Reflektim

“Kur dy pavarësi bashkohen në një familje” - Ja ç’na sjellin pushimet verore!

“Një lexim i mirë, një shëtitje e këndshme ju bën më të integruar në çfarëdo lloj shoqërie ku të ndodheni. S’mbart asnjë peshë dëftesa e rezultateve të shkëlqyera, për sa kohë që nuk guxoni të integroheni dhe të socializoheni”, shkrim reflektues nga Evans Drishti.

Nga Evans Drishti 


E ç’nuk mund të përftosh nga magjia e një udhëtimi mbresëlënës e plot labirinte!... 


Këtë herë ishin brigjet e arta të Kleopatrës bregdetare, që i bashkuan zemrat e ngrohta të trevave shqiptare, aty ku syri vëzhgues shpërthen në përplasje me ngjyrat rrezatuese të natyrës verore. Shpirti dhe mendja e njeriut notojnë hareshëm në ëmbëlsinë e flladeve freskuese e ledhatuese të pishave e palmave shtatlarte e vigane, rrethuar nga larmia përthithëse e ngjyrave ylberiane të luleve kudondodhura.


Një takim rastësor me një familje kosovare Prishtinase rrezaton dhe reflekton mirësinë, urtësinë, ngrohtësinë, intelektualitetin, fisnikërinë shqiptare. Siç ndodh në të zakontë, nis një prezantim i shkurtër miqësor, i cili vijon në mënyrë të natyrshme të shpalosë botën shumëngjyrëshe të mendjeve dhe zemrave të lira shqiptare që kanë ardhur të shijojnë momente të ngrohta çlodhëse dhe argëtuese. 


Trevat shqiptare unifikohen gjithnjë si në aspektin shpirtëror ashtu edhe në atë ideor, pasi kultura dhe tradita shekullore kanë depërtuar lirisht në mendjen dhe shpirtin shqiptar duke u përcjellë në mënyrë rigoroze dhe të qartë të mbështjella me dashurinë për kombin dhe gjuhën e vyer shqipe. 


Ja që rastësia ç’nuk të sjell!... 

Fëmija i parë i çiftit nga Prishtina ishte një vogëlushe princeshë me sy xixëllues, flokartë që rrezatonte veç gjallëri dhe mirësjellje. Deri këtu asgjë s’të çudit në fakt. Prindi, me plot krenari dhe dashuri vijon të tregojë se ditëlindja e së bijës përkonte me datën 17 shkurt, një datë kjo e shënuar e Pavarësisë së Kosovës. 


Nga ana tjetër, 

Çifti kishte edhe një djalë më të vogël, flokëgështenjë, sykaltërosh, shumë i çiltër dhe fort i lidhur pas prindërve të vet. Ndërkaq, sërish prindi vijonte me plot dashamirësi e krenari të tregonte se ditëlindja e të birit përkonte me datën 28 nëntor, datë kjo e Pavarësisë së Shqipërisë. 


Si të mos mjaftonin këto dy rastësi, dy fëmijët e kësaj familjeje kosovare kishin mësuar me plot zell dhe kënaqësi historitë e pavarësisë së Shqipërisë dhe të Kosovës. Habitesh ndërkaq, teksa dëgjon nga fëmijët se sa bukur, sa me emocion, rrëfejnë ngjarjet e ndodhura në arritjet e dy pavarësive, personazhet kryesorë, datat e shënuara dhe emrat e vendeve të trevave shqiptare. Mbi të gjitha, përshtypje të bën përdorimi aq i bukur dhe i rrjedhshëm i gjuhës shqipe. 


Të dy fëmijët rrezatonin mirësi dhe urtësi të ushqyer me një identitet të mirëfilltë shqiptar, trashëguar me aq pasion dhe kënaqësi nga prindërit e tyre intelektualë, e natyrshëm edhe nja gjeneza e tyre shqiptare. 



Dëshironi të përftoni njohje të reja? 

Udhëtoni sa më shumë. 

Dëshironi të kuptoni mendje intuitive dhe produktive? 

Bashkëpunoni sa më shumë. 

Dëshironi të kuptoni mendësi dhe botëkuptime të ndryshme? 

Integrohuni sa më shumë. 

Dëshironi të kuptoni aftësitë perceptuese dhe gjykuese të njerëzve?

Lexoni sa më shumë. 


Një lexim i mirë, një shëtitje e këndshme ju bën më të integruar në çfarëdo lloj shoqërie ku të ndodheni. 

S’mbart asnjë peshë dëftesa e rezultateve të shkëlqyera, për sa kohë që nuk guxoni të integroheni dhe të socializoheni. 

Sot mësuat se ç’rol dhe peshë të madhe mbart pavarësia e vendit tënd në lirinë e mendimit dhe të veprimit. 

Po e nesërmja çfarë do ju sjell?


Integrohuni që të kuptoni diçka më shumë përtej vetes!...  




© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

405 Lexime
3 muaj më parë