Opinion

Luan Stafasani: Drejtor lind apo bëhesh?

Ashtu siç mësuesi ka në dorë humorin e nxënësit nga mënyra se si sillet dhe e trajton atë edhe drejtori i institucionit arsimor ka rol të rëndësishëm në krijimin e klimës së favorshme për punën e mësuesit. Në fund ajo që mbetet është çështja se si dëshiron të quhet drejtuesi: i lindur i tillë apo i bërë!

Roli i individit në shoqëri është përcaktues në arritjen e rezultateve e objektivave të caktuara dhe historia na tregon se falë individëve të zot, kombe, popuj, shkolla, ekipe kanë skalitur gjurmë e vepra të rëndësishme. Po mjaftohem të sjell si shembull rastin e trajnerit të Kombëtares shqiptare të futbollit Sivinjo i cili me aftësitë e tij ka ditur të motivojë e udhëheqë drejt fitoreve ekipin tonë. 


Kështu edhe në shkollat tona roli i drejtuesve të tyre është determinant. Drejtori i një shkolle ndikon shumë në punën e mësuesve, nxënësve dhe të gjithë mjedisit shkollor.


Deri para viteve 90-të drejtuesit e shkollave duhet të ishin njerëz me partishmëri të lartë e të angazhuar në jetën e partisë në pushtet sepse, siç thuhej atëherë, partia ishte mbi këdo e mbi gjithçka. Pas vitit 90-të ndryshuan kurrikulat, u formatuam në gjithçka, ndërtuam godina shkollash të standardeve europiane veçse në mentalitet e mendësi, që janë po aq të rëndësishme sa gjithçka tjetër, mbetëm krejt njëjtë.

Pra, kriteri i partishmërisë jo vetëm që nuk është zbehur por i është mëshuar gjithnjë e më fort prej vitit 90-të.


Në fakt duhet thënë se nuk ka munguar kujdesi për krijimin e një kornize ligjore për emërimin e drejtuesve të shkollave. Madje prej disa vitesh në Tiranë është ngritur edhe shkolla e drejtorëve e cila synon t'i pajisë drejtuesit aktualë dhe gjithë aspirantët (ëndërrimtarët) për drejtues me njohuritë e nevojshme në këtë fushë.


Mirëpo (të paktën prej këtej nga shkruaj) kemi parë drejtues shkollash të katapultuar edhe pa pasur 5 vite punë e titullin mësues i licencuar siç e kërkon ligji ose nuk është marrë vesh kur zhvillohet konkursi për emërimin e drejtuesit të shkollës por thjesht si hap i parë drejtuesi i ZVAP ka bërë komandimin e personit në rolin drejtues pastaj sesi janë kopsitur letrat ka mbetur një enigmë. Ose edhe emërime të tipit "Po e bëjmë drejtor se nuk i ka rënë rasti" apo "është dora jonë ky" dhe me vrap tek shkolla e drejtorëve dhe çimentimi për jetë a sa të mërzitet në karrige.


Nëse një person lind apo bëhet drejtor shkolle, ky pozicion kërkon aftësi të veçanta lidhur me menaxhimin e njerëzve, vizionin e edukimit dhe aftësinë për të krijuar një mjedis mësimor të frytshëm.


Me termin drejtor i lindur mund të thuhet se ka disa cilësi të veçanta që e ndihin atë të ketë një rol të madh në zhvillimin e procesit mësimor edukativ (PME). P.sh perceptimi i thellë i dinamikave njerëzore dhe zotësia për të krijuar kulturën mbështetëse në shkollë.


Me termin drejtor bëhesh kuptoj faktin se disa gjëra t'i mëson karrigia e postit  ose si i thonë fjalës "qeverisë i lind djali 20 vjeç", pra posti patjetër do të krijojë mundësinë të orientohesh në punën tënde të përditshme dhe do të japë njohuritë e duhura.


Po cilat janë disa cilësi që e bëjnë një "drejtor të lindur"?


Mirësia duhet përhapur në të gjithë institucionin e jo qëndrimi "sikur i ka ngrënë gomari bukën". Nuk të bie autoriteti duke u sjellë mirë me dikë në publik.


Trajtimi në mënyrë të barabartë i stafit mësimdhënës e jo duke ndjekur parimin "ca të nënës e ca të njerkës".

Shmangia e daljes në sipërfaqe e anëtarëve të grupeve të bashkëpunimit vullnetar (AGBV) ose ndryshe e grupeve mbështetëse të drejtuesit e bashkëpunimi me të gjithë grupin e mësuesve pa paragjykuar origjinën, prej nga vjen, e nga anon mësuesi nga ana ideo-politike.


Drejtuesi duhet të ketë "stofin" për të qenë i tillë, mendjehapur, i kuruar në sjellje, në performancë, i organizuar, nuk duhet ta ndyj ambientin shkollor me avuj alkooli e duhani gjatë orarit të punës si dhe të mos organizojë kurse me pagesë me nxënësit e shkollës dhe të mos ketë pasion skedinat.


Të jetë i pari në organizimin e orëve model apo të hapura, i pari në përgatitjen e temave referuese për të treguar se është drejtues i lindur e jo drejtor i bërë. I kam kaluar 20 vite punë si mësues e megjithëse të gjithë drejtuesve me të cilët më ka pjekur rasti të punoj u kam kërkuar të na prijnë në këto dy drejtime me shembullin personal kam ndeshur në refuzimin e ftohtësinë e tyre. Drejtuesi i lindur thotë kështu bëhet, i bëri thotë bëje se e di unë.


Drejtori i lindur gjithmonë përdor teknikën e"shkopit dhe karotës "kulaçit e kërbaçit" ose "me njërën dorë të bie e tjetrën të lëmon" dhe para se të bëjë dy vërejtje duhet të ketë evidentuar e thënë një të mirë.

Një drejtues i lindur afishon në këndin e njoftimeve të ardhurat e shkollës dhe shpenzimet dhe nuk bën si drejtori i bërë që mjaftohet me raportimin e tyre me zë një herë në vit e të thotë se kureshtarët të shkojnë t'i shohin në drejtori.


Drejtuesi i lindur sipas meje nuk "del arës" duke u angazhuar në qendrat e votimit si komisioner duke përfaqësuar forcën politike që e ka promovuar por tregon një farë klasi duke u shmangur me takt sepse për fat të mirë është një llogore e cila nuk mbetet pa mbushur me të indroktinuar politikisht të cilët janë "si pema që ka mbajtur kokrra gati në të thyer. 


Një drejtues i lindur shmang mbledhjet e njëpasnjëshme edhe për gjëra të vogla të cilat mund t'i komunikojë në bisedat "flesh” me mësuesit dhe kontrollon veten apo ngarkon një të besuar të tijin që ta ndjekë gjatë ligjërimit për "parazitizma" (fjalë të panevojshme) apo përsëritje fjalësh që të vrasin veshin. Që të mos mbërrijmë në situatën kur themi "Kur do bëjmë një mbledhje-që të mos bëjmë mbledhje".


Një drejtues i mirë nuk mjaftohet vetëm me buzëqeshjen apo përshëndetjen që ta ofrojnë me tepri sa herë ta shohin derën e zyrës hapur "dashamirësit", po ajo duhet të jetë e një trajtë me të gjithë grupin. "Punëtori dhe skllavi duhen trajtuar me dinjitet" vjen si porosi edhe prej librave hyjnorë të zbritur  në tokë.

Drejtuesi i lindur evidenton, pëlqen dhe promovon çdo arritje të mësuesit apo vartësit të tij qoftë duke zbatuar edhe fjalën e popullit "Në mos e do tjetrin me zemër, duaje me gojë”.  


Drejtor i lindur për të qenë i tillë është një ndërmjetësues shumë i mirë dhe ndërhyn me mirësi në zbutjen e mosmarrëveshjeve apo konflikteve që mund të lindin mes mësuesve e jo t'i adresojë pa humbur kohë në komisionin e etikës apo disiplinës-siç vepron një drejtues i bërë. Po ashtu një herë në vit drejtuesi i lindur shuan kuriozitetin e tij për perceptimin që kanë mësuesit e nxënësit për punën e tij (përmes pyetësorëve) ndërsa drejtuesit të bërë nuk i shkon as në mend kjo punë sa të jetë partia.


Në përfundim dua të nënvizoj se ashtu si mësuesi ka në dorë humorin e nxënësit nga mënyra se si sillet dhe trajton atë edhe drejtori i institucionit arsimor ka rol të rëndësishëm në krijimin e klimës së favorshme për punën e mësuesit.


Në fund ajo që mbetet është si dëshiron që drejtuesi të quhet: i lindur i tillë apo i bërë-kjo është çështja! 




Nga Luan Stafasani, ish-drejtues i gjimnazit "Pjetër Budi" Burrel, momentalisht prej nëntë vitesh mësues i Gjuhës shqipe në shkollën "Tahir Hoxha" Klos.



© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,724 Lexime
5 muaj më parë