APELI

Letra e mësueses italiane, Rosanna Badalamenti: E dashur ministre, unë nuk kam çfarë të vlerësoj!

Kjo është letra ndoshta më e veçantë që i është drejtuar një ministreje arsimi këto kohë, shkruar nga një mësuese italiane. Rosanna Badalamenti nëpërmjet kësaj letre apelon që nxënësit nuk duhen të vlerësohen me nota dhe se një vlerësim i tillë i duket i pakuptimtë, referuar gjithë situatës që përjetuam.

E dashur ministre,

unë nuk kam asgjë për të vlerësuar, veçse kam shumë për të rikuperuar në muajin shtator dhe as që nuk ishte e nevojshme që këtë ta vinit në dukje. 


Unë, nëse dëshironi, mund të vlerësoj gjendjen time shpirtërore dhe gjendjen time shëndetësore.


Mund ta nis duke thënë se kam humbur shikimin e qartë, nuk di ta them me saktësi se sa numra mund të më kenë ndryshuar syzet optike dhe kjo për hir të së vërtetës është e keqja më e vogël. 


Kam humbur qetësinë, kjo jo vetëm sepse një virus i mallkuar na ka vjedhur diellin, ujin dhe qiellin blu, por sepse për fëmijët kam mundur të bëj fare pak, "fshehur" pas një kompjuteri. Dhe të më falësh që nuk merrja vesh nga “Weschool”, “Zoom” dhe platforma të tilla të ngjashme për zhvillimin e mësimit online. Më fal nëse di të jap mësim shumë më mirë në një klasë fizike! 


Ajo që munda të mësoj përgjatë kurseve online, të ofruara falas nga shkolla ime dhe ajo që kam mësuar përmes videove mësimore, më kanë bërë pak më shumë eksperte në teknologji, por nuk më kanë dhënë duar dhe krahë për të përkëdhelur fëmijët, kur nga ana tjetër e ekranit të kompjuterit i kam parë të qajnë! Këto forma teknologjike nuk më kanë dhënë as aromën e lumturisë së tyre, kur me sy më kanë thënë “Mësuese, e kuptova”, sepse në video konferenca shohim por nuk ndjejmë, ndjejmë por nuk shihemi dhe në rastin kur ndodh që edhe shihemi dhe ndjejmë, kemi kaq shumë gjëra për t’i thënë njëri-tjetrit, saqë koha e mësimit është e paktë, e  reduktuar. Po me të vërtetë, ka klasa virtuale dhe detyra të cilat duhen përcaktuar dhe ndjekur. 


Prindërit u përpoqën shumë që t’i siguronin fëmijëve të tyre një paisje elektronike me ekran për të zhvilluar mësimin online, i ndihmuan ata të bënin detyrat; shpesh herë ndjen trishtim dhe lodhje, por nuk mundën t’i nxirrnin fëmijët jashtë, ju kujtohet? 

“Unë qëndroj në shtëpi”, dhe ata qëndruan në shtëpi! 


A e dini ju se çfarë do të thotë për një fëmijë të qëndrojë në shtëpi, pa miq, të afërm, gjyshër, ose pa luajtur? Një fëmijë që nuk mund të luajë është një fëmijë me krahë të prera dhe që nuk mund “të ftuturojë”. 


Duhet ta dini zonja ministe që fëmijëve nuk u bëhet vonë për detyrat. Përndryshe nuk do të ishin fëmijë!


Po unë çfarë duhet të bëjë?


A duhet t’i vlerësoj ata me notë? Për çfarë, ma tregoni! 


T'i vlerësoj se si kanë mundur ata t’i rezistojnë dhe t’i bëjnë ballë kësaj gjendjeje?


T'i vlerësoj se vazhdojnë të më thonë “Mësuese na mungon”. Apo duhet t’i vendos nota për një program që nuk mundën ta përfundonin? Për çfarë duhet t’i vlerësoj?


Unë nuk vlerësoj asgjë!


Unë bëra atë që munda. Prindërit bënë atë që mundën. Të gjithë kemi bërë aq sa mundëm! Madje, fëmijët janë ata që kanë bërë shumë më shumë: ata mundën të na “duronin”!


Ndaj, të ecim përpara tani...të shkojmë në shtator dhe të shpreojmë që vërtetë gjithçka do të shkojë mirë. 


Shkolla, zonja ministre, për atë që e përjeton vetë, është jetë!

Jeta nuk mund të futet brenda një "kutie" kompjuteri! 



Nga Rosanna Badalamenti

(Një mësuese, që jep mësim për klasën e dytë dhe që nuk e ka kuptuar se çfarë duhet të vlerësojë)



Marrë nga: https://www.scarpellino.com/2020/05/09/la-letterea-di-una-maestra-cara-ministra-io-non-ho-nulla-da-valutare/?fbclid=IwAR1mdVB-5JVJBWE-2pgdaj93Lb98XrO2-q1sd-tLnyQ_En028don4N_V5JQ



Përshtati: Nanila Allkja Biçaku 


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.


17,394 Lexime
4 vjet më parë