Intervistë me Loris Qosen, fitues i Olimpiadës Kombëtare të Matematikës dhe medalist në arenën ndërkombëtare
Një intervistë frymëzuese me Loris Qosen, fitues i Olimpiadës Kombëtare të Matematikës dhe medalist ndërkombëtar. Përtej suksesit, ai ndan rrugëtimin, sfidat, rolin e mësuesit dhe mesazhin për të rinjtë: besimi, puna dhe këmbëngulja janë çelësi i arritjeve.
Në një kohë kur suksesi shpesh matet me shpejtësi dhe dukje, historia e Loris Qoses vjen si një dëshmi e qartë se vlerat e vërteta ndërtohen me durim, përkushtim dhe mbështetje të sinqertë. Fitues i Olimpiadës Kombëtare të Matematikës dhe medalist në arenën ndërkombëtare, Loris nuk është thjesht një emër që ka bërë jehonë në media, por një shembull frymëzimi për të rinjtë shqiptarë.
Pas titujve dhe arritjeve të tij qëndron një djalë i thjeshtë, me këmbë në tokë, që beson se para se të jesh nxënës i mirë, duhet të jesh njeri i mirë. Rrugëtimi i tij nuk ka qenë vetëm një histori suksesi, por edhe një histori sakrificash, pasigurish, besimi dhe, mbi të gjitha, e një marrëdhënieje të rrallë mes mësuesit dhe nxënësit.
Në këtë intervistë për Portalin Shkollor, Loris Qose ndan jo vetëm emocionet e fitoreve dhe përvojën ndërkombëtare në SHBA, por edhe reflektime të sinqerta mbi presionin e pritshmërive, rëndësinë e disiplinës dhe ëndrrat që shkojnë përtej matematikës. Një rrëfim që meriton të lexohet jo vetëm si histori suksesi, por si një thirrje për të besuar më shumë tek potenciali i çdo fëmije.
Loris, përtej titujve dhe medaljeve, kush është Loris Qose si person? Çfarë nuk dimë për ty?
Unë, përveçse jam medalist dhe nxënës i mirë, jam edhe një njeri i thjeshtë dhe i sjellshëm. Mendoj se në fillim duhet të jemi njerëz të mirë dhe pastaj nxënës të mirë. Nuk janë notat 10 ato që na bëjnë njerëz të vlefshëm, por mënyra si sillemi me të tjerët, respekti dhe pozitiviteti që tregojmë çdo ditë. Kjo është një gjë që ndoshta nuk duket shumë nga jashtë.
Kur u bëre “fenomen” në media, a e ndjeve ndonjëherë peshën e pritshmërive që të tjerët vendosën mbi ty? Si e përjetove këtë ndryshim të menjëhershëm?
Më 15 janar u nisëm nga Orlando dhe më 16 arritëm në Shqipëri. Kur erdha në shtëpi dhe hapa telefonin, u çudita shumë nga reagimi i madh. Në çdo rrjet social kishte postime për fitoren time. Në fillim u ndjeva shumë i lumtur dhe krenar, por më pas ndjeva edhe një lloj përgjegjësie, sepse tani duhet ta mbaj atë nivel dhe të mos zhgënjej pritshmëritë e njerëzve.
Matematikën shpesh e shohin si një botë të ftohtë dhe logjike. Për ty, a ka emocione brenda saj? Nëse po, si i përjeton?
Për disa njerëz matematika duket e vështirë dhe pa ndjenja, por për mua është ndryshe. Për mua matematika është si një gjuhë që na shpjegon botën dhe universin. Ajo është kudo në jetën tonë të përditshme, në trupin tonë, në lëvizjet që bëjmë, në shumë gjëra që ndoshta nuk i vëmë re. Unë fillova ta dua matematikën në klasën e 6-të, kur mësuesja më dha ushtrime shtesë dhe më vlerësoi. Ato fjalë më motivuan shumë dhe më shtynë të vazhdoj më tej.
A ka pasur ndonjë moment gjatë garave kur nuk ke qenë i sigurt në veten tënde? Si e menaxhon pasigurinë në një fushë ku kërkohet saktësi absolute?
Po, ka pasur shumë momente kur nuk kam qenë i sigurt, sidomos në fillim kur mora pjesë në olimpiadat e para. Atëherë kisha shumë emocione dhe kjo më prishte përqendrimin. Edhe pas fitores në Amerikë pata një lloj pasigurie, sepse mendoja që nëse nuk arrija rezultate të mira më pas, do të zhgënjeja. Por me kalimin e kohës mësova ta kontrolloj veten, të përqendrohem dhe të rikthej besimin tek vetja.
Historia me mësuesen që të mbështeti deri në atë pikë sa të të paguante biletën është shumë e veçantë. Si e ka ndryshuar kjo për ty mënyrën se si e sheh marrëdhënien mësues-nxënës?
Unë mësuesen nuk e shoh thjesht si një person që vjen në klasë dhe shpjegon mësimin. E shoh si një person shumë të rëndësishëm në jetën time, madje si një idhull. Falë saj jam këtu ku jam sot dhe kam arritur këto rezultate. Ajo për mua është si një nënë e dytë dhe kjo nuk ka ndryshuar as para dhe as pas fitores.
Në një botë ku shumë të rinj ndjekin suksesin e shpejtë, ti ke zgjedhur një rrugë që kërkon durim dhe thellësi. A ndihesh ndonjëherë “ndryshe” nga bashkëmoshatarët e tu?
Po, ndonjëherë ndihem pak ndryshe. Shumë njerëz duan sukses të shpejtë, por unë besoj se suksesi që vjen me kohë është më i fortë. Mund të vonojë, por kur vjen, ka më shumë vlerë. Kështu e shoh edhe fitoren time në Amerikë, si një sukses që erdhi në momentin e duhur dhe pati ndikim të madh.
A ka ndonjë sakrificë personale që nuk duket nga jashtë, por ka qenë thelbësore në rrugëtimin tënd?
Po, ka pasur shumë sakrifica gjatë këtij rrugëtimi. Një nga më të mëdhatë ishte ana financiare për pjesëmarrjen në Olimpiadën Neo Science në Orlando. Shuma ishte shumë e madhe për familjen time dhe nuk ishte e sigurt nëse do të kisha sukses. Por fatmirësisht gjithçka shkoi mirë dhe ia vlejti.
Si e përjetove eksperiencën ndërkombëtare në SHBA, jo vetëm si garë, por si kontakt me një botë tjetër? Çfarë të bëri më shumë përshtypje?
Udhëtimi në SHBA për mua ishte si një ëndërr e bërë realitet. Nuk ishte vetëm garë, por edhe një përvojë shumë e madhe jetësore. Më bëri shumë përshtypje rregulli, pastërtia dhe madhështia e gjithçkaje. Gjithashtu, fakti që vizituam vende si NASA ishte diçka që nuk harrohet lehtë.
Në ato momente kur je përballë një problemi shumë të vështirë dhe nuk gjen zgjidhje, çfarë ndodh brenda teje? Lufton, ndalon, apo e sheh si sfidë personale?
Kur përballem me një problem të vështirë, fillimisht përpiqem të kuptoj të gjitha të dhënat dhe çfarë kërkohet. Pastaj mundohem ta zgjidh me logjikë. Nëse nuk ia dal menjëherë, kaloj te ushtrimet e tjera ose bëj një pushim të shkurtër dhe rikthehem përsëri. E shoh si sfidë dhe mundohem të mos dorëzohem.
A mendon se suksesi yt është më shumë rezultat i talentit apo i disiplinës? Dhe si do ta përkufizoje secilën në jetën tënde?
Mendoj që suksesi është më shumë punë dhe disiplinë sesa talent. Ndoshta 10% është talent dhe 90% është punë. Talenti të ndihmon të fillosh, por vetëm me disiplinë dhe përkushtim mund të arrish rezultate të mëdha dhe të qëndrueshme.
Në gjithë këtë rrugëtim, çfarë ke mësuar për veten që nuk e dije më parë?
Kam mësuar që kam më shumë potencial sesa mendoja. Në fillim nuk e dija që kisha talent në matematikë, por me ndihmën e mësueses dhe me punë të vazhdueshme arrita këtu ku jam sot. Tani besoj më shumë tek vetja.
Nëse do të ktheheshe pas në kohë dhe t’i flisje vetes tënde para se të niste gjithë kjo histori, çfarë do t’i thoshe?
Do t’i thosha vetes që të fillonte më herët dhe të mos humbiste kohë. Ndoshta nëse do të kisha filluar që në klasat e para, do të kisha arritur edhe më shumë. Por gjithsesi jam i kënaqur me rrugën që kam bërë.
Shpesh heronjtë e rinj shihen si “perfektë”. A ka diçka që të frikëson sot, pavarësisht suksesit?
Po, më shqetëson pak e ardhmja në Shqipëri. Do të doja të vazhdoja studimet jashtë, sepse mendoj që ka më shumë mundësi. Besoj që arsimi në Shqipëri duhet të përmirësohet, sepse ne të rinjtë jemi e ardhmja e këtij vendi.
Çfarë ëndrre ke që nuk lidhet fare me matematikën?
Një ëndërr tjetër është shkenca dhe të bëhem shkencëtar për të kontribuar në vendin tim. Një ëndërr tjetër e imja është që të fitoj çmimin Nobel ose Fields në matematikë ose në lëndë të tjera shkencore.
Ta urojmë Loris! E në fund, çfarë mesazhi do t’u jepje të rinjve që ndoshta kanë potencial, por nuk kanë pasur ende dikë që t’u besojë siç të është besuar ty?
Do t’u thosha të mos dorëzohen dhe të besojnë tek vetja. Edhe nëse nuk kanë dikë që t’i mbështesë, duhet të vazhdojnë të punojnë dhe të përpiqen. Me punë dhe këmbëngulje, rezultatet do të vijnë patjetër.
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Fitorja e Dibrës në Konkursin Kombëtar të Gjuhës Shqipe – Bisedë me Marsida Vishka, drejtoreshë e “Selim Alliu”
Mesazhet më të bukura të nxënësve shqiptar për Ditën e Tokës në Portalin Shkollor
Orë digjitale në lëndën Qytetari X