MA: Përditësimi i kurrikulave, nis zbatimi i kornizës së re nga shtatori 2026
Ministrja e Arsimit prezantoi në Komisionin për Edukimin procesin e përditësimit të kurrikulave dhe teksteve, me synimin për një kornizë moderne sipas standardeve ndërkombëtare, fokusuar te kompetencat e shekullit 21, STEM, teknologjia dhe mendimi kritik. Nga shtatori 2026 nis zbatimi për klasat 1, 6 dhe 10.
Ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro, e ftuar nga Komisioni për Edukimin, Shkencën dhe Sportet, prezantoi punën që po bën Ministria e Arsimit përmes Agjencisë së Sigurimti të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar, mbi rishikimin e e kurrikulave dhe teksteve në arsimin bazë dhe atë të mesëm.
Në këtë komision, e shoqëruar nga përfaqësues e specialistë të Agjencisë së Sigurimti të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar, ministrja Kumbaro theksoi se përditësimi i kurrikulës së arsimit parauniversitar është konceptuar si një proces gjithëpërfshirës modernizimi, që synon ndërtimin e një sistemi arsimor cilësor, fleksibël dhe të orientuar drejt zhvillimit të kompetencave të shekullit 21 për të gjithë nxënësit.
“Në kontekstin aktual të transformimeve të shpejta teknologjike, ekonomike dhe shoqërore, kurrikula kishte nevojë për ndërhyrje që të reflektonte nevojat e reja të tregut të punës, të shoqërisë së dijes dhe të qytetarisë globale. Gjithashtu rishikimi dhe përditësimi i saj u ndërmor edhe mbi bazën e vlerësimeve kombëtare dhe ndërkombëtare (siç janë PISA, TIMSS apo PIRLS), analizave të brendshme dhe përvojave të vendeve europiane, me synim ndërtimin e një kurrikule moderne dhe të krahasueshme ndërkombëtarisht. Korniza e re kurrikulare është hartuar dhe miratuar duke reflektuar zhvillimet bashkëkohore në arsim dhe duke përcaktuar si kompetencat kyçe të përditësuara në përputhje me kompetencat kyç europiane; ashtu edhe fokusin te qasja STEM, integrimin e teknologjisë në procesin mësimor si pjesë e metodologjisë, udhëzimet metodologjike për mësimdhënien dhe fokusin te nxitja e krijimtarisë dhe mendimit kritik. Por edhe ka pasur një vëmendje të posaçme te temat ndërkurrikulare të përditësuara”, tha ministrja Kumbaro.
Në lidhje me këto tema ndërkurrikulare që përmes aktiviteteve praktike, nxisin krijimtarinë dhe punën në grup, ministrja përmendi programin “Art dhe Zeje”, “Festivalin e Shkencës”, programin e edukimit mjedisor, konkursin e gjuhës shqipe, etj.
Kumbaro: Nga shtatori nis zbatimi i kurrikulës së re me 171 tekste për klasat e para, gjashta dhe të dhjeta
Gjatë fjalës së saj në Komisonin për Edukimin, Shkencën dhe Sportet, ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro, prezantoi vizionin dhe panoramën mbi të cilën është konceptuar rishikimi i paketës kurrikulare për kurrikulat bërthamë, si dhe për programet lëndore për klasat I, VI dhe X.
“Për klasat 1,6,10 përditësimi i programeve lëndore ka ndodhur në vitin 2025, përditësimi i teksteve po ndodh aktualisht, dhe zbatimi i kurrikulës së re do të nisë në shtator të vitit 2026. E njëjta logjikë dhe proces do të ndiqet për klasat 2, 7, 11, me kurrikulën e re që do të zbatohet në shtator 2027; për klasat 3,8,12 në shtator të vitit 2028.
Dhe për t’u përmbyllur me klasat 4,5,9 me zbatimin e kurrikulës së re duke filluar nga shtatori 2029. Përgatitja e listës së teksteve shkollore për përditësim, sipas klasave dhe lëndëve, bazuar në katalogun zyrtar të teksteve shkollore për klasat 1, 6 dhe 10 përfshin 171 tekste shkollore:140 tekste fizike dhe 31 tekste digjitale.
Sikundër përfshin hartimin e treguesve të përditësimit të teksteve shkollore dhe takime informuese me shtëpitë botuese për procesin e përditësimit të teksteve shkollore, që po zhvillohen nga kolegët e ASCAP.
Procesit të konkurrimit për tekste të reja shkollore do t’i nënshtrohen: Qytetaria për klasat 1-6-10 dhe gjuha shqipe për klasën 10.Ndërsa tekstet e tjera do t’i nënshtrohen përmirësimeve dhe përditësimeve sipas gjithë sa sqarova më herët”, sqaroi ministrja Kumbaro.
Në fund të fjalës së saj, ministrja theksoi se një kurrikul e re nuk mund të ketë sukses pa mësues të përgatitur, duke sqaruar se programi i ri strategjik 2026-2028 për zhvillimin professional të mësuesve, synon t’u garantojë këtyre të fundit mbështetje konkrete në planifikimin e mësimit sipas rezultateve të reja, në përdorimin efektiv të teknologjisë dhe të Inteligjencës Artificiale, në vlerësimin formues dhe, po aq e rëndësishme, në mirëqenien e tyre profesionale dhe etike.
© Portali Shkollor - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë
Etika nën presion/ Gazetarja Marieta Mërkuri: Si e deformon mesatarja arsimin dhe çfarë duhet ndryshuar?
Drejtoresha Anila Çota rrëfen rrugëtimin e shkollës “Qamil Guranjaku” si fituese e vendit të dytë në Konkursin e Gjuhës Shqipe
Si të bëhesh oficer sigurie në shkolla? Eksperti i arsimit, Fiqiri Çifliku: Ja procedurat, kriteret dhe ndryshimet në VKM nr. 600