Sukses shqiptar

Këta janë studentët shqiptar të cilët dolën të parët në universitetin elitar të Turqisë

Nuk është e thjeshtë të jesh një studentë ekselentë, ata kanë disa cilësi të cilat të rinjtë e sotëm mund të marrin shembull! Emiljano, Bianka, Sigela, Alueda, Arlindi, Xhoela, Alketi, Geraldi dhe Leonardi janë treguar të gatshëm të na rrëfejnë për suksesin e tyre mbizotërues të studimeve.

Ata janë të rinj, me plot ëndrra dhe veçanërisht të zgjuar e me gjak shqiptar. Të frymëzojnë padyshim! 

Ju njohim më nga afër me studentët shqiptarë të cilët janë renditur të parët me rezultatet më të larta mes 40 mijë studentëve të tjerë për vitin akademik 2019-2020, në Universitetin Teknik të Turqisë.


Prej disa javësh emrat e tyre pushtuan mediat dhe rrjetet sociale me suksesin e arritur, por ne sot sjellim pak më afër historinë e këtyre të rinjve shqiptar të cilët na bënë të ndihemi krenar, teksa ata kanë folur për urimet emocionuese të asaj dite, se si kanë arritur të kenë mesatare aq të lartë studimesh, puna që iu është dashur për të arritur deri këtu ku janë, sakrificat; kanë folur për këndvështrimet e tyre se çfarë e bën një studentë cilësor, pse zgjodhën të studiojnë në Turqi dhe pikërisht në degën që kanë shkëlqyer, a ka qenë ajo ëndrra e tyre e vjetër, kush i ka mbështetur? Por ata i kanë dhënë përgjigje edhe pyetjeve që lidhen me të qenit i huaj në një vend të huaj, ndoshta xhelozitë që mund të kenë ndeshur përgjatë rrugës së tyre. Ata ja dedikojnë një zëri familjes suksesin që kanë arritur dhe u japin mesazhe tepër të fuqishme të rinjve shqiptar dhe jo vetëm! E natyrshëm na lind pyetja, a do të kthehen ata të japin kontributin e tyre në Shqipëri? Ja se çfarë ka rrëfyer secili prej tyre...



Emiljano Mëhillaj

Emiljano Mëhillaj, renditur në vendin e parë Inxhinieri Elektronike dhe Telekomunikacioni ITU


U ndjeva krenar dhe i shpërblyer për punën që kam bërë gjatë universitetit kur pashë emrin tim të listuar. Pa diskutim, ishte një kënaqësi e veçante ndarja e vendit të parë me tre shoqet e mia. Duke parë dhe përkushtimin e tyre në arritjen e këtij rezultati përfundimtar, u gëzova që pashë këto emra të rankuar bashka me emrin tim. E veçanta e të diplomuarve të këtij viti akademik në Universitetin Teknik të Stambollit ishte se studentet e huaj kryesonin listën e 10 studenteve më të mirë. Ndihem i privilegjuar që të kem qenë një ndër shqiptarët që ishin pjesë e listës. Në këto kohë, kam marrë padyshim shumë urime si nga miq ashtu dhe nga të panjohur. Ndër këto, veçoj urimet e familjes, pasi ata më kanë dhëne mbështetje gjatë gjithë rrugës time akademike dhe kanë parë vështirësitë që kam kaluar si student. Kur i gjithë ky përkushtim u ezaurua me rezultatin përfundimtar, ishte shumë e veçante të merrje urimet e tyre. Të studiosh në Universitetin Teknik të Stambollit kërkon padyshim shumë vullnet dhe përkushtim. Ashtu si dhe studentët e tjerë të këtij universiteti kam investuar kohë për të arritur mesataren përfundimtare.  Të jesh një student i mire do të thotë pikë së pari të përkushtohesh te studimet. Gjithashtu, mendoj se një student i mire nuk dorëzohet nëse merr një rezultat jo te kënaqshëm, por mendon se si mundet ta përmirësoje atë. Për më tepër, të qenit një student i suksesshëm përfshin padyshim të pasurit e objektivave të qarta në mendje. Në një vend si Turqia, ku mikpritja ndaj shqiptareve nuk mungon, nuk jam ndjere asnjëherë i diferencuar. Ndaj, kur u bë shpallja e rezultatit përfundimtar nuk kam vëne re “xhelozi” nga ana e studenteve të tjerë të universitetit. Pas ofrimit të një burse nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinise vendosa të studioj në Universitetin Teknik të Stambollit. Dega aktuale e studimit, Inxhinieria Elektronike ka qenë gjithmonë e preferuara ime. Por duke qenë se kam pasur pasion dhe për lënde të tjera që nuk kanë lidhje të drejtpërdrejtë me degën time të Bachelorit, kam pasur synimin tim fillestar që të specializohesha me anë të një Masteri ndërdisiplinor. Për ketë arsye kam vendosur të vazhdoj më tej studimet për Inxhinieri Biomedikale. Bachelori ishte në pikëpamjen time hapi i parë për realizimin e ëndrrës time. Sigurisht që familja më ka mbështetur në çdo hap që kam ndjekur gjatë studimeve dhe jo vetëm. Përveç familjes, duke qenë se në Stamboll ndodhesha në një ambient ku kishte shumë shqiptare, ka qenë gjithmonë më e lehtë të përballoja vështirësitë që hasja në universitet. Sigurisht që dëshiroj që të kthehem në Shqipëri dhe të jap kontributin tim në zhvillimin e vendit. Dëshiroj që nga përvoja e fituar në Zvicër, të përfitojnë dhe bashkatdhetarët e mi. Ja dedikoj suksesin e deritanishëm familjes time për mbështetjen që më kanë dhënë gjatë viteve të formimit tim arsimor. 

Ëndrra ime është që Shqipëria të zhvillohet në të ardhmen. Shpresoj që ketë ëndërr ta ndaj me shumë të rinj të tjerë. 

Mendoj se me kontributin e shumë të rinjve që studiojnë brenda dhe jashtë vendit, Shqipëria mund të bëhet një vend me standarde të larta. E vetmja gjë që na mbetet neve si rini, është ti përkufizojmë këto standarde. Këshilla ime ndaj të rinjve që ndodhen në ketë situatë si unë është që të përpiqen të zhvillojnë aftësitë e tyre. Pasi kanë fituar dhe eksperiencë në fushat përkatëse, do të ishte ideal kthimi në atdhe. Në këtë mënyrë mund të bëjmë realitet ëndrrën për një Shqipëri më të mirë. 





Bianka Pajo

Bianka Pajo, renditur në vendin e parë në degën Inxhinieri Ndërtimi ITU


Ishte një vlerësim i jashtëzakonshëm, një emocion i veçantë dhe mbi të gjitha shpërblim për katër vite punë plot pasion në degën që unë doja. Urimet kanë qenë të shumta, por më të bukurit më kanë ardhur prej shqiptarëve të cilët e konsideronin një arritje të madhe dhe shpreheshin që i kisha bërë të ndiheshin krenarë. Për mua gjithashtu ishte një nder i veçantë i suksesit së bashku me shokët e mi dhe është kënaqësi e papërshkrueshme kur marrim mirënjohje nga bashkatdhetarët tanë. Çelësi i suksesit në një universitet teknik nuk është vetëm talenti, por puna konstante dhe përkushtimi maksimal. Universiteti ka pasur shumë studentë të shkëlqyer, konkurrenca ka qenë e madhe dhe jam impenjuar maksimalisht për të arritur më të mirën. Një student nuk cilësohet i mirë vetëm në sajë të rezultateve dhe suksesit akademik. Një student i mirë është ai që i përkushtohet maksimalisht studimeve dhe jep më të mirën nga vetja, ai i cili nuk rresht së ndërmarri sfida të reja, ka qëllime konkrete për veten dhe di të balancojë shkollën dhe angazhimet personale. Të qenurit e huaj në Turqi ka qenë një eksperiencë shumë pozitive dhe personalisht mendoj që ngjashmëria kulturore na ka bërë të përshtatemi shumë mirë me mjedisin, si në kampus dhe jashtë saj. Pjesa më e madhe e studentëve në departament kanë qenë gjithmonë dashamirës dhe bashkëpunues dhe në rastin konkret kam marrë shumë urime. Në përfundim të shkollës së mesme, falë rezultateve të maturës shtetërore, më është ofruar Bursa e Ekselencës nga qeveria shqiptare për të vazhduar studimet në Universitetin Teknik të Stambollit. Çdo student synon të studioje në universitetet më te mira në botë dhe unë e pashë Universitetin Teknik të Stambollit si investimin më të mirë drejt formimit tim profesional dhe suksesit në të ardhmen. Gjatë gjithë jetës sime kam qenë e apasionuar në shumë fusha dhe nuk mund të them që kam pasur një ëndërr të vjetër për të ardhmen time. Inxhinieria e Ndërtimit ka qenë një midis shumë të tjerave. Të studiuarit në një shtet tjetër vjen me shumë sfida. Krahas ngarkesës së madhe psikologjike që vjen si pasojë e programit akademik, të duhet gjithashtu të përballesh me shumë aspekte të tjera të jetës i vetëm. Në shumë momente kur më është dukur sikur nuk do t'ja dilja , kanë qenë prindërit e mi ata që gjithmonë më kanë mbështetur, këshilluar dhe kanë qenë pranë meje gjatë sfidave më të rëndësishme. Në këto momente synimi im kryesor është të punoj fort për të mundësuar formimin tim profesional dhe akademik tek Purdue University në SHBA, ku më është ofruar burse dy-vjeçare studimi. 

Dëshira për t'u kthyer në Shqipëri, për të dhënë kontributin tim dhe për të ushtruar profesionin është e madhe dhe shpresoj që në një të ardhme pse jo. Suksesin tim ja dedikoj prindërve të mi. 


Kanë qenë ata që më kanë mësuar që e vogël punën sistematike, përkushtimin maksimal dhe që të kërkoj më të mirën nga vetja. Si shumë familje shqiptare, kanë bërë sakrifica maksimale për edukimin tim dhe kanë qenë suporti më i madh gjatë çdo hapi të formimit tim intelektual. Të rinjve shqiptar do u thosha që të ndjekin gjithmonë ëndrrat e tyre dhe të punojnë fort për t'i realizuar ato! Të mos i mungoje asnjëherë besimi te vetja dhe të mos tërhiqen ndaj vështirësive dhe sfidave të reja. Asnjëherë të mos kënaqen me sa arrijnë dhe gjithmonë të përpiqen maksimalisht të përmirësojnë veten në çdo aspekt. Gjithashtu, krahas formimit profesional të shijojnë maksimalisht jetën studentore, aq të bukur dhe të pakthyeshme. 



Sigela Muharremi

Sigela Muharremi, renditur në vendin e parë në degën e Ekonomisë ITU


Ishte emocion i veçantë për mua të renditur si e para duke qenë se ITU është një universitet prestigjoz dhe me një numër të madh studentësh. Mund të them që urimet më të bukura i kam marrë nga profesorët e mi. Nuk ka ndjesi më të bukur se sa të dëgjosh nga ata fjalë si: “Një sukses plotësisht i merituar” apo “Mezi po presim të shohim suksesin tënd të rradhës”.  Më është dashur shumë përkushtim dhe punë sistematike. Ja vlen të shtoj që gjithmonë e kam pëlqyer degën e Ekonomisë dhe kam qenë gjithmonë e motivuar që të mësoj më shumë rreth kësaj fushe, të jem pjesë e kërkimeve shkencore apo praktikave në institucione të ndryshme, të cilat më kanë ndihmuar akoma dhe më shumë të arrij këtë rezultat. Një student i mirë është një student i përgjegjshëm, sistematik, që di të menaxhojë mirë kohën dhe ka gjithmonë një plan se si do t'i organizojë detyrat dhe “të mësuarit” në mënyrë që të ketë sukses në provimet apo projektet e shkollës. Nuk kam pas asnjëherë diferencim nga profesorët në rastin tim, gjë që më ka bërë të ndihem shumë mirë. Vështirësitë më të mëdha kanë qenë në vitin e parë pasi mosnjohja e gjuhës është gjithmonë një barrierë. Dhe po, kam vënë re xhelozi te disa student, nga të cilët ende nuk kam marrë asnjë urim. Arsyeja pse vazhdova studimet në Turqi ishte sepse m'u ofrua bursë nga Ministria e Arsimit bazuar në rezultatet e larta të maturës shtetërore. Siç e përmenda dhe më lart, gjithmonë e kam pëlqyer degën e ekonomiks-it dhe mund të them që nuk do ta shihja veten në një degë tjetër. Padyshim familja ime më ka mbështetur dhe sidomos babi. Ai më ka mbështetur dhe shtyrë që të vazhdoja studimet në Turqi që në momentin e parë që më është ofruar bursa.  Synimi im kryesor sidomos në vitin e fundit të studimeve bachelor ka qenë të pranohesha në një program të mirë master-i, që do të më ndihmonte të thelloja njohuritë e mia dhe të kuptoja më mirë se çfarë rruge do të dëshiroja të ndiqja në të ardhmen: atë akademike apo profesionale. Kështu që për momentin do të vazhdoj studimet në Universitetin e Torontos në Kanada. Padyshim që gjithmonë ka qenë në mendjen dhe planet e mia kthimi në Shqipëri për të dhënë kontributin tim. Dhe pse tani kthimin në Shqipëri e shikoj në një të ardhme të largët, do të isha gjithmonë e lumtur dhe e gatshme ta bëja! Suksesin tim ja dedikoj familjes, familjes dhe vetëm familjes sime! Shtysa dhe mbështetja e përhershme nga prindërit e mi ka qenë burim force, ambicie dhe motivimi për mua. Që vogël ata kanë kërkuar shumë nga unë dhe më kanë shtyrë gjithmonë që të bëhesha një version më i mirë i vetes sime. Kështu që, arritjet e mia i kam parë gjithmonë si arritjen e tyre njëkohësisht. Të rinjve do u thosha ta sprovojnë veten sa më shumë, të mos kenë frik të ndërmarrin hapa të mëdhenj dhe të jenë të hapur ndaj çdo mundësie! 

Në një moment apo tjetër çdo njeri përballet me pasigurinë dhe frikën. Kështu që këshilla ime do të ishte të mos i lejojnë ato ti pengojnë të bëjnë gjërat që ëndërrojnë dhe më e rëndësishmja të mos i lejojnë t'i pengojnë të njohin veten dhe aftësitë e tyre!



Alueda Kuka

Alueda Kuka, renditur në vendin e parë në degën Ekonomiks ITU


Gjithmonë të vlerësohesh për një punë të cilës i je dedikuar dhe ke dhënë përkushtimin maksimal është një kënaqësi e papërshkrueshme. Fakti që Universiteti Teknik i Stambollit është renditur gjithmonë ndër shkollat më të mira të Turqisë e përforcon emocionin dhe rëndësinë e të qenurit studente ekselence. Jam shume e lumtur për arritjen, jo vetëm timen, por edhe të studentëve të tjerë shqiptarë që kanë dhëne maksimumin dhe kanë shkëlqyer në këtë universitet. Urimet kanë qenë të shumta dhe të veçanta, ndaj e kam të vështirë të diferencoj njërin prej tyre. Gjithsesi do veçoja urimin nga anëtarët e familjes, të cilët me lot në sy më kanë shprehur se ndihen shumë krenarë për mua. Padyshim nuk është e lehtë të jesh studentja më e mirë në një universitet “top” siç është ITU. Punë e palodhur, përkushtim, vullnet dhe dëshirë për të mësuar besoj që janë pikat kryesore për të arritur rezultate shumë të mira. Një ndër parimet e mia është të bëj në jetë gjërat që me të vërtetë më pëlqejnë dhe i kam pasion. Ndaj dhe dëshira për të vazhduar degën Economics më ka nxitur të punoj fort dhe të arrij rezultate të shkëlqyera.  Mendoj që të jesh një student i mirë do të thotë t’i përkushtohesh të mësuarit e kurrikulës shkollore, por jo vetëm. Të zgjerosh njohuritë mbi degën nëpërmjet burimeve të ndryshme të informacionit, pjesëmarrja në aktivitete të ndryshme, si për shembull projekte jashtë kurrikulës, praktika pune në sektorë të ndryshëm, janë të rëndësishme për të kuptuar më thellësisht teorinë e mësuar në bankat e shkollës. Një student i mirë studion në mënyrë të rregullt, dhe siç e përmenda më lart, ka dëshirë dhe vullnet për të mësuar dhe punuar. Vështirësitë si një studente shqiptare në Turqi kanë qenë të shumta në aspekte të ndryshme, por mund të them që mirëpritja i ka tejkaluar peripecitë, kjo vlen si nga ana e studentëve të tjerë, ashtu dhe ajo e stafit akademik. Nuk mund të them që vura re xhelozi, përkundrazi, reagimet e tyre pasi u shpalla studentja më e mirë në ITU kanë qenë shumë të mira me urime nga më të shumëllojshmet.  Sistemi i edukimit në Turqi është vlerësuar gjithmonë pozitivisht dhe si i tillë më është dukur gjithnjë tërheqëse të vazhdoj studimet atje. Shkaku kryesor i vazhdimit të studimeve në Universitetin Teknik të Stambollit ishte ofrimi i bursës së ekselencës nga shteti shqiptar si pasojë e rezultateve të shkëlqyera në gjimnazin “Qemal Stafa”. Dega që sapo përfundova është Economics, një degë e cila ka qenë gjithmonë në preferencat e mia te para. Padyshim familja ka qenë gjithmonë krahu im i djathtë. Është ajo që më ka mbështetur në udhëtimin tim katërvjeçar, por jo vetëm. Veçanërisht i jam mirënjohëse prindërve që kanë bërë gjithnjë të pamundurën të krijojnë gjithë kushtet e favorshme me qëllim që unë të përfundoj me sukses rrugën universitare. Mbështetje shumë të madhe kam marrë padyshim nga shoqëria e krijuar në ITU, e cila u kthye në një familje të dytë. Do doja të thoja që eksperienca që kam kaluar në Universitetin Teknik të Stambollit do të mbetet në memorien time si periudha më e bukur e jetës. Është emocionues fakti që shqiptarët kanë shkëlqyer gjithmonë në universitetet ndërkombëtare dhe njëjtë ndodhi dhe në ITU, ku 8 nga 10 studentët më të mirë ishin shqiptarë. Sërish, dua t’i uroj të gjithë ata për arritjet e tyre të jashtëzakonshme.

Synimet e mia për të ardhmen konsistojnë në kryerjen e studimeve Master në Evropë dhe më pas doktoraturën. Sigurisht, në përfundim të studimeve kam dëshirë të kthehem dhe të jap kontributin tim në vendin e lindjes. 

Do motivoja të gjithë të rinjtë të fokusohen në studimet e tyre, të ndjekin ëndrrat dhe pasionet që kanë dhe të bëhen të zotë në drejtimet ku ato ndihen të talentuar. Shkolla është një investim, është një pasuri, të korrat e të cilës do mblidhen gjatë gjithë jetës. Asnjëherë mos u dorëzoni, dhe mos u demoralizoni nga humbjet: çdo humbje përmban një mësim që do t’ju bëjë më të fortë në të ardhmen. 



Arlind Billa

Arlind Billa, renditur në vendin e dytë në degën Inxhinieri Elektronike dhe Telekomunikacioni ITU


Të vlerësohesha si një ndër studentët më të mirë të Universitetit Teknik te Stambollit padyshim që më bëri të ndihesha krenar edhe i lumtur. Krenarinë më të madhe e ndjeva në momentin kur pashë që shumica nga 10 studentët më te mirë të diplomuar nga universiteti ynë ishin shqiptarë edhe të gjithë ishin shokët edhe shoqet e mia. Urimet më të bukura i mora nga familja edhe të afërmit e mi dhe nuk mund të veçoj një të caktuar, pasi të gjithë ishin vërtet urime të këndshme. Të jem i sinqertë, puna edhe përkushtimi kanë qenë shumë të mëdha për të arritur këto rezultate. Më është dashur të sakrifikoj shumë nga pjesa sociale, gjumi apo dhe shëndeti im. Ka pasur momente shumë të vështira dhe normalisht të lodhshme për mua gjatë këtij 4 vjeçari dhe nëse nuk do kisha pasur mbështetje të vazhdueshme nga familja, të afërmit dhe shoqëria ime, nuk do t’ia kisha dalë kurrë. Suksesi im akademik ka pasur plot ulje ngritje, ku uljet më të mëdha padyshim i pata në nisjen e këtij edukimi, pasi faktorë të tjerë, si largësia nga familja, përshtatja në një mjedis të huaj, të ri dhe të panjohur ndikuan mjaft negativisht tek unë. Nisja e një rrugëtimi të ri akademik pati dhe kënaqësi të njohurive drejt të panjohurës, por dhe degës sime të preferuar. Personalisht mendoj se cilësia kryesore që i duhet një studenti të mirë është këmbëngulja, sistematika, vullneti, dëshira për t`u pasuruar me dije dhe aftësia për t’u ringritur në momentet më të vështira. Një student i mirë kurrsesi nuk duhet të lejojë një profesor negativ apo një notë të ulët ta demoralizojë edhe t’i heqë frymëzimin, të tërhiqet para çfarëdo lloji vështirësie. Duhet që të jetë gjatë gjithë kohës konsistent, i frymëzuar edhe shumë i fokusuar në vizionin që ka në kokë. Vështirësitë kanë qenë të shumta, sidomos në fillim derisa u ambientuam me mjedisin edhe komunitetin. Më pas gjithçka u bë më e lehtë dhe fokusi ynë kryesor u bë suksesi akademik. Nuk kam vënë re aspak xhelozi mes këtyre studentëve, pasi ajo që na interesonte secilit ishte suksesi personal. Mendoj se ka pasur konkurrencë të pastër mes nesh, e cila na bëri të punonim akoma më shumë edhe të arrinim rezultate akoma më të mira. Është për t`u theksuar fakti qe me disa nga studentet jemi shokë të ngushtë që prej më shumë se 10 vitesh, kemi studiuar së bashku prej shkollës së mesme dhe jo vetëm që nuk kemi qenë “xheloz” me njeri tjetrin, por kemi mbështetur vazhdimisht njeri – tjetrin. Të studiuarit në Turqi ishte i menduar edhe i rastësishëm në të njëjtën kohë për mua. Para se të mbyllja gjimnazin në “Mehmet Akif”, kisha aplikuar edhe fituar të drejtën për të studiuar në disa nga universitet më të mira turke, si Bilkent apo ITU. E kisha marrë vendimin që do të ikja në ITU për të studiuar në degën “Inxhinieri Elektronike edhe Telekominikacioni”. Në momentin kur mbaroi matura shtetërore dhe unë arrita të dilja me rezultate shumë të mira në të gjitha provimet e maturës, m'u ofrua bursë nga shteti shqiptar, pikërisht për të studiuar në këtë universitet. Ishte padyshim diçka shumë e papritur për mua, pasi nuk e dija aspak që shteti ynë kishte një marrëdhënie me ITU. Mbështetësit e mi kryesor padyshim kanë qenë familja ime dhe disa nga të afërmit e mi, të cilët më kanë mbështetur jo vetëm financiarisht, por edhe psikologjikisht në çdo moment të vështirë që kam kaluar. Sigurisht që më duhet të them, se edhe shoqëria ime ka qenë shumë suportuese ndaj meje. Në dy vitet e ardhshme do të përfundoj master në degën “Electrical Engineering and Information Technology”, me fokus në “RF Communication” në ETH Zurich, i cili sipas renditjes është i treti në botë. Pas përfundimit të këtij masteri, do të vazhdoj studimet për PhD në USA ose në Zvicër. 

Pas mbarimit të PhD edhe aftësimit tim në këtë industri, do të kthehem në Shqipëri edhe do të tentoj të hap kompaninë e parë shqiptare, e cila do arrijë të punësojë studentët nga Inxhinieria Eletronike. Në Shqipëri kjo industri “RF Communication” nuk është shumë e dëgjuar edhe e zhvilluar. 

Telekomunikacioni në Shqipëri është vetëm i fokusuar në pjesën IT edhe aspak në Elektronikë. Kjo është edhe arsyeja që studentët shqiptarë të elektronikës janë të detyruar të punojnë në fusha të tjera të teknologjisë, të cilat nuk kanë aspak lidhje me lëndët që ata zhvillojnë në universitet. Pas kthimit në Shqipëri do të përpiqem të jem gjithashtu edhe pjesë e stafit akademik që do përgatis brezat e ardhshëm të studentëve shqiptarë në Elektronikë edhe Telekomunikacion. Suksesin e deritanishëm ja dedikoj më së shumti familjes sime, e cila ka qenë pranë meje në çdo moment të vështirë. Pjesëtarët e familjes sime janë një burim shumë i madh frymëzimi për mua që më shtyjnë të punoj gjithmonë e më shumë për të arritur të plotësoj ëndrrat e mia. Përveç familjes, shumë të afërm më janë gjendur pranë kurdo kur unë kam pasur nevojë edhe padyshim që një pjesë të suksesit jua dedikoj edhe atyre.

Këshilla ime për të rinjtë shqiptarë është që të gjejnë pikërisht fushën e cila i frymëzon ata më tepër. Mendoj se është shumë e rëndësishme që ata të punojnë shumë edhe të arrijnë të largohen nga Shqipëria për disa vite, për të fituar një eksperiencë të re edhe të vyer në fushën e tyre, nga vende të tjera, më të zhvilluara se ne. Të qenurit larg familjes në një vend të ri, jo vetëm do u japë një kapacitet më të madh në aspektin profesional, por padyshim që do arrijë t’i zhvillojë më tepër në aspektin personal. Të qenurit vetëm padyshim që ndihmon në të njohurin më mirë të vetvetes edhe ne përmirësimin e personalitetit te tyre. Në momentin kur ata të ndihen të aftë mjaftueshëm në profesionin e tyre, ata mund të kthehen në Shqipëri dhe të përmirësojnë sektorin e tyre akoma më tepër, duke i shërbyer në mënyrë konstruktive dhe të drejtpërdrejtë zhvillimit të vendit.



Xhoela Bame

Xhoela Bame,  renditur në vendin e parë në degën Biologji Molekulare dhe Gjenetike ITU


Jam renditur e para në Departamentin e Biologjisë Molekulare dhe Gjenetikës si dhe në Fakultetin e Shkencave dhe Literaturës të Universitetit Teknik të Stambollit (ITU) dhe njëkohësisht përfundova me rezultate të larta dhe certifikatën (Minor) nga Departamenti i Ekonomikut. E gjitha kjo ishte një eksperiencë përmbushëse dhe përmbyllja më e mirë e studimit intensiv të këtyre 4 viteve. Përsa i përket vlerësimit të më të mirëve, jam ndier thellësisht krenare që bashkë me studentët e tjerë shqiptarë përfaqësuam jo vetëm departamentet tona por edhe vendin tonë në renditjen finale. Çdo urim ka qenë tejet mbështetës dhe inkurajues por do të veçoja takimin me Ambasadorin e Shqipërisë në Turqi, zotin Kastriot Robo dhe Unionin Studentor Shqiptar në Turqi të cilët shprehën vlerësimin maksimal për arritjet tona në ITU. Gjatë këtyre viteve i jam dedikuar maksimalisht studimeve duke dhënë më të mirën nga vetja, edhe pse ruajtja e balancës mes jetës sociale dhe asaj shkollore ka qenë sfiduese. Gjithsesi, çdo sakrificë ka qenë për hir të rritjes nga ana profesionale dhe akademike dhe jo arritjes së mesatares më të lartë. Për këtë arsye, jam përpjekur të plotësoj formimin akademik me dy stazhe verore, në Spanjë dhe Gjermani, të mbështetura nga programi Erasmus+, si dhe jam angazhuar aktivisht në klubet studentore të universitetit. Në këtë rrugëtim më ka ardhur në ndihmë metodologjia e të mësuarit sistematikisht e asimiluar në Shqipëri pas përfundimit të studimeve në Kolegjin Preka. Një studente e mirë për mua është përtej notave të larta, do të thotë përkushtim ndaj degës, kuriozitet për të ditur më shumë, entuziazëm për t'u përballur me sfida dhe integrim në aktivitetet shkollore brenda ose jashtë saj. Vështirësia më e madhe në fillim ka qenë gjuha turke të cilën arrita ta mësoj pas vitit të parë (pavarësisht se mësimi zhvillohej në anglisht). Gjithsesi, kolegët e mi turq kanë qenë gjithmonë të gatshëm për të më ndihmuar në çdo vështirësi dhe janë treguar gjithmonë pozitivë dhe mbështetës gjatë kohës sime në Turqi. Shqiptarët i konsiderojnë si vëllezër dhe suksesin tonë e konsideruan si të tyren. Kjo zgjedhje erdhi pasi fitova bursën e Ekselencës nga Ministria e Arsimit. E zgjodha këtë degë sepse i përshtatej më tepër profilit tim shkencor dhe kuriozitetit ndaj shkencave të natyrës. Familja dhe shoqëria ime kanë qenë bashkudhëtare në këtë sfidë. 

Momentalisht, kam filluar studimet e doktoraturës në Biologjinë Molekulare dhe Qelizore në SHBA ku synoj të përmirësoj aftësitë e mia teknike dhe profesionale. Duke qenë se kërkimi shkencor në këtë fushë është ende në zhvillim në Shqipëri, do të doja të kontribuoja në përparimin e tij në çfarëdolloj mënyre në të ardhmen.

 Suksesin ja dedikoj familjes sime për mbështetjen e pashtershme në çdo hap që kam hedhur, të cilët jam e lumtur t’i kem bërë krenarë me rezultatet e mia. Të rinjve do i këshilloja të jenë të hapur dhe kërkues ndaj mundësive të shumta në botën akademike dhe më tej, dhe veçanërisht të besojnë tek vetja dhe aftësitë e tyre pa ju nënshtruar asnjë limiti. 



Leonard Lala

Leonard Lala, renditur në vendin e dytë në departamentin e Biologjisë Molekulare dhe Gjenetikës ITU


U ndjeva shumë krenar dhe pamasë i gëzuar kur pashë që universiteti më kishte rankuar të dytin në departamentin e Biologjisë Molekulare dhe Gjenetikës pranë Fakultetit të Shkencave dhe Arteve. Në të njëjtën kohë, u ndjeva i vlerësuar për të gjitha sfidat e kaluara gjatë periudhës së studimeve. Suksesi që arrita ishte shpërblim i një pune intensive 4-vjeçare. Padyshim, u emocionova akoma më shumë kur universiteti publikoi listën e të diplomuarve për vitin akademik 2019-2020. Në këtë listë 10 studentë shqiptare ekselentë ishin rankuar në vendet e para, të dyta apo të treta të fakulteteve dhe departamenteve përkatëse. Ky mund të konsiderohet një rekord i ri i vendosur në Universitetin Teknik të Stambollit, përsa i përket diplomimit të studentëve të huaj. Këto ditë kam marrë shumë urime të përzemërta nga shokët e mi në Shqipëri e Turqi. Sigurisht, urimi më i bukur që mora ishte nga familja ime. Ata ndihen krenarë dhe të lumtur për suksesin e arritur. Rankimi që mora erdhi si rezultat i një punë te palodhur. Gjatë periudhës së studimeve u përballa me dy sfida që kërkonin një përkushtim të madh: nivelin e lartë të vështirësisë të degës së zgjedhur dhe përshtatja me mjedisin multikulturor të universitetit. Vetëbesimi dhe përkushtimi semestër pas semestri më shtyu që të arrija rezultate të larta në çdo lëndë. Unë mendoj se çelësi i suksesit për një student qëndron te përkushtimi dhe vullneti për të nxjerrë më të mirën nga vetja. Përcaktimi i qartë i qëllimeve dhe objektivave që një student do të arrijë është faktor kyç në përkufizimin e një studenti të mirë. Gjithashtu, mirë menaxhimi dhe mirë planifikimi i kohës gjatë periudhës së universitetit është tejet i rëndësishëm për dallimin midis suksesit apo dështimit në studime. Vullneti, vetëbesimi, përkushtimi dhe konsistenca në studime janë disa nga cilësitë që përbëjnë një student të suksesshëm. Përballja dhe përshtatja me një mjedis universitar ku përplasen kultura të ndryshme, është një ndër vështirësitë e para që kam hasur. Përpos kësaj, vështirësia me gjuhën e huaj përbën një sfidë më vete për studentët shqiptarë. Turqia është një vend mikpritës për studentët e huaj, veçanërisht për studentët shqiptarë. Ndaj, jo vetëm që nuk kishte “xhelozi”, por mora disa urime nga studentët turq për rezultatin e arritur këtë vit akademik. Rezultatet e larta në shkollën e mesme dhe në provimet e maturës shtetërore bënë të mundur akordimin e një burse ekselence studimi në Universitetin Teknik të Stambollit nga Ministria e Arsimit dhe Sportit. Kam qenë gjithnjë i apasionuar pas kërkimeve në fushën e Biologjisë dhe Mjekësisë. Kjo ishte dhe arsyeja që më shtyu të zgjidhja degën e Biologjisë Molekulare dhe Gjenetikës në këtë universitet. Familja ime ka qenë gjithmonë mbështetësi kryesor në çdo hap timin, prej shkollës fillore e deri në përfundim të universitetit. Dashuria e pakushtëzuar dhe besimi i tyre në aftësitë e mia ka qenë shtysa më e madhe për të përballuar çdolloj sfide dhe për të arritur këto rezultate. Për momentin, po konsideroj aplikimin për studimet e nivelit të dytë (Master Shkencor). Po shqyrtoj disa mundësi studimi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që kanë të bëjnë me specializimin në fushën e gjenetikës humane dhe gjenetikës molekulare. 

Gjithmonë kam pasur synimin që të rritem në karrierë dhe të aftësohem profesionalisht në mënyrë që në një te ardhme të afërt të kthehem dhe të kontribuoj në vendin tim. 

Sistemi i kërkimit shkencor në fushën e biologjisë molekulare dhe gjenetikës në Shqipëri lëngon për vite me radhë prej shumë problemesh. Ndaj, besoj se Shqipëria ka nevojë për njerëz të kualifikuar në këtë drejtim që natyrisht mund të japin një kontribut jashtëzakonisht të madh. Këtë sukses ia dedikoj gjithë familjes time. Pa investimin, mbështetjen dhe inkurajimin e tyre për të dhënë më të mirën nga vetja, nuk do të arrija këto rezultate. 

Probleme të ndryshme po e rëndojnë sistemin arsimor në Shqipëri dhe po e pengojnë atë të japë një edukim cilësor në të njëjtin nivel me vendet e tjera. Kjo është arsyeja kryesore pse të rinjtë shqiptarë shohin si shpresë të vetme shpërnguljen nga vendi i tyre. Jam i mendimit se të gjithë studentët duhet të zgjedhin atë degë për të cilën ato janë të pasionuar dhe besojnë se u përshtatet më së shumti, pa u ndikuar nga ajo çka dikton tregu i punës në Shqipëri. Tregu i punës krijohet nga vetë ne studentët. Nëse nuk ka njerëz të kualifikuar për një shumëllojshmëri pozicionesh pune, detyrimisht tregu i punës “tkurret” drejt disa degëve specifike. Në këtë mënyrë, studentët zgjedhin degët më të kërkuara pavarësisht preferencave të tyre. Kjo mund të jetë një arsye që ato mos të japin më te mirën nga vetja dhe të ulin përpjekjet për rezultate të larta. Motivimi është shumë herë më i lartë, kur një student zgjedh të studiojë në një drejtim të përcaktuar nga ai, duke përjashtuar çdolloj ndikimi nga faktorët e jashtëm. Është e rëndësishme që çdo student të përpiqet për profesionalizimin e vetes. Gjithashtu, jam i mendimit se të gjithë studentët shqiptarë që studiojnë në universitete të huaja duhet ta lënë rrugën e hapur për kthimin e tyre në Shqipëri. Natyrisht, besoj se përmes mendimit dhe kontributit të tyre në fusha të ndryshme, vendi do të zhvillohet me hapa të shpejtë. 

Tanimë, distanca fizike dhe kufijtë tokësorë nuk përbëjnë një barrierë që mund të pengojë kontributin e studentëve shqiptarë për vendin e tyre.




Alket Çiku

Alket Çiku, renditur në vendin e dytë në degën Inxhinieri Ndërtimi ITU


Të vlerësohesha ndër studentët më të mirë të vitit tim më ka dhënë një kënaqësi të madhe teksa shoh vlerësimin që më bëhet për punën dhe mundin e gjithë këtyre viteve shkollë. Tek dëgjoja gjithë urimet e familjarëve të mi dhe njerëzve të njohur dhe kur dëgjoja se sa krenar ishin prindërit dhe vëllai pasi panë lajmin s’mund të mos isha i lumtur për veten dhe arritjet e mia dhe për lumturinë që i dhashë familjes time. Urimi me i bukur ka qenë nga babai im, kur me shprehu krenarinë e tij për arritjet e mia. Do ishte e thjeshtë të thosha që rezuktatet janë arritur lehtë dhe pa mund, por nuk është ashtu. Më është dashur të punoj shumë dhe sistematikisht, ndonjëherë dhe me orare të zgjatura për të arritur këto rezultate. Nuk ka qenë e lehtë, por kam qenë i vendosur që në fillim që ti shkoja shkollës deri në fund me shumë punë dhe përkushtim. Të jesh një student i mirë kërkon shumë punë dhe përkushtim siç e përmenda dhe më sipër, por kërkon edhe sakrifica sepse koha e investuar është e madhe dhe shpeshherë nuk lejon shumë hapësira për kohë personale. Gjithashtu duhet të jesh sistematik sepse sasia e informacionit që merret çdo ditë në shkollë është e konsiderueshme dhe mbivendosja e mësimeve e bën shumë të vështirë për të mos thënë të pamundur asimilimin e menjëhershëm të të gjithë informacionit. Dhe e fundit por jo më pak e rëndësishme, duhet ta duash atë që bën, degën për të cilën po studion sepse ajo është baza e të ardhmes tënde profesionale. Vështirësitë e vetme që kam hasur kanë qenë në fillim, pasi ishte hera e parë që largohesha nga familja dhe nga vendi im. Muajt e parë ishin të vështirë për faktin që duhet të përshtatesha me një vend të ri, mënyrë të re jetese dhe njerëz të rinj. Duhet të përmend dhe faktin që tranzicionin ma bëri më të lehtë dhe fakti që nuk isha vetëm, pasi me mua në Turqi erdhën dhe 3 nga shokët e mi më të mirë me të cilët njihesha që në gjimnaz. Përsa i përket studentëve të tjerë ata kanë qenë që në fillim shumë mikpritës dhe nuk na kanë bërë asnjëherë të ndihemi sikur nuk përkasim. Përgjatë gjithë viteve të shkollës kemi qenë si një familje që mbështesnim njëri tjetrin, madje dhe pas daljes së lajmit për renditjen e studentëve më të mirë, të gjithë më uruan me dashamirësinë më të madhe. Studimi në Turqi të them të vërtetën ishte një rastësi, pasi studentëve më të mirë të maturës shtetërorë (ku bëja pjesë edhe unë) iu ofruan bursa nga shteti shqiptar për të ndjekur studimet pranë Universitetit Teknik të Stambollit. Pasi pashë programet që ofronte universiteti nuk kisha asnjë dyshim që ishte i duhuri. Një nga ëndrrat e mia ka qenë dhe vazhdon të jetë hapja e një kompanie ndërtimi që shpresoj dhe besoj se do të realizohet një ditë. Mbështetësi kryesor për mua ka qenë absolutisht familja ime. Ata jo vetëm më kanë mbështetur dhe përkrahur gjithmonë në zgjedhjet e mia, por edhe me kanë qëndruar pranë dhe më kanë dhënë kurajë atëherë kur kam pasur nevojë.

Ishte Shqipëria ajo që më dha bazat e shkollimit dhe gjithashtu mundësinë për të ndjekur këtë universitet dhe unë e ndjej si detyrë morale që një ditë t’ia shpërblej. 

Pra po, synimi im është që një ditë të kthehem në Shqipëri dhe siç e përmenda pse jo te kem kompaninë time të ndërtimit dhe të kontribuoj me profesionin tim në vendin tim. Kjo gjithsesi mbetet një dëshirë dhe një plan për të ardhmen pasi për momentin synimi im është vazhdimi i mëtejshëm i studimeve për të thelluar më tej njohuritë e mia profesionale. Suksesin ja dedikoj familjes time që ka qenë përkrahja ime më e madhe dhe personave të mi të afërt që më kanë mbështetur gjithmonë. Ajo që mund t'u them të rinjve është të ndjekin ëndrrat e tyre dhe të punojnë shumë dhe fort për të arritur synimet sepse mendoj që çdokush e ka brenda vetes potencialin për të ecur shumë dhe për të bërë gjëra të mëdha, ajo çka duhet është pasion, punë dhe përkushtim.




Gerald Topalli

Gerald Topalli renditur në vendin e tretë në Inxhinieri Elektronike dhe Komunikimi ITU


U ndjeva shumë i gëzuar dhe kranar që isha renditur i treti në departamentin e Elektronikës dhe Telekomunikacionit. Suksesi që kemi arritur të gjithë ne është rezultat i një pune intensive 4-vjeçare plot sfida. Kur universiteti publikoi listat e të diplomuarve, që të gjithë ne përveç se u ndjemë krenarë për veten tonë, u ndjemë shumë të gëzuar edhe që pothuajse të gjitha departamentet kryesoheshin nga shqiptarë. Kjo gjë nuk kishte ndodhur asnjëherë në ITU. Shumë njerëz më kanë uruar këto ditë, por sigurisht urimi më i veçantë që mora ishte nga familja ime. Departamenti i Elektronikës dhe Telekomunikacionit është një ndër më të vështirët në Turqi ku të gjithë  të pranuarit në këtë departament janë rankuar në 1000 studentët më të mirë të provimeve të Maturës në Turqi. Me këtë dua të them që konkurrenca ka qenë e lartë kështu që dhe puna dhe përkushtimi kanë qenë të larta. Unë mendoj që gjithsecili mund të jetë një student i mirë, mjafton që të ketë vullnet, etikë pune dhe aftësi të mira të menaxhimit të kohës. Mendoj që këto janë cilësitë kryesore të një studenti te suksesshëm. Kur një student shkon të studiojë në një vend të huaj, sigurisht që do të hasë disa pengesa. Pengesa e parë është përshtatja në një vend të ri dhe me gjuhën që ata flasin. Por, Turqia është vend mikpritës dhe nuk kam vënë re xhelozi, për më tepër më kanë ndihmuar dhe përgëzuar. Në Gusht të vitit 2016 mora një telefonatë nga Ministria e Arsimit e cila më lajmëroi se për shkak të rezultateve të larta në Maturën Shtetërore më kishin ofruar një bursë në Universitetin Teknik të Stambollit. Kjo ishte dhe arsyeja pse zgjodha Turqinë. Për sa i përket degës, Elektronika ka qenë një pasion për mua që në fëmijëri. Pra mund të them që ka qenë ëndrra ime e vjetër. Familja ime ka qenë gjithmonë mbështetja ime që në shkollën fillore e deri tani në përfundim të studimeve të larta. Pa mbështetjen e tyre, jam i sigurt që nuk do të arrija këto rezultate. Synimi im për të ardhmen është të zhvillohem sa më shume në fushën e qarqeve të integruara. Duke qenë se kjo industri nuk ekziston në Shqipëri, do të mundohem të marr eksperience në një vend tjetër dhe më pas do të përpiqem të implementoj këtë industri dhe në Shqipëri. Këtë sukses ja dedikoj të gjithin familjes dhe miqve të mi që më kanë qëndruar pranë duke më mbështetur dhe inkurajuar. Janë shumë të zakonshme në ditët e sotme situatat ku studentët nuk zgjedhin pasionin e tyre si drejtim studimi, apo ndoshta nuk e dinë çfarë pasioni kanë. Këshilla ime për të gjithë do të ishte që si fillim të zbulojnë çfarë i tërheq dhe më pas të përkushtohen në maksimum për t'u përmirësuar në atë drejtim. 

Askush nuk ka lindur i ditur, që të gjithë njerëzit e suksesshëm kanë punuar me përkushtim për të qenë ata që janë. 






Përgatiti Nanila Allkja Biçaku 

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

5,286 Lexime
3 vjet më parë