Opinion

“Ju shkruaj në errësirë”, Jean-Luc Seigle

Përse “Ju shkruaj në errësirë”? Sepse personazhi kryesor, Polina Dybyison, shkruan në errësirën e mendimeve të saj. Ajo guxon që të rrëfejë të vërteta, që s’mund t’i thotë dot me zë.

“Një libër që të bën të ndalosh, të mendosh dhe që mbart një mesazh të fortë. Një libër që kërkon një vëmendje të skajshme për ta lexuar, por që të lë gjurmë në mendje”, ja kështu u thashë përkthyesve Rina Çela Grasset dhe Luan Rama, kur më pyetën se çfarë përshtypje më la ky botim, ndër të shumtat botime të fundit të Albas-it


Përse “Ju shkruaj në errësirë”? Sepse personazhi kryesor, Polina Dybyison, shkruan në errësirën e mendimeve të saj.  Ajo guxon që të rrëfejë të vërteta, që s’mund t’i thotë dot me zë. Të vërteta që askush nuk do ta besonte se mund t’i kenë ndodhur një njeriu të vetëm, për më tepër një fëmije-grua. Janë mendime-hije, që kanë veshur krejt trupin dhe gjithë ekzistencën e saj. Janë mendime që i kanë vrarë dëshirën për të jetuar... Ajo mendon se, nëse i shkruan të vërtetat, ndoshta të tjerët do harrojnë që ta gjykojnë. Ata, dëshmitarët. Ajo beson, deri në minutën e fundit, se e vërteta do mund të rehabilitojë gjithë jetën e saj. 


Kush ishte ishte Polina Dybyison? 

Në moshën njëzetenjëvjeçare, fajtore, ajo burgoset, në vend që të përfundonte studimet e mjekësisë. Tre vjet më vonë, më 1953, ajo doli para Gjykatës së Krimeve. Dëshmitarët që folën rreth figurës morale të saj, treguan se ajo gjithashtu ishte qethur pas Çlirimit, edhe pse harruan të thonë se atëherë ishte veçse gjashtëmbëdhjetë vjeçe e gjysmë. Këto janë faktet, dhe janë të pakundërshtueshme.


Biografët u mjaftuan vetëm me këtë kohë për të shkruar historinë e jetës së saj. U duk sikur ata ranë dakord mes tyre që ta fajësonin, duke e dënuar edhe një herë me fjalën e shkruar. 


Por a patën të drejtë ata që ta gjykonin, pa dëgjuar më parë zërin e saj të brendshëm? Pa ditur të vërtetën, që vetëm ajo e njihte? 

Polina Dybyison, kjo grua që vuajti për gjatë gjithë jetës për shkak të një krimi dashurie, që u mohua nga shoqëria, u përbuz dhe u damkos nga opinioni, përfaqëson, dhe jo vetëm për kohën e saj, shembullin e gjallë të gruas së shkatërruar, dhunuar dhe të përçmuar.

Edhe pse errësira në mendjen e saj ia ka mpirë ëndrrat, ia ka vrarë shpresat, ajo gjen kurajën brenda vetes që të rrëfejë historinë e saj. 


Dhe fillon të shkruajë në fletore...

Polina e ka të vështirë ta nisë rrëfimin që nga fëmijëria, sepse kujtimet për gjithçka i ndodhi në qeli dhe në nëntë vjetët e burgosur, i janë ngjizur në çdo qelizë të trupit. Jo rastësisht ajo mendon se kuptimi i fjalëve qeli-qelizë lidhet me origjinën e jetës. Ndaj edhe rrëfimin e saj e fillon nga procesi gjyqësor, ai çasti kulm që s’di si ta quash. Ta quash një fund apo një fillim të vuajtjeve të saj?! 


Është koha kur ajo ndihej si një kufomë, së cilës ekspertët, psikiatrit, dëshmitarët, avokatët, gjyqtarët i bënin autopsi. Asnjë përpjekje nuk u bë prej tyre që të kërkonin te Polina bukurinë, virtytet, idealet, dashurinë, sinqeritetin, të mirën. Ata u përpoqën, aq shumë, që ta fajësonin.


Në shënimet e Polinës, kujtimet vijnë të copëzuara, herë-herë në retrospektivë, por në një rrjedhë logjike. Gjithçka që i ndodh duket sikur ka një lidhje të parashkruar me atë që po ndodhte brenda dhe jashtë shtëpisë së saj: lidhja e veçantë që ajo kishte me babanë, forca dhe brishtësia e nënës së saj, lufta që u mori jetën dy vëllezërve të saj. Të gjitha këto rrethana e penguan Polinën që të jetojë një adoleshencë normale dhe të plotësojë ëndrrat e saj. 


Gjithë kohën që asaj i nevojitej të arsimohej, iu desh që ta kalonte në qeli. Atje ajo u dashurua deri në çmenduri me Karavaxhion, Botiçelin, De Kirikon, Miron, Pikason, Bruegelin, Da Vinçin, Ernestin dhe De Staelin, pa parë asnjëherë një pikturë të vetme tyren. Në qeli ajo lexoi për të disatën herë “Komedinë Njerëzore”, “Krim dhe ndëshkim”, “Lettera Amorosa”, libra që i ruajti me fanatizëm deri në fund të jetës. 


Dhe gjithë ai formim dhe bukuri fjalësh i shërbeu vetëm për një arsye: për të rrëfyer poshtërimin që iu bë në publik, se si e qethën si një kafshë mjerane, se si ia damkosën kryqet naziste në lëkurë, se si e përdhunuan aq numra meshkujsh, sa ajo s’i numëronte dot më në atë qeli-kafaz, se si e shndërruan në një kufomë në atë proces të gjatë gjyqësor, se si e fajësuan për një krim të kryer pa dashje. 


Një kalvar i tërë ndodhish, që ia mpinë dëshirën për të gjetur ekuilibrin brenda vetes, por jo ndjenjat. 

Polina ende besonte dhe ëndërronte se dashuria mund t’ia ndryshonte jetën. Ajo mendoi, ndoshta, se ky rrëfim i shkruar do të ishte prova më e madhe e dashurisë së saj. Prova se ajo donte të vazhdonte jetën pa gënjeshtra. Prova se pushteti i së vërtetës është më i madh sesa gjykimi dhe paragjykimi.  Prova se lufta me hijet e së kaluarës po përfundonte. 

Por a ia doli Polina Dybyison të kthejë rrjedhën e FATIT? 


Një histori rrëqethëse, një e vërtetë e paimagjinueshme dhe e pabesueshme. 

Një meritë për mënyrën se si ky libër vjen në gjuhën shqipe, për të sjellë çdo ndjesi dhe emocion të personazhit, njëkohësisht duke i qëndruar besnik stilit të autorit, u takon edhe dy përkthyesve të librit. Përcjell për ta një vlerësim të admirueshëm. Falë tyre dhe shtëpisë botuese Albas, sot lexuesi ka një botim që do t’u mbetet gjatë në mendje dhe në bibliotekë. 


Romani ka marrë çmimin e publikut në vitin 2016, çmim i organizuar nga revista “Elle”.


(Artemisa Bushi, Portali Shkollor)

2,361 Lexime
6 vjet më parë