Aktualitet

Komisioni Parlamentar për Edukimin/ Miratohen disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin për Sistemin Arsimor Parauniversitar

Në mbledhjen e Komisionit Parlamentar për Edukimin u miratuan në Ligjin e Arsimit Parauniversitar disa ndryshime dhe shtesa që MAS ka propozuar më herët. Artikulli më poshtë ju njeh pikë për pikë me këto ndryshime të ndodhura tanimë.

Shtesat dhe ndryshimet në Ligjin për Sistemin Arsimor Parauniversitar janë: 

  1. Transformimi i shkollave të arsimit special në qendra burimore, sipas modeleve më të mira të rajonit dhe BE-së, për më shumë mbështetje për nxënësit me aftësi ndryshe;
  2. Moslejimi i punësimit në shkolla të personave të dënuar për vepra penale ndaj të miturve, ndaj institucioneve arsimore, që cenojnë figurën e mësuesit, si dhe ata që janë pjesë e regjistrit kombëtar të të dënuarve për krime seksuale, pavarësisht rehabilitimit të tyre;
  3. E drejta e regjistrimit në klasë të parë për fëmijët që mbushin moshën 6 vjeç deri më datën 31 dhjetor të atij viti, me kërkesë të prindërve;
  4. Dhënia e statusit të veçantë për shkollat e arsimit të orientuar, si dhe arsimimi dhe promovimi i talenteve në arsimin bazë, jo vetëm në shkollat e orientuara, por edhe në shkollat normale përmes klasave të orientuara;
  5. Ngritja e një strukture në çdo ZVA për mësuesit në dispozicion, të cilët do t'u vijnë në ndihmë shkollave për nevojat e tyre kur ka mungesa të mësuesve; 
  6. Përcaktimi i qartë i përgjegjësive për monitorimin, vlerësimin dhe inspektimin e institucioneve arsimore;
  7. Rregullimi ligjor i institucioneve plotësuese private që ofrojnë shërbime për nxënësit pas orarit mësimor.


Fjala e plotë e ministres Kushi në Komisionin e Edukimit për Ligjin e Arsimit Parauniversitar


Pas një pune të gjatë më shumë se një vjeçare, ne vijmë sot për të shqyrtuar, diskutuar dhe miratuar ligjin e arsimit parauniversitar, disa ndryshime dhe shtesa që kemi propozuar.  Nevoja për këto ndryshime ka ardhur për disa arsye.  Së pari për të zgjidhur disa nga problematikat që janë shfaqur shpesh gjatë diskutimit të këtij ligji në IA tona të cilat na i kanë përcjellë në mënyrë të vazhdueshme. Por po ashtu edhe për të plotësuar disa vakume ligjore për shkak të zhvillimeve, ndryshimeve, transformimeve që ndodhin sot në sistemin e arsimit parauniversitar. 

Por po ashtu edhe për ta përafruar këtë ligj edhe me shumë me strategjinë kombëtare të arsimit parauniversitar 2021-2026. Por edhe me direktivat e BE dhe me legjislacionin që është sot në fuqi në vendet më të zhvilluara në BE. 

Ky ligj i vitit 2012 është rishikuar edhe në vitin 2015, edhe 2018. Vitin e kaluar ne morëm vendimin që për shkak të gjitha këtyre kërkesave, problematikave ne ta rishikojmë. Dhe në fakt kemi zhvilluar një proces të konsultimit publik shumë të gjatë jo vetëm me IA por edhe këshillin Kombëtar të Arsimit parauniversitar, këshillin kombëtar, me parlamentin e nxënësve, shoqërinë civile, me partnerët tanë për të arritur në draftin final që e kemi miratuar edhe në qeveri por që e kemi edhe sot për diskutim së bashku.

Të gjitha sugjerimet që kemi marrë gjatë gjithë kësaj periudhe, ato që përshtateshin më shumë dhe që ishin me vlerë, i kemi trajtuar të gjitha dhe i kemi reflektuar në draftin përfundimtar. 

Po filloj nga ndryshimet kryesore, apo shtesat kryesore. 

Së pari, një nga arsyet që kemi vendosur ta ndryshojmë ligjin, kanë qenë pikërisht shkollat speciale për nxënësit me aftësi ndryshe. Kemi parë jo vetëm në rajon por edhe vendet e zhvilluara të BE për një mënyrë më të mirë funksionimi, që nga ana e strukturës se si janë të organizuara, por edhe të funksionimit. 

Dhe ne kemi menduar që këto shkolla speciale t’i kthejmë në qendra burimore ku jo vetëm të ketë proces arsimor, por të ketë edhe shumë shërbime për nxënësit me aftësi ndryshe, për familjet e tyre, për mësuesit, të ketë trajnime dhe shumë procese të tjera që natyrisht i vijnë më shumë në ndihmë nxënësve dhe familjeve të tyre. Kemi parë modelet e tyre dhe paralelisht me ligjin, në fakt grupi i punës ka punuar, ka zhvilluar edhe vizita për t’i parë nga afër se si funksionojnë sot këto qendra burimore në vendet më të zhvilluara. Dhe pothuajse e kemi gati edhe mënyrën se si do ta implemetojmë më pas, pas miratimit të ligjit kthimin e këtyre shkollave në qendra burimore. Ne kemi 7 shkolla speciale dhe dy institute, instituti i nxënësve që nuk dëgjojnë dhe i nxënësve që nuk shikojnë. 

Kemi menduar ta fillojmë me dy institutet. Dhe më pas ta shtrijmë edhe me shkollat speciale që janë në qytete të ndryshme të vendit. 

Lajmi i mirë ishte që ne për këtë vit shkollor ne për Institutin e Nxënësve që nuk sëgjojnë për herë të parë kemi hapur shkollën e mesme. Sepse deri para një viti aty nxënësit vijonin deri në klasën e nëntë. Ndërsa sot kanë një kurrikul të re e cila gjithashtu është hartuar me standardet më të mira.

Qendrat  burimore do t funksionojnë me një strukturë të re, kurrikul të re, mënyrë funksionimi të re, si të rritet më shumë efikasiteti i shërbyer kësaj kategorie. 

Një ndryshim tjetër që kemi sjellë me këtë projektligj, lidhet me sigurinë dhe mbrojtjen e nxënësve nga individë që mund të përbëjnë rrezik për ta. E kam fjalën për nenin i cili nuk lejon mësuesit që janë të dënuar për vepra penale ndaj të miturve, apo që janë pjesë e regjistrit kombëtar të të dënuarve për krime seksuale, apo që kanë kryer vepra të tjera penale që cenojnë figurën dhe imazhin e mësuesve, punonjësve të IA dhe vetë institucioneve Arsimore pavarësisht rehabilitimit të tyre. 

Edhe pse mund të jenë të rehabilituar nga këto dënime, persona të tillë nuk do të lejohen asnjëherë që të punojnë brenda IA, qoftë mësues, apo qoftë në pozicione të tjera. Madje edhe nëse i konstatohen që janë sot pjesë e sistemit arsimor, ata me procedura të përcaktuara ndërpresin marrëdhënien e punës. 

Në fakt në dhjetor të vitit 2021 për shkak të një rasti që pati edhe shumë ndjeshmëri të lartë publike, ne miratuam një udhëzim në MAS pikërisht për të mos i lejuar këta njerëz që të punojnë në IA por tashmë kemi vendosur që ta përfshijmë në ligj, në nj nen të veçantë, pikërisht për ta bërë edhe më të detyrueshëm dhe të garantuar zbatimin me përpikëri të kësaj çështjeje. 

Pra ideja është që ne të mos i rrezikojmë nxënësit, të parandalojmë ngjarje të tilla. Por natyrisht dhe të ruajmë të pastër figurën e mësuesit. Të ruajmë dhe rrisim akoma më shumë besimin e prindërve, nxënësve të të gjithë opinionit dhe shoqërisë për mësuesit dhe institucionet tona arsimore. 

Një tjetër ndryshim.

Që kur e kemi prezantuar ka ngjallur debate. Por është një kërkesë që na ka ardhur më shumë nga prindërit këtë herë se sa nga IA. Është fjala për regjistrimet në klasë të parë të fëmijëve, edhe nëse e mbushin moshën 6 vjeç pas datës së fillimit të vitit shkollor, por deri në 31 dhjetor të atij viti. 

Kemi patur shumë raste kur prindërit vetë këmbëngulin që fëmija vërtetë ka një zhvillim edhe psikomotor, ka ndjekur klasat parashkollore, janë tashmë gati sepse njohin alfabetin, dinë të shkruajnë, lexojnë, numërojnë. Pra edhe nga zhvillimi fizik, psikomotor, por edhe për sa i takon përmbajtjes, kurrikulës është plotësisht gati për të filluar vitin shkollor.

Dhe ne këtu, këtë ia kemi lënë në dorë prindërve. Pra nuk detyrojmë sigurisht, por nëse prindërit pas konsultave që zhvillojnë me psikologë apo mësues, ekspertë të sistemit arsimor, nëse kanë dëshirë ne ia japim këtë mundësi në mënyrë që fëmijët të mos humbasin një vit, të mos humbasin interesin për të filluar klasën e parë. 

Por dua ta theksoj, nuk është e detyrueshme. Është vetëm në përgjigje të kërkesës së prindërve nëse ata e mendojnë, e gjykojnë që fëmijët e tyre janë gati për tu regjistruar në klasën e parë.

Një tjetër ndryshim lidhet me konceptin e shkollës së bashkuar. Në shumë zona, përgjithësisht zona të largëta, rurale, sot në realitet ne kemi raste të shkollave që i kanë të treja ciklet, fillor, të mesëm të ulët, dhe të mesëm të lartë, madje në ndonjë rast kanë edhe klasa parashkollore. 

Në ligj nuk ekziston ky koncept. Pra ka një vakum ligjor, ndërkohë që ne e gjykojmë të nevojshme në disa zona ku numri i nxënësve është i ulët. Nëse do të ishin shkolla të veçanta, një 9-vjeçare dhe një e mesme, nuk i plotësojnë kriteret për të qenë të hapura. Ndërkohë që nëse këto grumbullohen në një shkollë të bashkuar, atëherë është më ligjore, por edhe për ta menaxhuar, administruar, por edhe nga ana e ekonomizimit të burimeve tona për sa i takon mësuesve por edhe infrastrukturës është më e përshtatshme. 

Kështu që ne, përderisa ka një vakum ligjor, por në realitet janë shkolla të tilla, ndoshta lind nevoja në një kohë të caktuar që të bashkojmë shkolla dhe në zona të tjera, kemi vendosur që ta plotësojmë këtë vakum dhe ta fusim këtë koncept, natyrisht të detajuar më pas dhe me aktet e tjera për mënyrën se si do të hapen dhe funksionojnë.

Vazhdojmë me ndryshimin që sjell neni nr. 3.

Për shkollat me status të veçantë. Këtu është fjala për shkollat artistike dhe sportive. Janë shkolla që kanë arsim të orientuar, por që të kenë rezultate më të mira, të funksionojnë më mirë, që të japin më shumë impakt edhe në shoqëri është e nevojshme që të kenë një status të veçantë dhe të kenë një mënyrë tjetër organizimi, strukturimi, edhe punësimi të mësuesve apo regjistrimi të nxënësve, edhe për sa i takon financimit të tyre në mënyrë që ta përmbushin sa më mirë qëllimin.

Të parat mund të jenë liceu artistik dhe shkolla e baletit që të marrin këtë status dhe marrin një zhvillim të ri. Ne kemi zhvilluar konsultime me vetë mësuesit e këtyre shkollave por edhe me ekspertë për të gjetur dhe krijuar mënyra të reja se si t’i nxisim këto shkolla të japin rezultate edhe më të mira. Këto janë shkolla që furnizojnë me studentë universitetin e arteve dhe konsultimet tona kanë qenë në tryeza edhe me Universitetin e Arteve për të parë çfarë nevojash kanë ata në mënyrë që të plotësohen nëpërmjet këtyre shkollave që do të kenë status të veçantë.

Por ndërkohë përveç shkollave artistike, që tashmë i kemi në shumë qytete të vendit, por nuk i kemi dot në çdo qytet apo bashki, për të plotësuar nevojat që kanë talentet, familjet e këtyre talenteve, për tu dhënë edhe atyre një mundësi, ne kemi menduar që edhe në shkollat normale, të zakonshme, të krijojmë klasa të orientuara. Edhe pse shkolla nuk është shkollë artistike, nëse në atë zonë apo qytet ka kërkesa, fëmijë të talentuar, në një disiplinë të caktuar, ne kemi menduar tua japim këtë mundësi dhe t’i përgatisim këta nxënës që më pas kur të vazhdojnë studimet në shkollën e mesme të orientuar, të jenë të përgatitur.

Ne kemi 17 shkolla të orientuara në të gjithë vendin. 11 janë shkolla artistike. Por sot kemi edhe 4 shkolla që kanë klasa artistike, me arsim të orientuar. Dy në Tiranë, 1 në Gjirokastër, 1 në Kavajë. Është më se e nevojshme që edhe ta rregullojmë nga ana ligjore, por çka është edhe më e rëndësishme edhe të nxisim edhe hapjen e klasave të orientuara edhe në ato zona të largëta që mund të duken... Atje ka shumë talente, ju siguroj. Për muzikë, pikturë dhe në fakt nxënësit, pavarësisht se e ushtrojnë talentin e tyre dhe mësuesit i ndihmojnë, është e nevojshme që ata të kenë një kurrikul dhe ata të jenë të përgatitur për të vijuar më pas studimet në talentin e tyre. 

Një tjetër risi që sjell ky ligj, në fakt ka qenë një praktikë e tillë më parë për mësuesit në dispozicion. Cili është problemi që sjell këtë ndryshim, propozim nga ana jonë. 

Pikërisht për qëllimin kryesor që ne kemi që në punësimin e mësuesve të ketë meritokraci dhe transparencë, dhe ju tashmë e dini që portali mësues për Shqipërinë e garanton këtë, ndodh që në shumë raste kur mësuesit marrin leje, apo për arsye shëndetësore, apo mungojnë për shkaqe të ndryshme objektive, pikërisht se edhe zëvendësimet kur janë me periudha afatshkurtra i bëjnë sipas një procedure, që lidhet me portalin, që edhe aty të ketë meritokraci dhe transparencë, këto procedura marrin kohë.

Pra mësuesi merr leje dhe procedurat për të qenë korrekt me ligjin, marrin kohë dhe nxënësit mbeten një ditë, dy ditë apo tre ditë pa mësim. Për ta shmangur këtë problematikë ne kemi menduar që në çdo ZVA të krijojmë një strukturë të mësuesve në dispozicion që do të jenë atje me kontratë një vjeçare me zyrën arsimore dhe në çdo moment që ka nevojë në një shkollë të caktuar, kjo nevojë të plotësohet menjëherë dhe nxënësit të mos mbeten asnjë orë me ndërprerje të mësimit. 

E kemi konsultuar gjatë këtë proces. Si ta ngremë këtë strukturë, sa mësues të jenë, çfarë profili të kenë, si të aktivizohen sepse këta vërtetë do jenë në dispozicion, por ne kemi hartuar një strategji që këta të jenë të angazhuar edhe kur nuk ka mungesa sepse ata do të jenë me pagesë njëlloj si mësuesit e tjerë me kontrata një vjeçare. 

Nëse lirohet një vend ata mund të kalojnë edhe nga mësues në dispozicion, me kontratë të përhershme pa afat. Është mirëpritur nga mësuesit, veçanërisht nga drejtuesit e institucionet arsimore që e kanë patur gjithmonë shqetësim. Por edhe vetë mësuesit, sepse kur mungonte një mësues, kolegu i tyre duhej të plotësonte nevojën. Edhe klasën e tij edhe klasën tjetër. Kështu që ne bbesojmë se kjo do të sjellë një normalitet dhe funksionim më të mirë në IA tona. 

Një tjetër vakum ligjor që ka qenë jo për faj të ligjit kur është hartuar dhe rishikuar, por përr shkak të zhvillimet që ndodhin në treg. Sot ka institucione që i quajnë aftër-school por edhe të ngjashme me to, ku prindërit i dërgojnë fëmijët e tyre disa orë pas orarit mësimore, gjatë pasditeve apo fundjavës, dhe nxënësit edhe bëjnë detyrat e shtëpisë por edhe aktivitete të tjera. 

Ndërkohë që këto struktura nuk janë të rregulluara ligjërisht. Ne kemi përgjegjësinë që të garantojmë për fëmijët tanë që të marrin arsimin e duhur, përkujdesjen e duhur jo vetëm në shkolla por edhe në këto institucione që mund të rrezikojnë edhe shtrembërojnë edukimin e tyre. Pra tjetër gjë mësojnë në shkollë dhe ndryshe i orienton pastaj ai mësuesi apo kujdestari që i ndihmon. 

Ne kemi menduar që më pas me një udhëzim pas miratimit të ligjit, ta rregullojmë jo vetëm kriteret që duhen për tu licencuar këto institucione, por edhe mënyrën se si do të funksionojnë. I kemi quajtur institucione plotësuese private. 

Një problematikë që kemi hasur ka qenë një konfuzion përgjegjësish për sa i takon inspektimit, apo vlerësimit, monitorimit të IA. Ka patur një konfuzion midis DPAP dhe DRAP-eve nga njëra anë, dhe ASCAP. Pra në ligj thuhej ndryshe, në VKM ka patur pak konfuzion. Kështu që në ligj ne kemi menduar që ta përcaktojmë qartë dhe detajojnë se cili është institucioni që ka përgjegjësinë për t’i monitoruar, inspektuar për të marrë masa. Ligji i përcakton qartë detyrat që do të kenë.

Ndërkohë ne kemi nisur vitin e kaluar  iniciativën për të patur 400 vlerësues të jashtëm, pikërisht për shkak të nevojës që kemi për të bërë vlerësime dhe inspektime për institucione të ndryshme. Tashmë kemi një strukturë që janë mësues, drejtues institucionesh, që janë trajnuar për të bërë edhe këtë lloj detyre në momente të sakatuara kur ne kemi nevojë. 

Një tjetër rregullim që kemi bërë është që bashkitë tashmë kur vendosin për të ndërtuar një shkollë të re apo rikonstruktuar një shkollë ekzistuese, duhet të marrin një mendim, duhet ta konsultojnë me MAS. Pikërisht që shpërndarja e investimeve të bëhet e koordinuar apo sipas nevojave dhe politikave të arsimit parauniversitar. 

Ligji ka edhe shumë çështje të tjera teknike të cilat bashkë me kolegët jemi shumë të gatshëm t’ju japim përgjigje, apo t’i sqarojmë më në detaje. Këto ishin ato ndryshimet kryesore që ne mendojmë se do të japin një impakt pozitiv në funksionimin e IA por edhe zbatimin më me efikasitet të politikave dhe strategjisë tonë për arsimin në Shqipëri 2021-2026.


Kaltra Tafani 

©Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,469 Lexime
1 vit më parë