Konferenca për mediat, Kumbaro apel maturantëve: Mosrespektimi i rregullores së Maturës Shtetërore ju penalizon!
Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, në konferencë për mediat apeloi maturantët të respektojnë rregulloren e Maturës Shtetërore 2026, duke paralajmëruar sanksione të forta për shkeljet. Ajo theksoi ndalimin e pajisjeve dhe rëndësinë e një procesi të drejtë. Theksohet proces i drejtë dhe transparencë.
Në konferencën e sotme për mediat që mbahet vetëm pak ditë para provimit të parë të Maturës Shtetërore 2026, ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro sqaroi detaje nga organizimi i punës për mbarëvajtjen e provimeve, ndërsa vuri theksin tek ashpërsimi i rregullave me qëllimin për të garantuar një proces të barabartë dhe të drejtë për të gjithë.
“Bëhet fjalë për një punë shumë voluminoze të filluar që në muajin dhjetor të vitit 2025, kur miratuam rregulloren e maturës shtetërore. Ka qenë një proces i përditshëm për maturantët, ka filluar me publikimin online të modeleve të provimeve disa muaj më përpara, duke u dhënë mundësinë të ushtrohet. Dhe ka kulmuar me testet provë në qendrat e provimeve, ku janë simuluar provimet e maturës, fiks në të njëjtat kushte siç do të zhvillohen në datë 2, 9, 16 dhe 23 qershor, që nga organizimi logjistik, deri te masat e sigurisë, ndarja në klasa, kryerja e provimit sipas kohëzgjatjes etj. Kemi 144 qendra provimi në gjithë vendin, janë mbi 170 monitorues direkt nga Ministria e Arsimit nëpër shkolla, është një proces që përfshin Ministrinë e Arsimit, Agjencinë Kombëtare të Arsimit Parauniversitar, Agjencinë e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin Parauniversitar, Drejtoritë Rajonale Arsimore, Zyrat Vendore Arsimore dhe sigurisht Qendrën e Shërbimeve Arsimore”, bëri me dije ministrja Kumbaro.
Më tej gjatë komunikimit me mediat, ministrja Kumbaro sqaroi se ka pasur një ashpërsim të kësaj rregulloreje krahasuar me vitin e kaluar, me detyra, përgjegjësi dhe sanksione të qarta që tek përgjegjësit e administrimit, tek administratorët, përgjegjësit e kateve, dhe tek përfaqësuesit e Ministrisë së Arsimit.
“Kemi nisur dhe po kryejmë një fushatë sensibilizimi për Maturantët, për çfarë nuk lejohet gjatë provimit, ku patjetër celularët, orët inteligjente dhe çdo pajisje e këtij lloji është rreptësisht e ndaluar. Dhe çdo thyerje e këtij rregulli do të sjellë automatikisht përjashtimin e maturantit nga provimi. Pra është një kosto që unë uroj të mos e marrë përsipër asnjë maturant, që të hedhë poshtë vitet e shkollimit vetëm për një gabim të tillë të pafalshëm”, tha ministrja Kumbaro.
Gjithashtu, ministrja Kumbaro kërkoi nga mediat bashkëpunim për të ndërgjegjësuar maturantët në respektimin e rregullores së provimeve dhe korrektësi gjatë procesit.
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Etika nën presion/ Gazetarja Marieta Mërkuri: Si e deformon mesatarja arsimin dhe çfarë duhet ndryshuar?
Kumbaro: Më 1 qershor nis puna për Strategjinë Kombëtare të Arsimit Parauniversitar 2027-2032; Rishikojmë ligjin për Arsimin e Lartë
Programi "Pas Shkolle", Kumbaro: Kemi dyfishuar pagesën për orë të çdo mësuesi që angazhohet në këtë projekt