Lëvizjet paralele të mësuesve: Nevoja për rregulla të qarta, unifikim dhe transparencë

Paqartësitë dhe zbatimet selektive të udhëzimeve për lëvizjet paralele të mësuesve po cenojnë drejtësinë dhe transparencën në sistemin arsimor. Fiqiri Çifliku thekson nevojën për unifikim procedurash, vlerësim të drejtë dhe mbështetje reale për stafet në terren.

 Nga Fiqiri Çifliku, ekspert arsimi 


Lëvizjet paralele me detyrim të mësuesve kryhen sipas Udhëzimit nr. 8, datë 3.5.2024, “Për procedurat e pranimit, të pezullimit dhe të largimit të mësuesit nga një vend pune, si dhe administrimit të portalit “Mësues për Shqipërinë”, i ndryshuar. Kur në një institucion arsimor bie numri i orëve mësimore të një profili/lënde, drejtuesi i institucionit ngre një komision për shqyrtimin dhe vlerësimin e dosjeve të mësuesve të atij profili/lënde. Komisioni përbëhet nga drejtori i shkollës si kryetar, një mësues i zgjedhur nga këshilli i mësuesve dhe kryetari i këshillit të prindërve të institucionit. Detyra e komisionit është të bëjë vlerësimin e dosjeve të të gjithë mësuesve me kontratë pune me afat të pacaktuar të profilit/lëndës për të cilën bie numri i orëve, dhe të publikojë rezultatet e vlerësimit në mjediset e institucionit.


Vlerësimi i dosjeve në shkollat e bashkuara bëhet për të gjithë mësuesit me kontratë pune me afat të pacaktuar, të arsimit të mesëm të ulët ose të arsimit të mesëm të lartë ku ka rënë ngarkesa mësimore. Drejtori përcjell në ZVAP mësuesin/it që ka/kanë dalë me më pak pikë dhe ka/kanë ngelur pa ngarkesë mësimore.


Në kohën vlerësimit të dosjeve reflektohen shumë probleme. Rënia e numrit të nxënësve i sjell këto probleme dhe sigurisht që do të duhet të zgjidhen nga institucionet, por ajo që referohet gjerësisht janë paqartësitë apo zbatime jo të unifikuara të "akteve ligjore e nënligjore"—siç e thonë tani rëndomë kur duan të heqin qafe... ka krijuar një terren ku interpretohen rregullat sipas konteksteve të veçanta, duke cenuar barazinë, drejtësinë dhe besueshmërinë e procesit. Kjo situatë nuk është e re, por duket se çdo vit sjell një shtresë të re komplikimesh. Në fund, barazia para ligjit mbetet një ideal, ndërsa realiteti shpesh tregon se disa janë më "të barabartë" se të tjerët. 


Unifikimi i procedurave është jetik për të shmangur paqartësitë dhe interpretimet selektive, duke garantuar që çdo drejtor të ketë udhëzime të qarta e të unifikuara. Mbështetja për mësuesit dhe stafet drejtuese, nuk duhet të jetë thjesht një premtim administrativ, por një strategji e menduar mirë që fuqizon aktorët kryesorë të arsimit. Transparenca nuk është luks, por një domosdoshmëri për të ndërtuar besim dhe për të shmangur arbitraritetin në vendimmarrje. Më poshtë po listoj disa nga çështjet që kanë ndikimin më të madh: 


Rënia e numrit të nxënësve dhe pasojat


Shkollat janë duke u përballur me reduktimin e numrit të nxënësve, duke imponuar ristrukturime, zhvendosje dhe në disa raste, mbyllje të institucioneve. Ky realitet kërkon qasje të qartë dhe unifikim të udhëzimeve, që të shmangë interpretimet subjektive mbi rolet, përgjegjësitë dhe kriteret e vlerësimit të stafit arsimor. 


Sindikatat, koordinatorët dhe favorizimet


Disa përfaqësues të sindikatave përfitojnë përjashtime nga gara, duke përfituar privilegje që dëmtojnë konkurrencën e drejtë. Një tjetër aspekt që ka shtuar konfuzionin është numri i lartë i koordinatorëve, nga ai i cilësisë, te ai i karrierës e deri tek SMIP. Përcaktimi i roleve të tyre dhe ndikimi në strukturën e shkollës shpesh mbetet i paqartë, duke i dhënë vendime të rëndësishme individëve pa një kornizë të qartë funksionale. 


Vlerësimi i diplomave, kualifikimit, viteve të punës gjuha e huaj dhe parimi i meritokracisë


Dilema mbi vlefshmërinë e diplomave dhe ndryshimet e vazhdueshme në kriteret e vlerësimit krijojnë pasiguri mes mësuesve: A duhet një diplomë më e lartë për arsimin bazë apo të mesëm? A ka rëndësi nëse një mësues është në shkollë qendër apo në vartëse? A vlen më shumë një diplomë para Sistemit të Bolonjës apo pas. A vlen më shumë një master profesional apo një master shkencor. A llogaritet një master i dytë në vlerësimin e dosjes. Sa pinë merr nëse ke një dy apo tre gjuhë të huaja? Sa kreditë vlejnë dhe të cilit vit duhet të jenë? Po vitet e e punë a vlejnë njësoj leja e lindjes, puna në institucion që nuk ka lidhje me arsimin apo si drejtues apo specialist arsimi. Sa vlen vlerësimi i kualifikimit nëse dikur ishte pa pikë dhe sot ka forma të tjera vlerësimi? Këto ambiguitete lejojnë favorizime dhe përzgjedhje të diferencuar, duke zbehur parimin e meritokracisë që duhet të udhëheqë sistemin arsimor. 


Gjithë ky kaos administrativ e bën transparencën jo thjesht një ideal, por një domosdoshmëri. Proceset e vlerësimit, lëvizjet dhe vendimet duhet të jenë të qarta, publike dhe të pavarura nga lidhjet personale apo politike. Një sistem ku të gjithë janë të barabartë para ligjit, por ku disa janë "më të barabartë" se të tjerët, do të vazhdojë të prodhojë pakënaqësi dhe pasiguri. 


A ka zgjidhje? Po, kjo mund të ndodh përmes unifikimit, transparencës dhe mbështetjes. Nëse arsimi publik nuk arrin të jetë i strukturuar dhe i bazuar në meritë, atëherë brezat e ardhshëm do të vuajnë pasojat. Nuk mjafton thjesht administrimi i përditshëm, duhen rregulla të qarta, procedura të menduara mirë dhe një vizion i përbashkët për të ardhmen.


E sigurisht nuk mbetem vetëm tek konstatimet por edhe tek propozimet konkrete për ngritjen e një modeli të njëtrajtshëm dhe të qëndrueshëm që nënkupton: 


  • Një udhëzim unik dhe tërësor për të gjithë drejtorët e shkollave, i shoqëruar me manuale të detajuara, të hartuara dhe miratuara nga MAS për të shmangur interpretimet individuale. 
  • Mbështetje reale për bazën, përmes qartësimit të roleve dhe përgjegjësive. 
  • Vlerësim i drejtë dhe i unifikuar për të gjitha diplomat dhe dokumentacionin tjetër, duke eliminuar lojërat e dyfishta në sistem. 
  • Transparencë maksimale në vendimmarrje, duke bërë çdo proces të prekshëm dhe të verifikueshëm.


©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,861 Lexime
3 ditë më parë