Analizë

Lehtësoni punën mësimore të nxënësit që të fitoni ambicien e tij

Çdo nxënës është një krijesë njerëzore që kërkon respekt dhe mbështetje për rrugëtimin që ka nisur. Dhuntitë dhe aftësitë që zotëron janë reflektime që ia lehtësojnë punën mësimore dhe edukative një mësimdhënësi për të dhënë atë që është më e pranueshme për të.

U ulëm menjëherë në bankat përkatëse, nga ku do të dëgjonim shpjegimet e mësimdhënësit, që në fakt i përkiste një moshe të hershme, tashmë pak pa dalë në pension. E prisnim si me padurim orën e tij, kjo pasi mënyra e të shpjeguarit s’kishte asnjë rutinë, përkundrazi gjithçka vinte esenciale e ndërthurur me realitetin ku jetonim. Shpjegimet bëheshin me nënvizime të caktuara në tekstin libror të shoqëruara më pas edhe me shpjegimet skematike që realizoheshin në tabelën e zezë, që për hir të së vërtetës kot fare që i kishte ngelur një emërtim i atillë, pasi për ne, çdo gjë e pasqyruar vinte me një bardhësi dhe ndriçim krejtësisht tjetër.

Qartësoheshim mjaft mirë për çdo të dhënë që përfshihej në “thelbësore”, për rrjedhojë secili prej nesh s’e kishte aspak të vështirë të përqendrohej në atë çfarë kërkohej. Aty – këtu mundohej të na jepte ndonjë të dhënë me shkrim edhe për të na ushtruar edhe për të na afruar me një lloj identiteti për të cilin natyrshëm ndjenim një nevojë të kohës. 

Secili përfshihej në atë proces mësimor, pa asnjë lloj druajtjeje, pa asnjë lloj hezitimi, kjo sepse mësimdhënësi përdorte një gjuhë të larmishme komunikimi pa lënduar askënd. Çdonjëri prej nesh e gjente veten mjaft mirë aty, sepse mësimdhënësi përherë na e lehtësonte punën tonë, asnjëherë nuk na e vështirësonte… 

Kishte edhe prej atyre mësimdhënësve, të cilët s’pyesnin fare për “lehtësime”, pasi qenë mësuar përherë të“ushtronin” seriozitetin e tyre në të qenurit “strikt” apo “besnik” ndaj “të shkruarës” në libër. 

E bezdisshme dhe shqetësuese bëhej ajo orë mësimore dhe sa herë që vinte ajo ditë një ndrydhje shpirtërore përjetonim të gjithë. Një vrazhdësi në paraqitjen e jashtme se si reflektonte ashtu në mënyrë të menjëhershme edhe në “procesin e shpjegimit”. Çdo gjë kërkohej fjalë për fjalë, çdo gjë kërkohej “mekanikisht”, për çdo të dhënë thuhej se “ishte e rëndësishme” dhe se duhej mësuar medoemos. 

Diçka ishte më se e sigurtë, ajo që “mësohej” atë ditë, “harrohej” menjëherë të nesërmen. 



Librat shkollorë kanë qenë dhe mbeten përherë orientuesit kryesorë për një mbarëvajtje të procesit mësimorë. Çdo tematikë trajtohet në mënyrë të detajuar duke ofruar aspekte të nevojshme të renditura në mënyrë kronologjike.

Megjithatë, ja që në realitetin e sotëm brezi i ri, i përqendruar dhe i dhënë së tepërmi pas teknologjisë, ka krijuar një lloj distancimi me tekstet shkollore duke “u ftohur” nga të dhënat librore me idenë dhe qëllimin e mirë për gjetje të rrugëve sa më të shkurtra të të dhënave informuese për shkencat e ndryshme. 


Puna me nënvizime


Një mënyrë e integruar për t’ia lehtësuar punën nxënësve për t’u afruar sa më shumë me “librin” është edhe nënvizimi i pjesëve “kryesore”:

  • Orientimi i mirëfilltë dhe i saktë i mësimdhënësit me materialin libror, pavarësisht se është krijuar ideja e një njohje mjaft të mirë të atij materiali nisur nga eksperienca në punë. 
  • Përcaktimi i çështjeve bazike që të çojnë drejt një kuptimi të plotë të temës së ditës. 
  • Nënvizimi i frazave dhe i terminologjisë kyçe që përbëjnë edhe boshtin qendror të tematikës së ditës. 
  • Nëpërmjet terminologjisë së nënvizuar nxënësve u jepet mundësia të forcojnë imagjinatën e tyre për të qenë pjesë e brendshme e temës në fjalë. 
  • Nënvizimi i disa aspekteve teorike shoqëruar me shtjellime përkatëse krijojnë një bazament të rëndësishëm të palëkundshëm për më tutje. 
  • Përcaktimi dhe nënvizimi i argumentimeve për çështje specifike e bëjnë nxënësin më të përqendruar dhe të fokusuar tek “thelbi” 
  • Analizat e detajuara shpjegohen nëpërmjet një bashkëbisedimi në klasë duke mos e lodhur së tepërmi nxënësin në aspektin vizual. 
  • Përgatitja e një fletëpalosjeje dyfaqëshe me të dhëna të shkurtra dhe konkrete të materialit libror si një “busull orientuese” për nxënësit për një lehtësim të punës së tyre. 



Skematika 


Mendoni për një moment kur në një temë të caktuar jepet një paragraf, p.sh rreth përmbajtjes së një vepre.

Një rrugë mjaft efikase është edhe ndërtimi i një skeme orientuese në tabelë, ku nxënësi të ketë mundësi të orientojë logjikën e tij më shpejt se sa të lexojë me detaje të dhënat e shkruara në libër. Kështu:


Metoda “Kllaster” e paraqitur edhe në materialet udhëzuese për mësuesit është një mundësi mjaft efikase që nxënësi të krijojë një orientim sa më të qartë dhe të pranueshëm. 


“Harta e koncepteve” një tjetër metodë mjaft koncize që nxënësi të krijojë një ide të qartë rreth temës në fjalë. Në një metodë të tillë të dhënat jepen shumë koncize dhe bazike, brenda një logjike të kuptueshme dhe pa qenë e nevojshme një “stërmundim” i nxënësit në akumulimin e njohurive të kërkuara.


“Di, Dua të di, Mësova” është një variacion i vënë mjaft në përdorim për një lehtësim të dukshëm të marrjes së njohurive bazë. Të dhënat ofrohen përmbledhtazi, në mënyrë të saktë, të qartësuara dhe pa fraza të shumta apo detaje të panevojshme.


  • Le ta kuptojmë vizionin dhe botëkuptimin e fëmijës nëpërmjet bisedave të larmishme dhe një atmosfere të këndshme që duhet krijuar në klasë. 
  • Minutazhi i një orë mësimore është i mjaftueshëm për të realizuar synimet që kërkohen të arrihen qoftë për pyetje – përgjigje, qoftë për shpjegime konkrete dhe të qarta, qoftë për bashkëbisedime të lira, qoftë edhe për argëtime të larmishme. 
  • Të mos pretendojmë të jepet gjithçka brenda këtij minutazhi të përcaktuar, pasi në fund të fundit procesi mësimor është një “orë orientuese”. E rëndësishme është që nxënësit t’i jepet një çelës për të kuptuar temën e ditës e gërshetuar padyshim me materiale ndihmëse që ngjallin më shumë interesimin e nxënësit për të kuptuar atë që ofrohet. 
  • Të gjitha orientimet nisen nga nxjerrja në pah e “fjalëve kyçe’ dhe “terminologjisë” përkatëse. Ka shumë rëndësi që nxënësi ta konceptojë tematikën e dhënë nga “tema mësimore” duke krijuar lidhje logjike me disa çështje bazike. 
  • Le ta përqendrojmë vëmendjen tonë në “punën me grupe” dhe “puna individuale” duke u impenjuar tek praktika mësimore. P.sh në lëmin e letërsisë, kur të flasim për figurat stilistikore, puna praktike në këtë rast ka një rol kyç duke i ofruar nxënësit tekste të larmishme letrare, ku nxënësi përqendrohet të gjejë dhe të kuptojë përdorimin e figurave stilistikore. Nëpërmjet punës me tekstin ai qartësohet të kuptojë edhe përdorimin e figuracionit edhe logjikën e funksionit në tekste të ndryshme. 
  • Ka shumë rëndësi që orët mësimore të mos zhvillohen vetëm në ambientin e klasës. Përkundrazi korridori i shkollës, holli në hyrje të shkollës, biblioteka, ambienti i këshillit pedagogjik, oborri, madje le të dilet edhe përtej territorit të shkollës, ku një vizitë mund të bëhet edhe në oborre familjare apo edhe në ambiente të natyrës duke krijuar atmosfera të këndshme dhe natyrshëm të paharrueshme. 
  • Krijimi i tryezave të rrumbullakëta, konkurset e herëpashershme, lojërat në grupe, puna me fishe janë vetëm disa prej alternativave që jo vetëm e lehtësojnë procesin mësimor, por nxjerrin më në pah identitetin dhe karakterin e nxënësit duke formuar një personalitet që kërkon integrimin. 
  • Gërshetimi i lojërave popullore me tematikat e ndryshme mësimore ofron një risi dhe një gjallëri krejtësisht tjetër për çdo natyrë nxënësi duke lënë një impresionim të fortë në botën e tij dhe duke forcuar natyrshëm edhe spektrin e tij të gjykuarit dhe të vlerësuarit. 



Të mos harrojmë:

Çdo nxënës është një krijesë njerëzore që kërkon respekt dhe mbështetje për rrugëtimin që ka nisur. Dhuntitë dhe aftësitë që zotëron janë reflektime që ia lehtësojnë punën mësimore dhe edukative një mësimdhënësi për të dhënë atë që është më e pranueshme për të. 



Nga Evans Drishti 



© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.  

2,323 Lexime
2 vjet më parë