhësorë, piktorë, promovues librash të rinj, agjentë shitjesh me përvojë etj. Mirënjohje të veçantë kam për redaktoren Sevi Lami dhe piktoren Anja Capuni.

 


Fabula është një nga format më të hershme të letërsisë, e cila përmes historive të shkurtra përcjell mësime dhe mesazhe të rëndësishme. Çfarë e bën këtë gjini ende të vlefshme dhe tërheqëse për lexuesin e sotëm, veçanërisht për fëmijët?


Humbisja pas Ezopit e Fedrit, La Fontenit e Krillovit, Trilusës, Naimit, Santorit e Çajupit. Fabula është magjike, të ngjizet në shpirt, të pushton. Të josh me përjetësinë e saj. Fabula nuk do të ketë kurrë vdekje. Ajo ka gjalluar 26 shekuj më parë, do të gjallojë edhe shumë e shumë shekuj të tjerë.


Fabula bën çudira. Të ledhaton, po edhe ta ngul. Fabula është e tillë, disi “e pabesë”, ngaqë e tillë është vetë jeta. Fabula ndjek jetën. E lufton me armët e saj të fuqishme: me humorin, sarkazmin, ironinë, groteskun, alegorinë, paradoksin, lakonizmin, befasinë, e mbi të gjitha, me filozofinë e saj.


Ja, si shprehet, mes të tjerash, shkrimtari i mirënjohur Dritëro Agolli në parathënien e librit tim “Dhelpra e Trojës: “Lexuesi në fabul është i të gjitha moshave. Fabulën e do edhe gjyshi, edhe nipi, edhe shkencëtari, edhe bariu. Prandaj fabula ka jetë të gjatë në gjirin e lexuesit.”


Është pikërisht kjo ndër arsyet që i jam përkushtuar i tëri fabulës. Fabulisti lumturohet kur krijesat e tij shëtisin te sa më shumë duar e sy.



Në fabulat tuaja trajtohen marrëdhëniet njerëzore, sjelljet në shoqëri, drejtësia, përgjegjësia dhe vlera e dijes. Cilat janë disa prej problematikave të shoqërisë sonë që keni dashur të pasqyroni përmes personazheve dhe situatave të librit?


Mbështetur në ndarjen e librit për fëmijë në katër grupe kryesore: fabula shkollore, familjare, shoqërore dhe shkencore, tematika është e larmishme. Problematika, laryshia e personazheve njerëz, kafshë, shpezë, insekte, frymorë e  jo frymorë, rrok një spektër të gjerë.


Paraqiten situata të këndshme humoristike në mjediset shkollore, familjare dhe shoqërore, të cilat përmbyllen me thumbime mençurore.



Një nga veçoritë e fabulës është përdorimi i humorit dhe ironisë për të nxjerrë në pah të vërteta që ndonjëherë është e vështirë të thuhen drejtpërdrejt. Si e përdorni humorin për të përcjellë mesazhe dhe për të nxitur reflektimin te lexuesi?


Humori i shkon shumë për shtat zhanrit të fabulës, e lezeton krejt krijimin në vargje. Krijimi ngre lart virtytin dhe godet keqas vesin. Shpesh në mënyrë të tërthortë.


Krijimtaria fabulore kërkon talent dhe përkushtim. Duhet të jesh një vrojtues i thellë në kapjen e problemeve aktuale të shoqërisë. Që të përfitojë reflektimin e lexuesve, fabulisti duhet ta sitë mirë “miellin” fabulor që në përzgjedhje të temës, të transmetimit të idesë, të veshjes figurative stilistike. Të shmangë rimat e lehta, foljore a mbiemërore, të jetë konciz, i kursyer në vargje, jo “shumë e për lumë”, siç shprehet populli.



Libri përfshin edhe fabula me tematikë shkollore. Çfarë mesazhesh keni dashur të përcillni përmes tyre te nxënësit dhe mësuesit?


Mesazhet shfaqen natyrshëm e me nota të mprehta humori. Përcillet dashuria për shkollën, dijen, librin, vizatimin, miqësinë, zellin mësimor. Në të njëjtën kohë, thumbohet përtacia, grindja, gënjeshtra, përgjumja, hutesa etj.



Sa ndikim mund të ketë leximi i fabulave në formimin e karakterit të fëmijëve, në zhvillimin e mendimit kritik dhe në mënyrën se si ata kuptojnë marrëdhëniet me të tjerët?


Përrallat dhe fabulat në shekuj kanë ndikuar në formimin e karaktereve njerëzore, veçanërisht të fëmijëve. Ne mahniteshim mbrëmjeve nga përrallat gojore të gjyshërve. Në fëmijërinë time kam lexuar shumë libra me fabula e përralla. Kam qenë në klasë të 6-të, kur në hartimet e mia ndërfusja edhe pak vargje humori nga trillet e moshës. Dëshira e lindur për fabulën bëri që vite më vonë t’i hyja me pasion udhës së vështirë, por të bukur të krijimtarisë fabulore.



Në një kohë kur fëmijët janë gjithnjë e më shumë të përfshirë nga teknologjia dhe përmbajtjet e shpejta digjitale, si mund ta bëjmë letërsinë tërheqëse për ta dhe t'i afrojmë sërish me librin?


Për fat të keq sot fëmijët po “bombardohen” nga telefonët dhe pajisjet e tjera digjitale, çka është e parekomandueshme edhe nga shkenca mjekësore. Jo pak shtete e kanë ndaluar me ligj përdorimin e tyre nëpër shkolla. Edhe prindërit duhet të ndiejnë përgjegjësinë për rrezikun digjital ndaj moshës së brishtë fëminore.


Jo pak shkrimtarë, këngëtarë, piktorë e kanë shfaqur talentin fillestar qysh në bankat e shkollës përmes rretheve të ndryshme letraro-artistike. Edhe unë vetë jam produkt i rrethit të dikurshëm letrar të shkollës.


Disa vite më parë, falë një projekti shtetëror drejtova rrethin letrar me 45 nxënës të pasionuar të tri shkollave të Tiranës, që në nder të akademikut dhe shkrimtarit aq të dashur për fëmijët, e quajta rrethi letrar “Bedri Dedja”. Në fund të 8-mujorit u botua libri i përbashkët me cicërimat e tyre të para.



Çfarë roli duhet të luajë familja në kultivimin e dëshirës për lexim te fëmijët dhe sa e rëndësishme është që prindërit të lexojnë e të diskutojnë me ta mbi mesazhet e librave?


Roli i familjes në kultivimin e dëshirës për lexim te fëmijët është më i qenësishmi. Prindërit duhet të krijojnë dhe të pasurojnë me libra origjinalë e të përkthyer bibliotekat e fëmijëve. Të diskutojnë e të debatojnë mes tyre mbi mesazhet përcjellëse të personazheve.



 A ka qenë i vështirë rrugëtimi juaj në fabul? Si e keni arritur suksesin?


Fillimi në çdo fushë të letërsisë dhe të artit është jo i lehtë. Pas talentit nis puna e vërtetë, e pandërprerë. Kësisoj përvoja përshkallëzohet në ngjitje. Prej mëse 6 dekadash botoj fabula dhe poezi satirike. Janë mbi 120 tituj librash, rreth 11000 fabula. Libra të botuar në 6 gjuhë: shqip, anglisht, frëngjisht, spanjisht, italisht, greqisht. Së fundi, në antologjinë e fabulës europiane, “Europe is not dead”, ku përfshihen 35 fabulistë nga 35 shtete (Ezopi, La Fonten, Kafka etj.), përfaqësoj Shqipërinë me fabulën “Ariu dhe Dhelpra”.


Jam i lumtur që për vitin vijues, librin tim të jetës, përzgjedhjen e plotë me mbi 2000 fabula, të titulluar “Gjirafa dhe rrushtë”, ia kam besuar sërish shtëpisë botuese simpatike “Albas”. 



Fabula dhe satira lidhen shumë me skenën dhe ekranin. Ju keni pasur bashkëpunime në këtë drejtim?


Kam pasur fatmbarësinë të bashkëpunoj me aktorë të shquar të skenës dhe të ekranit, si: Kadri Roshi, Margarita Xhepa, Lazër Filipi, Roland Trebicka etj., të cilët kanë interpretuar mjeshtërisht në filma televizivë pjesë të krijimtarisë sime.


Gjithashtu, para dy vitesh u realizua në Gjirokastër, Tiranë, Paris filmi artistik dygjuhësh (shqip/frëngjisht) “Frymëzime kadareane” me fabula dhe satira në vargje të krijuara prej meje, mbështetur në sarkazmin e fuqishëm në prozë të shkrimtarit Ismail Kadare.



Nëse do t'u drejtonit një mesazh të veçantë nxënësve që do të lexojnë “Mbretin xhuxh”, çfarë do të dëshironit të mbartnin me vete pasi të kenë përfunduar librin?


Të stimulojnë e përthithin brenda vetes virtytet e personazheve njerëz, kafshë, shpendë, insekte etj., si dhe të përçmojnë e të qesëndisin veset njerëzore.

 


© Portali Shkollor - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

129 Lexime
7 orë më parë