Kompletohet paketa e teksteve për diasporën, botohet niveli III i “Gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare”

Që nga ky vit, diaspora shqiptare ka në dispozicion tekstin didaktik “Gjuha shqipe dhe kultura shqiptare”, niveli III. Me këtë botim, përmbyllet paketa e plotë për klasat I–IX, rezultat i bashkëpunimit mes botuesve “Dukagjini” dhe “Albas”, sipas kurrikulës së miratuar nga MAS dhe MAShTI.

Që nga ky vit, mësuesit dhe nxënësit e gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare në diasporë do të kenë në dispozicion tekstin didaktik “Gjuha shqipe dhe kultura shqiptare”, niveli III, i cili vjen i shoqëruar me fletore pune dhe libër për mësuesin, si në versionin fizik ashtu edhe në atë digjital.


Ky tekst është hartuar në përputhje me Kurrikulën e Mësimit Plotësues të Gjuhës Shqipe dhe të Kulturës Shqiptare në diasporë e në mërgatë, të miratuar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit e Shqipërisë dhe Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit e Kosovës.


Me botimin e këtij teksti për nivelin III, i cili mbulon klasat 7-9, përmbyllet paketa e plotë e teksteve për diasporë, që tashmë përfshin:


  •  Niveli I (klasa I–III)
  •  Niveli II (klasa IV–VI)
  •  Niveli III (klasa VII–IX)

Ky zhvillim konsiderohet një hap i madh drejt standardizimit të mësimit të gjuhës shqipe në diasporë, duke garantuar vazhdimësi dhe cilësi në mësimdhënie për nxënësit shqiptarë kudo që ndodhen.


Tekstet janë rezultat i një bashkëpunimi të frytshëm mes dy prej shtëpive botuese më të rëndësishme në Kosovë dhe Shqipëri, “Dukagjini” dhe “Albas”, të cilat kanë kontribuar në hartimin dhe publikimin e tyre, duke i sjellë në dispozicion të mësuesve dhe nxënësve materiale bashkëkohore e të unifikuara.


Me këtë botim, nxënësit shqiptarë të diasporës jo vetëm që marrin një mjet të vlefshëm për të ruajtur gjuhën dhe kulturën e tyre, por edhe afrohen më shumë me programet mësimore të përbashkëta të Shqipërisë dhe Kosovës, duke forcuar identitetin dhe lidhjen me atdheun.



© Portali Shkollor Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

563 Lexime
16 orë më parë