Çantat e nxënësve

Kërkoj një vend për të vendosur çantën!

Nxënësit nuk kanë ku të vendosin çantat e tyre, kështu ata i vendosin mes rreshtave në klasë, ose ndajnë karrigen me çantën! Mësues, a ju ka ndodhur të pengoheni në çantat e nxënësve?

Të gjithë që kemi fëmijë në shkollë apo shohim fëmijë që shkojnë në shkollë kemi parë evoluimin e çantave të librave. Ato zmadhohen përherë e më shumë. Ca në kurriz e ca duke i tërhequr me rrota, a thua se po shkojnë në aeroport,  e në shumicën e rasteve duke i mbajnë vetë prindërit, pasi çantat peshojnë shume për kurrizin e brishtë të fëmijëve. Por a e keni pyetur ndonjëherë  veten, se ku i mbajnë nxënësit këto çanta pasi hyjnë në klasë? Ndërkohë që forma dhe madhësia e çantave ka evoluar, bankat e dikurshme janë zëvendësuan me tavolina shumë të ngjashme me to të papërshtatshme për këto çanta.

Puna ma do që të hyj çdo ditë në klasa të ndryshme dhe pamja është pak a shumë e njëjtë me fotot që kam sjellë për ilustrim. Pas orës së parë apo të dytë çantat përfundojnë mes rreshtave duke vështirësuar ecjen e mësueses në klasë. Koleget e mia që punojnë në arsimin fillor do jenë duke buzëqeshur tani që lexojnë këto rreshta, pasi secila do ketë “rrezikuar”  për t’u rrëzuar të paktën një herë. Në rastin më të mirë, çantat vihen në karrige, aty ku ulen dhe fëmijët duke bërë që për 4 apo 5 orë mësimi, nxënësit rrinë si në gjemba, nuk mbështeten në ndenjësen e karriges duke dëmtuar kështu nxënësit, veçanërisht ata më të vegjlit. Fotot flasin vetë. 

Dikur tavolinat kishin në pjesët anësore ca mbajtëse hekuri, për të mbajtur çantën, por me kalimin e viteve tavolinat që sollën nëpër shkolla nuk e patën më këtë opsion. Nuk dua të ndaloj se pse e kush e ka fajin për këtë, por mendoj se të gjithë ne: mësues, drejtues, prindër dhe kush i ndërton këto tavolina apo kush i tenderon, duhet të mendojmë për këtë gjë të vogël në dukje, por shumë të rëndësishme në mirërritjen e fëmijëve dhe në mbarëvajtjen e mësimit. 

(Nga Drita Kolndreu, Portali Shkollor)

5,092 Lexime
6 vjet më parë