Kundër punësimit me detyrim/ Studentët e fakultetit të Mjekësisë dalin në protestë
Me thirrjet “standard jo diktaturë”, studentët e mjekësisë së UT-së po protestojnë në ambientet e rektoratit. Njëzëri, studentët thanë se përballë fenomenit që po përballet vendi ynë, është e udhës që shteti të japë zgjidhje e jo të detyrojë studentët të punojnë 3 vite me detyrim në Shqipëri...
Studentët e Mjekësisë janë hedhur sot në protestë, në shenjë kundërshtie për draftin që i detyron ata që të punojnë në Shqipëri për 3 vite.
Para nisjes së studimeve, studentët e mjekësisë duhet të firmosin kontratë për të punuar të paktën 3 vite në atdhe, pas përfundimit të studimeve duke i mbajtur peng diplomën, ose në të kundërt do paguajnë tarifën vjetore të shkollimit, me koston reale, vlerë e cila ende nuk është përcaktuar. Por këtë gjë, studentët e mjekësisë e kundërshtojnë.
Një nismë e tillë që ende nuk është bërë konkrete, u paralajmërua nga kryeministri Rama në Kongresin e parë të Shëndetësisë të mbajtur nga Ministria e Shëndetësisë në fillim të këtij muaji.
Në prononcime për mediat, ata u shprehën të vendosur se nuk do i ndalin protestat dhe se nuk do bëjnë kompromise. Një përfaqësuese e tyre u paraqit se ishin kundër kësaj ideje, ndërsa shtoi se ky rregull nuk është zgjidhje për të frenuar ikjen e mjekëve.
“Jemi kundër idesë që ministria e Arsimit dhe e Shëndetësisë, për të parandaluar ikjen e mjekëve. Kjo bie ndesh me parimet demokratike, atë të lëvizjes së lirë. Një vend si Shqipëria, që synon BE, është vendim shumë diskriminues. Nuk pretendohet se shkollimi vlen kaq shtrenjtë. Nuk do ta pranojmë këtë vendim. Nuk duam që në shtator të gjendemi pabesisht. Pyeteni veten se pse po ikin mjekët? Çfarë po bëni për t’i mbajtur? Përmirësoni arsimin dhe sistemin shëndetësor. Përmirësoni kushtet. Studentët e Mjekësisë ftohen, jo detyrohen!”, tha protestuesja.
“Ne nuk duam të ndihemi të kushtëzuar, e vendosim vetë se çfarë do bëjmë me jetën tonë. Ne duam të rrimë këtu, të ikim jashtë, është puna jonë dhe askush tjetër. Tarifa 5 mijë euro është marramendëse. Ne do jemi gjithnjë kundra dhe nuk ndalemi nga protestat.”- tha një tjetër student.
Vijon....
Kaltra Tafani
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
9 karakteristikat e një mësuesi të mirë
Të drejtat dhe detyrat e nxënësve, mësuesve e prindërve
Licencohet për herë të parë “Mësuesi Ndihmës”, në kuadër të profilit “Arsim Special”