THIRRJE PËR APLIKIM

MASR u bën thirrje akademikëve brenda e jashtë vendit që t’i bashkohen ASCAL

Kushi u bën thirrje akademikëve brenda e jashtë vendit: “Aplikoni në ASCAL dhe jepni kontribut për Arsimin e Lartë në Shqipëri!”. Më poshtë do të njiheni me kriteret e aplikimit për të qenë pjesë e “Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë për Arsimin e Lartë” (ASCAL).

Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Evis Kushi ka ftuar të gjithë akademikët e nderuar, brenda dhe jashtë vendit, që të japin kontribut me vlerë për Arsimin e Lartë në Shqipëri, duke aplikuar për t'u bërë pjesë e “Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë për Arsimin e Lartë” (ASCAL). 


Ministria Kushi nëpërmjet një video-mesazhi ka bërë një thirrje të hapur për të gjithë përfaqësuesit e botës akademike që në kuadër të konsolidimit të mëtejshëm të ASCAL, të aplikojnë për pozicionet si “Drejtor i Përgjithshëm” apo si një prej 11 anëtarëve të Bordit të Akreditimit, nga të cilët minimalisht 3 dhe maksimalisht 5 duhet të jenë te huaj.


Ministrja nënvizon se rritja e cilësisë së Arsimit të Lartë dhe përafrimi me standardet më të mira evropiane, janë ndër objektivat më madhore të mandatit të ri qeverisës, mbështetur edhe në Strategjinë Kombëtare të Arsimit 2021-2026, e cila është në fazë konsultimi publik dhe pritet të miratohet së shpejti.


“Në funksion të këtij objektivi, ne synojmë të hapim dyert e universiteteve tona për bashkëpunim të ngushtë me universitetet më prestigjioze evropiane dhe të krijojmë kushtet e nevojshme që studentët tanë të mund të marrin në të ardhmen diploma evropiane, këtu, në Shqipëri” – shprehet ministrja Kushi.

Në këtë mënyrë, - shton ajo, - mund t’i pajisim ata me dije dhe aftësi të konkurrueshme me studentët e Bashkimit Evropian.


Për të arritur këto, Ministrja Kushi nënvizon domosdoshmërinë e angazhimit të njerëzve profesionistë, me integritet dhe të përkushtuar për të bërë më të mirën për sistemin arsimor, ku vend shumë të veçantë zë Agjencia për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë. 

Më tej ajo thotë se ASCAL ka shënuar disa pika suksesi në veprimtarinë e saj, siç ishin bashkëpunimi me Agjencinë Britanike të Akreditimit për vlerësimin e universiteteve në vend me ekspertizë ndërkombëtare, apo menaxhimi i proceseve të vlerësimit të jashtëm nëpërmjet platformës ASCAL Management System nga viti 2014.

Në kuadër të “Paktit për Universitetin”, ASCAL ka realizuar “Sondazhin Kombëtar të Studenteve”, ku u përfshinë studentët e të gjitha institucioneve të Arsimit të Lartë, publike dhe jopublike. Ky sondazh siguroi informacion me vlerë në lidhje me kurrikulat, mësimdhënien, organizimin e universiteteve dhe mbështetjen ndaj studenteve. 


Thirrja për anëtarë në Bordin e Akreditimit dhe për Drejtor të Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë (ASCAL)


Kriteret, që duhet të përmbushin kandidatët për anëtarë në Bordin e Akreditimit pranë Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë (ASCAL), janë:

1. të kenë një përvojë të paktën 10-vjeçare në institucione akademike dhe kërkimore, brenda e jashtë vendit;

2. të zotërojnë gradë shkencore/titull akademik ose njohje e përvojë të paktën 5-vjeçare në fushën e sigurimit të cilësisë në arsimin e lartë;

3. të kenë njohje në nivel të avancuar të gjuhës angleze të shkruar dhe të folur.


Kriteret, që duhet të përmbushin kandidatët, për Drejtor të Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë (ASCAL), janë:

1. të zotërojë titull akademik ose gradën shkencore “Doktor” (“PHD”) të fituar pranë universiteteve të vendeve anëtare të OECD-së ose BE-së;

2. të ketë 5 vjet përvojë pune në drejtim të:

a) institucioneve të arsimit të lartë ose njësive kryesore të tyre;

b) strukturave të institucioneve që ushtrojnë veprimtari në fushën e arsimit të lartë.


MASR ka bërë me dije se përzgjedhja e kandidatëve do të kryhet nga MASR, sipas procedurave të brendshme dhe kandidatët e përzgjedhur do t’i propozohen Kryeministrit për emërim. Kandidatët duhet të paraqesin letër motivimi për shprehje interesi dhe Curriculum Vitae, në adresën [email protected] deri më datë 30 Qershor 2021.



©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.    

2,595 Lexime
2 vjet më parë