Katër ministri bashkojnë forcat për sigurinë dhe mirëqenien e fëmijëve në shkolla

Katër ministri bashkojnë forcat për sigurinë dhe mirëqenien e fëmijëve në shkolla. Paketa e re kombëtare parashikon masa për mbrojtjen brenda dhe jashtë ambienteve shkollore, kujdesin shëndetësor, sigurinë ushqimore dhe parandalimin e rreziqeve për nxënësit.

Katër ministri do të bashkërendojnë punën për sigurinë dhe mirëqenien e fëmijëve, në kuadër të Paketës Kombëtare të Sigurisë në Shkolla, të prezantuar të martën në Kamëz.


Paketa përfshin sigurinë brenda dhe jashtë ambienteve shkollore, kujdesin shëndetësor dhe sigurinë ushqimore, duke ndarë përgjegjësitë mes Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Arsimit, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale dhe Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.


Policia e Shtetit do të angazhohet për mbrojtjen e fëmijëve dhe sigurinë rreth shkollave, ndërsa Ministria e Arsimit do të mbulojë mirëqenien dhe sigurinë brenda tyre.


Shëndetësia do të ketë përgjegjësi për kujdesin dhe mirëqenien e nxënësve, ndërsa Ministria e Bujqësisë për sigurinë ushqimore.


Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, e vendosi theksin te roli i oficerëve të sigurisë, psikologëve dhe punonjësve socialë.


“Oficeri i sigurisë është një nga figurat kyçe brenda shkollës, që tregon se në politikëbërje i japim vëmendje qetësisë dhe sigurisë së fëmijëve”, tha Kumbaro.


Sipas saj, institucionet nuk mund ta përballojnë të veçuara garantimin e sigurisë.


“Nuk ia dalim dot vetëm. Ne jemi katër ministra ku, pas një pune shumë të gjatë, po ndajmë së bashku detyrat e ministrive për të ofruar një mjedis sa më të shëndetshëm dhe të sigurt për shkollën”, deklaroi ajo.


Ministri i Brendshëm, Ervin Demo, tha se synimi është krijimi i një sistemi mbrojtjeje “360 gradë” për fëmijët, duke paralajmëruar zero tolerancë ndaj çdo veprimi që cenon sigurinë e tyre.


“Ka zero tolerancë dhe është vija më e kuqe e mundshme që Policia e Shtetit tashmë ka vendosur”, tha Demo për sigurinë e fëmijëve në ambientet shkollore.


Paketa parashikon gjithashtu forcimin e parandalimit përmes bashkëpunimit mes policisë, oficerëve të sigurisë, psikologëve, mësuesve dhe prindërve, me synimin që fenomenet që mund të rrezikojnë nxënësit të identifikohen në kohë.



© Portali Shkollor - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

97 Lexime
3 orë më parë