
Korniza kurrikulare dhe planet mësimore ekzistuese do të jenë në fuqi edhe për vitin shkollor 2025-2026
Portali Shkollor i kërkoi ekspertit të arsimit, Fiqiri Çifliku, të interpretonte dokumentin e përditësuar të Kornizës Kurrikulare. Ai sqaron se për vitin shkollor 2025-2026 do të vazhdohet me planet mësimore, programet dhe librat ekzistues.
Nga Fiqiri Çifliku, ekspert arsimi
Në prag të vitit të ri shkollor 2025-2026, sistemi arsimor parauniversitar në Shqipëri ka hyrë në një fazë të rëndësishme tranzicioni. Por kjo është shoqëruar me një sërë paqartësish në lidhje me programet, planet lëndore dhe librat që do të përdoren në shkollat tona.
Me miratimin e Urdhrit nr. 610, datë 20.12.2024, Ministria e Arsimit ka hedhur bazat për rishikimin dhe përditësimin e paketës kurrikulare, duke miratuar Kornizën e re Kurrikulare dhe një plan të detajuar veprimtarish për zbatimin e saj.
Megjithatë, siç përcaktohet në pikën 2 të urdhrit nr. 610, datë 20.12.2024, Korniza Kurrikulare e Arsimit Parauniversitar ekzistuese, dokumentet e kurrikulave bërthamë dhe planet mësimore, si dhe programet lëndore qëndrojnë në fuqi deri në miratimin e kurrikulave për rishikimin dhe përditësimin e paketës sipas planit të veprimtarive kurrikulare që rrjedh nga ky dokument dhe afateve të zbatimit të tij. Deri sot që flasim, nuk janë publikuar vendime për miratimin e tyre.
Udhëzimin e Përbashkët nr. 20, datë 13.08.2025, për vitin shkollor që nis, ka theksuar me referencat nënligjore që citon se shkollat do të vazhdojnë punën me dokumentet ekzistuese kurrikulare, planet mësimore dhe tekstet shkollore aktuale. Kjo qasje sigurisht siguron stabilitet dhe vazhdimësi për mësuesit, nxënësit dhe institucionet arsimore, ndërkohë që përgatiten për zbatimin e dokumenteve të reja në afatet e përcaktuara.
Kështu në nenin 6 dhe 8 të udhëzimit nr. 20 theksohet ndër të tjera se në arsimi bazë (klasat I-V) do të zbatohet plani mësimor i miratuar me urdhrin nr. 203, datë 25.4.2023.
Në arsimi bazë (klasat VI-IX), do të zbatohet plani mësimor i miratuar me urdhrin nr. 127, datë 1.6.2021. Në arsimi i mesëm i lartë (gjimnazi), do të zbatohet plani mësimor i gjimnazit me kohë të plotë, miratuar me shkresën nr. 12789/1 prot., datë 28.12.2017 dhe plani mësimor i gjimnazit me kohë të pjesshme, miratuar me shkresën nr. 7380 prot., datë 20.7.2016.
Pra në interpretim të akteve aktuale del qartë se zbatimi në nivel shkolle do të vijojnë me përdorimin e teksteve shkollore ekzistuese, zbatimin e planeve mësimore dhe programeve lëndore në fuqi. Kjo detyron institucionet të hartojnë dhe përdorin materiale didaktike dhe instrumente për vlerësim në përputhje me dokumentacionin aktual.
Është shumë e rëndësishme që të ketë një komunikim më të qartë nga institucionet përgjegjëse, duke synuar të sigurojë qartësi dhe vazhdimësi për të gjitha institucionet arsimore, mësuesit dhe nxënësit, duke garantuar një vit shkollor të strukturuar dhe të mbështetur në dokumentet kurrikulare të miratuar.
“Në vitin e ri shkollor, librat e vjetër nuk janë të vjetruar, janë udhërrëfyes të një rruge që ende nuk ka përfunduar. Reforma po vjen, por rruga është e njohur.”
© Portali Shkollor - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Etika nën presion/ Gazetarja Marieta Mërkuri: Si e deformon mesatarja arsimin dhe çfarë duhet ndryshuar?
Drejtoresha Anila Çota rrëfen rrugëtimin e shkollës “Qamil Guranjaku” si fituese e vendit të dytë në Konkursin e Gjuhës Shqipe
Si të bëhesh oficer sigurie në shkolla? Eksperti i arsimit, Fiqiri Çifliku: Ja procedurat, kriteret dhe ndryshimet në VKM nr. 600