
MAS hap thirrjen për 150 oficerë sigurie në shkollat publike: Aplikimet deri më 24 qershor 2025
MAS hap thirrjen për 150 oficerë sigurie në shkollat publike për të garantuar sigurinë e nxënësve. Aplikimet dorëzohen deri më 24 qershor 2025. Kandidatët e përzgjedhur do trajnohen dhe certifikohen nga Akademia e Sigurisë.
Ministria e Arsimit dhe Sportit ka shpallur një thirrje publike për shprehje interesi nga kandidatët që dëshirojnë të ushtrojnë funksionin e oficerit të sigurisë në institucionet e arsimit parauniversitar publik. Në total, do të përzgjidhen 150 oficerë sigurie për t’u shpërndarë në 52 zyra vendore të arsimit në mbarë vendin.
Sipas MAS, kjo nismë synon të garantojë një mjedis më të sigurt dhe mbrojtës për nxënësit, nëpërmjet monitorimit aktiv, ndërhyrjeve parandaluese dhe bashkëpunimit të ngushtë me stafin shkollor, prindërit dhe komunitetin.
Detyrat kryesore të oficerëve përfshijnë:
- Monitorimin e përhershëm të mjedisit të shkollës dhe parandalimin e hyrjeve të paautorizuara.
- Bashkëpunimin me psikologët e shkollës dhe policinë e komunitetit për të adresuar problematika si dhuna, bullizmi apo përdorimi i substancave të ndaluara.
- Ndërmjetësimin në rastet e konfliktit mes nxënësve dhe menaxhimin e situatave emergjente.
- Hartimin e planeve të sigurisë dhe raportimin periodik në Zyrat Vendore të Arsimit.
Kriteret për aplikim:
Kandidatët duhet të jenë shtetas shqiptarë, të kenë zotësi të plotë për të vepruar dhe të mos kenë precedentë penalë. Diplomimi në ciklin e dytë në fusha si edukim, shkenca sociale, psikologji, sociologji apo drejtësi është kriter i domosdoshëm.
Afati dhe mënyra e aplikimit:
Dokumentacioni duhet të dorëzohet deri më 24 qershor 2025, fizikisht ose me postë në adresën e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit.
Pas verifikimit të dokumenteve, kandidatët e kualifikuar do t’i nënshtrohen një interviste të strukturuar, e cila vlerësohet me 50 pikë. Më pas, kandidatët që kalojnë intervistën do ndjekin një trajnim 1-mujor në Akademinë e Sigurisë, që përfundon me një testim me shkrim, gjithashtu i vlerësuar me 50 pikë.
Lista përfundimtare e të kualifikuarve do të përpilohet nga MAS në bazë të rendit zbritës të pikëve totale (intervistë + testim).
Për më shumë informacion apo për të dorëzuar ankesa mbi procesin, kandidatët mund të kontaktojnë në adresën: [email protected]
Më poshtë gjeni njoftimin zyrtar të plotë
©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Etika nën presion/ Gazetarja Marieta Mërkuri: Si e deformon mesatarja arsimin dhe çfarë duhet ndryshuar?
Drejtoresha Anila Çota rrëfen rrugëtimin e shkollës “Qamil Guranjaku” si fituese e vendit të dytë në Konkursin e Gjuhës Shqipe
Si të bëhesh oficer sigurie në shkolla? Eksperti i arsimit, Fiqiri Çifliku: Ja procedurat, kriteret dhe ndryshimet në VKM nr. 600