Intervistë për Portalin Shkollor/ Ermal Hasimja: “Studentët kërkojnë ndryshimin e sistemit, jo thjesht të emrave”
Drejtuesi i Forumit të Dialogut Politik, Prof. Ermal Hasimja, flet për Portalin Shkollor mbi protestat e studentëve, reagimin e qeverisë dhe rolin e pedagogëve në mbështetje të të rinjve. “Pse është i rëndësishëm angazhimi i studentëve dhe çfarë duhet të ndryshojë që zëri i tyre të dëgjohet?“.
Protestat e studentëve në Tiranë kanë sjellë në vëmendje jo vetëm kërkesat e të rinjve, por edhe reagimin e institucioneve dhe qëndrimin e komunitetit akademik ndaj tyre. Në një moment kur studentët po kërkojnë të dëgjohen, më shumë se 1.600 pedagogë i janë bashkuar një peticioni në mbështetje të tyre, të nxitur nga Forumi i Dialogut Politik, i drejtuar nga Prof. Ermal Hasimja.
Në këtë intervistë për Portalin Shkollor, Hasimja flet për shqetësimet që shoqërojnë protestat, reagimin e qeverisë dhe rolin që duhet të luajnë pedagogët në këtë situatë. Ai e sheh angazhimin e të rinjve në çështjet publike si një zhvillim të rëndësishëm për demokracinë, ndërsa thekson se mbështetja e pedagogëve duhet të jetë në shërbim të studentëve, pa ua zënë atyre vendin. Sipas tij, sfida nuk është vetëm të dëgjohen kërkesat e të rinjve, por të krijohen kushtet që ata të besojnë se zëri i tyre mund të sjellë ndryshim.
Intervistoi: Nanila Allkja Biçaku
Profesor, çfarë ju shqetëson më shumë në situatën që po kalojnë sot studentët?
Është një brez që ka vendosur të angazhohet fuqishëm në cëshjet publike e politike. E kemi ëndërruar këtë ditë, sepse deri më sot ky brez ka qenë i heshtur e indiferent ndaj politikës.
Aktualisht më shqetëson dhuna që ushtrohet ndaj tyre si dhe sulmet e kryeministrit. Nga ana tjetër këto të dyja po kalisin një brez që do të jetë shumë më aktiv se brezi aktual dhe ky është një lajm shumë i mirë për demokracinë shqiptare.
Pse mendoni se ka ardhur deri te kjo përplasje dhe çfarë duhet të bëjnë institucionet për ta zgjidhur?
Studentët dhe të rinjtë pasqyrojnë në protestë revoltën e vet, por edhe të prindërve të tyre. Janë bërë zëdhënës të të gjithë shoqërisë. Përplasja ndodhi sepse protestës së tyre paqësore qeveria iu përgjigj me tallje, injorim dhe sulme verbale.
Si e shpjegoni heshtjen e një pjese të komunitetit akademik përballë asaj që po ndodh?
Me nismën e Forumit të Dialogut një peticion në mbështetje të studentëve u nënshkrua nga rreth 1.600 pedagogë. Pedagogët dolën hapur në protestë kundër dhunës ndaj studentëve dhe në përkrahje të kërkesës së tyre për dorëheqjen e kryeministrit dhe qeverisë. Një pjesë e akademikëve mund të kenë heshtur sepse nuk duan të prishin rehatin e tyre ose sepse ndihen të frikësuar nga një reagim i mundshëm i autoriteteve universitare që sot kontrollohen nga qeveria. Por mbetet fakti se dje pas peticionit bulevardi përpara ministrisë u mbush plot me pedagogë në mbrojtje të studentëve.
Përtej deklaratave, si mund t'i mbështesin konkretisht pedagogët studentët e tyre?
Mbështetja erdhi edhe në formën e e bojkotit të kërkuar nga sindikata. Peticioni bëri punën e vet njësoj si edhe protesta e djashme dhe e sotme. Një pjesë e pedagogëve, sic janë ata të Forumit ku bëj pjesë janë vazhdimisht në media në mbështetje të protestës.
Por pedagogët nuk janë në shesh për të marrë skenën apo protagonizmin. Protesta udhëhiqet nga studentët. Pedagogët janë në mbështetje të tyre.
Çfarë mesazhi keni për studentët që sot ndihen të frikësuar apo të zhgënjyer nga institucionet?
Studentët nuk duhet të frikësohen. Duhet të vazhdojnë protestën, ta mbajnë të pastër nga provokimet dhe ta hapur ndaj shtresave të tjera që kanë të njëjtin qëndrim dhe kërkesa.
Çfarë duhet të ndryshojë që të rinjtë të ndihen të dëgjuar dhe të besojnë se zëri i tyre mund të sjellë ndryshim?
Duhet të ndryshojë sistemi, jo thjesht emrat. Duhet një sistem ku emri i kryeministrit të mos ketë rëndësi, sepse sistemi është garancia e funksionimit të tij. Forumi i Dialogut sapo prezantoi një platformë të plotë për këtë.
© Portali Shkollor - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Etika nën presion/ Gazetarja Marieta Mërkuri: Si e deformon mesatarja arsimin dhe çfarë duhet ndryshuar?
Drejtoresha Anila Çota rrëfen rrugëtimin e shkollës “Qamil Guranjaku” si fituese e vendit të dytë në Konkursin e Gjuhës Shqipe
Si të bëhesh oficer sigurie në shkolla? Eksperti i arsimit, Fiqiri Çifliku: Ja procedurat, kriteret dhe ndryshimet në VKM nr. 600