Procesi

Ku bazohet vlerësimi i brendshëm i shkollës?

Vlerësimi i brendshëm i shkollës është i nevojshëm përsa i përket sigurimit të cilësisë së shkollës. Ai bazohet në reflektimin profesional dhe ka për qëllim ndërgjegjësimin e mësuesve, organizmave kolegjiale të shkollës e drejtuesve drejt ndryshimit për përmirësimin e shkollës. Artikull nga Alma Troka.

Vlerësimi i brendshëm i shkollës është i nevojshëm përsa i përket sigurimit të cilësisë së shkollës. Ai bazohet në reflektimin profesional dhe ka për qëllim ndërgjegjësimin e mësuesve, organizmave kolegjiale të shkollës e drejtuesve drejt ndryshimit për përmirësimin e shkollës. 


Shkolla harton misionin dhe vizionin e saj dhe mban përgjegjësi për plotësimin e tyre.


Kjo përgjegjësi duhet provuar duke ofruar të dhëna bindëse për sukseset e tyre, si dhe një plan të qartë pune, i cili tregon rrugët e përmirësimit të gjendjes së shkollës. Procesi i vlerësimit kryhet gjatë gjithë vitit dhe kalon në disa etapa:


A-Planifikimi

B-Mbledhja e të dhënave

C-Analizimi dhe gjykimi i të dhënave

D-Raporti i vlerësimit të brendshëm

E-Plani i përmirësimit

F-Monitorimi i zbatimit të planit të përmirësimit


Grupi i vlerësimit të brendshëm harton kalendarin mujor të veprimtarive të vlerësimit të brendshëm për fushat, treguesit e cilësisë që do të vlerësohen gjatë vitit shkollor. Ndër etapat më të rëndësishme të vlerësimit të brendshëm janë analizimi i të dhënave dhe gjykimi i tyre në përputhje me shkallët e vlerësimit. Ai harton raportin e vlerësimit të brendshëm ku jepet një shpjegim i qartë i situatës. 


Grupi i përbërë prej drejtuesve të shkollës (drejtor, nëndrejtor) dhe kryetar të ekipeve lëndore analizon të dhënat e mbledhura të shkollës si vetëvlerësimet individuale dhe ato në nivel organizmash për procesin e vlerësimit të brendshëm të shkollës bazuar në fushat, treguesit, përshkruesit. Ai evidenton pikat e forta dhe ato që kanë nevojë për përmirësim në nivel shkolle krahasuar me kriteret e cilësisë për të katër fushat. Këto të dhëna gjykohen nëpërmjet përshkruesve praktikë. Përshkruesit praktikë të treguesit të vlerësuar në nivelin:

           Niveli  4-janë pika të forta që shkolla duhet t’i ruaj.

           Niveli  3-janë arritje që duhen ruajtur dhe ngritur në nivel më të lartë.

           Niveli  2-janë aspekte që kërkojnë mirëplanifikim, me plane të qarta përmirësimi.

           Niveli  1-janë aspekte që kërkojnë ndërhyrje urgjente, me plane të qarta përmirësimi.


Vlerësimi i brendshëm i shkollës kryhet sipas shkallëve të vlerësimit, në nivel të përshkruesve praktikë, në nivel të treguesve të cilësisë, në nivel të fushave të cilësisë. Vlerësimi i çdo fushe realizohet nga gjykimi i analizimit të të dhënave.


A-Për vlerësimin e fushës “Cilësia e mësimdhënies dhe e të nxënit” këto të dhëna burojnë nga:

  • Vetëvlerësimet individuale të mësuesve mbështetur në treguesit dhe përshkruesit praktikë të kësaj fushe. 
  • Vlerësimet e mësuesve.
  • Pyetësorë, intervista, fokus grupe, anketime me prindër, nxënës, mësues etj.

B- Për vlerësimin e fushës “Drejtimi dhe menaxhimi”realizohet gjykimi i analizimit të të dhënave që burojnë nga:

  • Vetëvlerësimi i stafit të drejtorisë mbështetur në treguesit dhe përshkruesit praktikë të kësaj fushe.
  • Pyetësorë, intervista, anketa me prindër mësues nxënës etj, fokus grupe.


C-Vlerësimi i fushës “Vlerësimi dhe arritjet e nxënësve “realizohet nga gjykimi dhe analizimi i të dhënave që burojnë nga:

  • Vetëvlerësimi individual i mësuesve mbështetur në treguesit dhe përshkruesit praktikë të kësaj fushe.
  • Raportet, analizat, informacionet, për vlerësimin e arritjeve të nxënësve në nivel shkolle.
  • Krahasimi i arritjeve në nivel rajonal, lokal në përputhje me Kartën e Performancës së Shkollës.
  • Pyetësorë, intervista, fokus grupe, anketime me mësues, prindër, nxënës etj.


D-Vlerësimi i fushës “Mirëqenia dhe sjellja e nxënësve”realizohet nga gjykimi dhe analizimi i të dhënave që burojnë nga: 


  • Vetëvlerësimi individual i mësuesve lëndorë dhe i mësuesve ndihmës mbështetur në treguesit dhe përshkruesit praktikë të kësaj fushe.
  • Vetëvlerësimi individuale i psikologut, punonjësit social.
  • Pyetësorë, intervista, fokus grupe, anketime me mësues, prindër, nxënës etj.


Në procesin e vlerësimit të brendshëm mblidhen gjykime mbi analizën e të dhënave.


Në tabelë sipas niveleve të vlerësimit për përshkruesit dhe treguesit e cilësisë për çdo fushë bëhet sintetizimi i gjykimeve mbi analizën e të dhënave të grumbulluara mbështetur në burime të ndryshme. Për çdo tregues të cilësisë së fushës sipas niveleve të vlerësimit 1,2,3,4 të llogaritura këto për çdo përshkrues, llogaritet norma e vlerësimit në përqindje. 


Ne tabelën e mëposhtme është dhënë mbledhja e gjykimeve mbi analizën e të dhënave të grumbulluara nga grupi qendror mbështetur në disa burime. 

Për çdo tregues paraqitet arsyetimi mbi vlerësimin e treguesit ku tregohen pikat e forta dhe pikat që kanë nevojë për përmirësim. Shkalla e vlerësimit të fushës del si mesatare e normës së vlerësimit të treguesve të fushës së cilësisë.  

Sipas shkallës së vlerësimit tregohen pikat e forta dhe pikat e dobëta që kanë nevojë për përmirësim në fushën përkatëse.


Në përfundimet e përgjithshme vlerësimi i shkollës bazuar në gjykimet e analizës së të dhënave për katër fushat e cilësisë së shkollës tregon pikat e forta, pikat që kanë nevojë për përmirësim dhe jep arsyetimin e dhënë mbi vlerësimin e fushës. 


Raporti i vlerësimit të brendshëm do të orientojë shkollën për përmirësim të vazhdueshëm të treguesve të saj në të ardhmen me anë të planeve konkrete të përmirësimit për të arritur pritshmëritë.



REFERENCA

Janaqi, G., Çobaj,T., Veli,E. , Ucaj, M., Muça, Sh., Sina, I. (2020)  ¨Korniza e vlerësimit të cilësisë së shkollës¨.

Janaqi, G., Çobaj,T., Veli,E. , Ucaj, M., Muça, Sh., Sina, I. (2020) ¨Metodologjia e vlerësimit të brendshëm të shkollës¨.



Përgatiti Alma Troka, nëndrejtore

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

2,440 Lexime
1 vit më parë