Studim

Matilda Bruka: Të ushqyerit shëndetshëm dhe zhvillimi i aktiviteteve fizike në parandalimin e sëmundjeve të ndryshme

Qëllimi i këtij projekti është krijimi i kulturës për të rritur rëndësinë e rolit që ka të ushqyerit dhe aktiviteti fizik për fëmijët 6-16 vjec. Kjo do të ndikojë në rritjen e cilësisë në shkollë dhe komunitetin përreth. Për studim është marrë shkolla 9-vjeçare “Marsh Gjoni”, Rrilë, Lezhë.

Studim nga Matilda Bruka 

Drejtoreshë në shkollën 9-vjeçare “Marash Gjoni” Rrilë, ZVA Lezhë 

Lënda: Bio-Kimi 



Abstrakt

Ka prova të pakundërshtueshme që provojnë se nxënësit mësojnë më me efektshmëri nëse janë të lumtur në punën e tyre, besojnë në vetvete dhe mendojnë se shkolla po i mbështet ata. Për më tepër, hulumtimet zbulojnë se fëmijët me nivele më të larta të mirëqenies emocionale, të sjelljes sociale dhe shkollore, kanë nivele më të larta të arritjeve akademike më pas në moshat 11, 14 dhe 16 vjeç, sidomos pas një të ushqyeri të shëndetshëm.

Mirëqenia emocionale siguron përmirësim të ndjeshëm të këtyre treguesve: elasticitet, të përgjegjshëm, të respektuar, të vetëdijshëm, bashkëpunues dhe sigurisht më aktiv në çdo proces mësimor.

Ky ndryshim i dietave dhe mënyrës së të ushqyerit është shumë i rëndësishëm në të pasurit, një imunitet më të fortë dhe një jetë më të mirë, që rrjedhimisht nënkupton larg viruseve dhe sëmundjeve kronike.

Gjithashtu, një ushqim i mirë mund të zvogëlojë gjasat e zhvillimit të problemeve të tjera shëndetësore, përfshirë këtu obezitetin, sëmundjet e zemrës, diabetin dhe disa lloje të kancerit. 

Fjalët kyçe: gjithëpërfshirje, ushqim i shëndetshëm, përmrësim, strategji, mësues etj...


Qëllimi i studimit. Qëllimi i këtij projekti është krijimi i një kulture për të rritur rëndësinë e rolit që ka të ushqyerit e shëndetshëm në parandalimin e sëmundjeve, për fëmijët 6-16 vjec, kombinuar kjo edhe me aktivitetet fizike e sportive. 

Kjo do të ndikojë në rritjen e cilësisë së të jetuarit shëndetshëm dhe do të ketë ndikim pozitiv gjithashtu në stafin e shkollës, nxënësit dhe komunitetin përreth. 

Krijimi i një kulture pune në shkollë, e cila do të rrisë bashkëpunimin me komunitetin, do të kthejë fokusin te shkolla, do të ndikojë pozitivisht në kulturën e të ushqyerit si dhe zhvillimin e aktiveteve fizike.


Objektivat:

  1. Të krijohet hapësirë didaktike për të nxënët në lëndën e biologjisë, edukimit fizik, sporteve dhe shëndetit duke u mundësuar këtyre lëndëve një kënd të veçantë për edukimin mbi të ushqyerit e shëndetshëm;
  2. Të rritet bashkëpunimi institucion-komunitet duke krijuar një simbiozë dypalëshe të zbehur ose të munguar më parë;
  3. Të ingranohen dhe motivohen nxënësit në të ndjerit të rëndësishëm dhe të dobishëm në komunitetin e tyre, në pjesëmarrjen aktive duke kontribuar në zbatimin e projektit;


Metodat dhe teknikat e kërkimit 

Ky studim do të ketë një kombinim të metodave të kërkimit cilësor dhe sasior. Metodat e kërkimit cilësor konsistojnë në intervistat dhe pyetësorë me prindër të shkollave 9-vjecare, me mësuesit dhe drejtuesit e këtyre shkollave, si dhe një ndihmë do t’i kërkohet edhe shoqatave jo qeveritare që trajtojnë probleme të këtij komuniteti


Rezultatet e pritshme të punimit.

Sot janë me mijëra prindër, sociologë, studiues, fëmijë, mësues e të tjerë, që përballen me sfidat e ushqyerjes kudo në botë e në Shqipëri.

Hyrje 


Shkolla 9-vjeçare “Marash Gjoni” Rrilë është një shkollë me traditë të konsoliduar në arsimin lezhjan. Ajo i hapi dyert e saj për nxënësit në vitin 1946. Deri në këtë vit fëmijët e fshatit Rrilë zhvillonin mësimin në shkollën e fshatit Shënkoll,e cila ishte hapur më 15 tetor të vitit 1934. Ajo shkollë ishte një barakë dërrasë në zallin e Matit. Atje nuk mund të shkonin të gjithë fëmijët nga fshati Rrilë, qoftë për shkak të largësisë, por edhe sepse shkolla nuk e kishte kapacitetin për të akomoduar të gjithë nxënësit e kësaj zone. Populli i Rrilës gjatë kësaj kohe bëri përpjekje të herëpashershme për të pasur shkollën e vet, por siç dihet nga historia këto ishin vite të vështira lufte dhe varfërie. Mbas shumë e shumë përpjekjesh, në shtator të vitit 1946 ëndrra e fshatarëve të Rrilës për të pasur shkollën e tyre u bë realitet. Më në fund fëmijët e këtij fshati do të studionin në shkollën e tyre dhe ky ishte për banorët një triumf jo vetëm ndaj analfabetizmit, por edhe realizim i ëndrrës shumëvjeçare të këtij populli arsimdashës. Si fillim shkolla u hap në një barakë bagëtish të fshatarit Prelë Kol Rusti. Në atë vit filluan mësim dy klasa. Në klasën e parë u regjistruan gjithsej 12 nxënës, nga të cilët 3 vajza. Klasa e dytë u krijua nga nxënësit që kishin mbaruar klasën e parë në shkollën e Shënkollit.

Mësuesi i parë i kësaj shkolle ka qenë Fiqiret Teli nga qyteti i Shkodrës. Në këtë shkollë ish-stallë u bë mësim vetëm gjashtë muaj, pastaj nxënësit dhe mësuesit erdhën në shkollë të re, e cila u ndërtua në qendër të fshatit Rrilëpranë shkollës ekzistuese që është sot. Puna për ndërtimin e saj kishte filluar qysh në vitin 1945. Ajo u ndërtua nga 2-3 ustallarë dibranë të paguar nga kontributi i fshatit Rrilë. Puna për ndërtimin e saj zgjati një vit. Ajo filloi të funksionojë 6 muaj pas fillimit të mësimit. Shkolla e re kishte dy klasa mësimi, një koridor, 3 dhoma të vogla, nga këto një drejtori, një dhomë fjetjeje për mësuesin dhe një kuzhinë me oxhak. Klasat ishin të mëdha dhe me dritë të bollshme.


Në vitin 1946-1947 shkollës iu shtua edhe një mësues. Mësuesi i dytë i kësaj shkolle ishte Tonin Koliqi, edhe ky nga qyteti i Shkodrës. Me ndërtimin e shkollës së re u hap edhe shkolla e natës ku u regjistruan burra dhe gra për zhdukjen e analfabetizmit nga i gjithë fshati Rrilë. Në shkollën e natës vazhdonin mësim rreth 40 vetë, burra e gra të moshuar, djem e vajza, të cilët nuk kishin pasur mundësi të vazhdonin mësimin në shkollë më parë. Mësimi për zhdukjen e analfabetizmit ka zgjatur deri rreth viteve ‘50. Numri i klasave filloi të rritet nga 1 deri në 4 klasa të ciklit të ulët, kështu u rrit dhe numri i mësuesve. Pas largimit të Fiqiri Telit dhe Tonin Koliqit, erdhën mësuesit Vitore Vuksani, Çesk Dragusha, Çesk Mireta edhe këta nga qyteti i Shkodrës. Ato vinin të hënën në shkollë dhe largoheshin të shtunën nga shkolla. Pra, sakrificat e tyre për të mësuar fëmijët dhe për të zhdukur analfabetizmin (plagë e rëndë shekullore e popullit tonë), ishte një sakrificë e madhe dhe një punë me shumë pasion. Në shkollën e Rrilës kanë dhënë kontribut të shkëlqyer mësuesit kryesisht nga Shkodra. I tillë ka qenë mësuesi dhe drejtori Ferid Ramadani.


Në ato vite shkolla ishte shembull në mësime dhe disipline. Kishte dhoma pionieri shumë të bukura për kohën,ku zhvilloheshin aktivitete jashtëshkollore. Nxënësit nën drejtimin e mësueses Pina Harxhi konkuronin në olimpiada teatrale në rreth me këngë, valle dhe balet. Një kontribut të madh kanë dhënë mësuesit e kësaj shkolle në vitet mësimore 1968-1975. Gjatë kësaj periudhe u hap shkolla pa shkëputje nga puna për ata persona që nuk kishin mbaruar arsimin 8-vjeçar.


Mësimi në vitet 1968-1970 është bërë me fener vajguri pasi nuk kishte dritë elektrike. Fillimisht u hapën dy klasa (V-VI) me një numër të kufizuar nxënësish që pastaj erdhi duke u rritur. Mësimi zhvillohej nga ora 16:30-20:30. Nxënësit që mbaruan shkollën pa shkëputje nga puna, një pjesë e tyre ishin kuadro drejtues. Shkolla 9-vjeçare”Marash Gjoni” sot është një ndërtese me trekate dhe me 20 klasa, një drejtori, një sekretari, një bibliotekë, një klasë burimore.


Në tetor të 2011-ës filloi rikonstuksioni i pjesshëm i shkollës dhe në shtator të 2012-ës përfundon rikonstruksioni i shkollës.


Gjatë viteve në vazhdim e deri në ditët e sotme janë bërë riparime të herëpashershme, por terrenet sportive lënë për të dëshiruar. Ato janë të amortizuara dhe kanë nevojë për ndërhyrje. Gjithmonë është dalluar për një staf pedagogjik të kualifikuar dhe mësimdhënie cilësore. Edhe stafi drejtues i kësaj shkolle ka qenë i kualifikuar me njerëz vizionarë. Kjo reflektohet në arritjet e nxënësve në shkollë, por edhe në gjimnaze apo univeristetet ku kanë vazhduar studimet.


Studimi i projektit “Të ushqyerit shëndetshëm dhe zhvillimi i  aktiviteteve fizike në parandalimin e sëmundjeve të ndryshme” i zbatuar në shkollën “Marash Gjoni”, synon të krijojë mundësi:

  • për të rigjallëruar sigurimin e një mjedisi bashkëpunues, edukues dhe të sigurt;
  • për të përmirësuar ndërgjegjësimin e nxënësve dhe komunitetit për angazhim kolektiv;
  • për të gjallëruar jetën e komunitetit;
  • për të ofruar një sërë trajnimesh për nxënësit dhe aktorët kryesorë në komunitet si një kulturë pune në të ushqyerin e shëndetshëm dhe parandalimin e sëmundjeve.



Diagnoza e Problemit


Shkolla 9-vjeçare “Marsh Gjoni” është një shkollë ne qëndër të fshatit Rrilë, me një staf mësimor shumë të mirë dhe me nxënës të sjellshëm e të mirë. Për një kohë të gjatë në këtë shkollë nuk është bërë ndërhyrje në ambientet sportive, gjë që ka ndikuar në zhvillimin e aktiviteteve, si dhe orëve mësimore ashtu siç duhen. Gjithmonë këto shkolla në zona të tilla duhet të jenë qendrat e fshatit, jo thjesht gjeografikisht, por edhe emocionalisht e funksionalisht. Në dy vitet e fundit ka pasur investime me karakter rikonstruktues, mirëmbajtës dhe plotësues në shkollë.


Është zgjedhur kjo shkollë për të qenë fokusi i projektit për disa arsye:

Së pari, shkolla ka si vizion sigurimin e një mjedisi të sigurt dhe të shëndetshëm, një nga problemet që po shfaqet kohët e fundit është dhe ushqyerja jo e shëndetshme e fëmijëvë të grupmoshave 6-16 vjeç.

Së dyti, përdorimi i produkteve të gatshme të paketuara, të pakontrolluara, si dhe pasiviteti fizik i fëmijëve 

Së treti, kapaciteti i nxënësve dhe nevojën e tyre për projekte inovative do të ndikojë drejtpërsëdrejti në përmirësimin e cilësisë së komunitetit.

Së katërti, sensibilizimi i nxënësve, prindërve e mësuesve mbi rolin e të ushqyerit, zhvillimin e aktiviteteve fizike dhe rëndësinë e parandalimit të sëmundjeve.


Një ushqim i mirë dhe aktivitetet fizike mund të zvogëlojnë mundësinë e zhvillimit të problemeve të tjera shëndetësore, përfshirë këtu obezitetin, sëmundjet e zemrës, diabetin dhe disa lloje të kancerit.


Një rezultat i dëshirueshëm. Si do të duket shkolla pas përmirësimit?


Përmirësimi i kushteve të ambienteve, zhvillimi i aktiviteteve, si dhe ndërgjegjësimi i nxënësve dhe prindërve mbi shëndetin e nxënësve do të ketë shumë anë pozitive në kulturën e të ushqyerit.


Roli i kësaj kulture do të konsistojë në:

  • Zhvillimin e aktiviteteve të ndryshme.
  • Të ushqyerit sipas një menuje të pasur dhe të shëndetshme, e cila do të ndihmojë edhe në parandalimin e sëmundjeve tek fëmijët.
  • Nxënësit nuk do të blejnë dhe nuk do të ushqehen më me ushqime të paketuara.
  • Ndërgjegjësimi mbi rëndësinë e të ushqyerit shëndetshëm.


Fëmijët që kalojnë kohë jashtë kanë shëndet më të mirë fizik, më pak probleme të sjelljes, funksionim më të mirë njohës dhe vetëdisiplinë të përmirësuar. Fëmijët që kalojnë kohë jashtë kanë rezultate më të mira në mësime. 


Fëmijët që angazhohen me persona të tjerë me aftësi të ndryshme nga vetja, rrisin ndjenjat e tyre pozitive për të tjerët. Fëmijët parashkollorë që ndërveprojnë më shpesh me fëmijët me aftësi të kufizuara kanë një qëndrim më pozitiv ndaj të gjithë personave me aftësi të kufizuara. Terrenet e lojërave gjithëpërfshirëse sigurojnë llojin e ndërveprimit shoqëror që mund të çojë në rritjen e fëmijëve me ndjenja pozitive.


Hapësirat e përbashkëta ndërtojnë ndërveprime shoqërore midis fëmijëve. Me mundësi të shumta për të luajtur, pothuajse çdo fëmijë mund të gjejë diçka për të bërë. 


Të dhënat sasiore ose cilësore nga shkolla


Shkolla duhet të jetë një hapësirë ku ndërtimi dhe përmirësimi social të jenë drejtuar në mënyrë të tillë që, nxënësi të ndihet i respektuar dhe i vlerësuar si qenie njerëzore me interesat  dhe nevojat e veta. 

Analiza, në kuadrin e këtij projekti u bazua në vëzhgimin sistematik të nevojave të shkollës 9-vjeçare. Nga të dhënat e mbledhura kemi hartuar një plan që ofron mirëqenie në të gjitha dimensionet në shkollë. Ne identifikuam nevojat dhe interesat e të gjithë aktorëve në shkollë (nxënës, staf mësimor, prindër) lidhur me mirëqenien si një domosdoshmëri për t’iu përshtatur zhvillimeve të kohës, mënyrës së të ushqyerit dhe luftës ndaj bullizimit në shkollë. 


Pyetësorët janë shpërndarë në shkollë dhe janë plotësuar nga nxënësit dhe prindërit (të thirrur, të pranishëm në takimet me prindër). Pas grumbullimit të pyetësorëve, u realizua përpunimi i të dhënave të tyre. Për të zbuluar interesin e tyre ndaj gatishmërisë për të përkrahur sfida më ambicioze kemi realizuar intervista me mësues.


Gjetjet nga të gjithë pyetësorët iu prezantuan ekipit të mirëqenies (grup i ngritur për këtë qëllim), u identifikuan përparësitë dhe u përpiluan planet e veprimit për të adresuar nevojat e shprehura të komunitetit tonë shkollor.

Pyetësori u plotësua nga nxënës të shkollës sonë nga klasa të ndryshme. Numri i nxënësve që morën pjesë në plotësimin e pyetësorit është 184. Gjithashtu, pyetësori i dedikuar prindërve u plotësua nga 117 prindër. Për mbledhjen e të dhënave të këtij pyetësori u përdor aplikacioni googleform.


Treguesi për të cilin u ra dakord nga nxënësit, prindërit dhe stafi si përparësia jonë kryesore ishte ndërgjegjësimi ndaj të ushqyerit. Më konkretisht, ekipit drejtues të mirëqenies iu tha se nxënësit kishin nevojë për më shumë fokus për t'u vendosur në kuptimin më të thellë të mënyrës se si ata të mësojnë të përgatisin vetë ushqimet dhe se si ata mund të përmirësojnë sjelljet e tyre kundrejt bashkëmoshatarëve të tyre.


Si përgjigje, ne krijuam një qasje me katër hapa themelorë, duke synuar kulturën, sjelljen, marrëdhëniet, politikat dhe procedurat e planifikimit brenda shkollës për të adresuar këtë kërkesë.

Përpunimi dhe analiza e pyetësorëve:


Në plotësimin e këtij pyetësori morën pjesë 117 prindër të nxënësve të shkollës sonë. Pyetësori është plotësuar në formatin googleform.


Nga përgjigjet e prindërve u përftuan këto rezultate:

  1. 46.2% e prindërve që plotësuan pyetësorin gatuanin perime shumë shpesh gjatë javës për fëmijët e tyre, 31.6% shpesh dhe 20.5% disa herë.
  2. 44.4% e prindërve janë përgjigjur që i lejojnë fëmijët disa herë që të konsumojnë ëmbëlsira, 36.8% shprehen se i lejojnë rallë dhe vetëm 16.2% e tyre shprehen se i lejojnë shpesh.
  3. Tek pyetja se a i vendosni fëmijës tuaj limit kohor për të parë televizion, internet apo për të luajtur lojra me kompjuter rezulton se 30.8% përgjigjen me shumë shpesh, 23.1% shpesh, 29.1% disa herë dhe 15.4% rallë.
  4. 50% e prindërve pranojnë se i ushqejnë fëmijët e tyre shpesh herë me ushqime të shëndetshme në mëngjes, 26.7% përgjigjen me alternativën shpesh, 16.4% disa herë.
  5. Të dhënat e pyetësorit na tregojnë se 39.7 % e prindërve i përfshijnë shumë shpesh fëmijët e tyre në aktivitete sportive, 29.3% shpesh dhe 21.6% e tyre disa herë.
  6. 83.6% e prindërve janë përgjigjur me shumë shpesh pyetjes se a është e rëndësishme ushqyerja e shëndetshme për të mbrojtur sistemin imunitar të fëmijës dhe 13.8% përgjigjen me alternativën shpesh.
  7. Nga leximi i të dhënave të paraqitura në diagramë rezulton se vetëm 14.8% e prindërve ju japin shumë shpesh fëmijëvë para në shkollë për të konsumuar ushqime të gatshme, 14.8% shpesh, 21.7% disa herë, 33% rallë dhe 15.7% asnjeherë.
  8. 71.6% e prindërve të marrë në studim kanë pranuar se gatuajnë shumë shpesh gatim me lëng për fëmijën e tyre, 20.7% pohojnë se gatuajnë shpesh dhe 6% prej tyre disa herë.
  9. Referuar pyetjes se sa shpesh ju jepni fruta fëmijëve tuaj prindërit që përgjigjen me alternativën shumë shpesh janë 53.4% e tyre, 28.4% janë përgjigjur me alternativën shpesh dhe 15.5 % disa herë, ndërkohë që alternativat rallë dhe asnjëherë zë një përqindje të papërfillshme.
  10. Dhe në përfundim të pyetësorit në pyetjen e dhjetë konstatojmë se 78.3% shprehen me alternativën shumë shpesh për pyetjen aktiviteti fizik dhe ushqyerja e shëndetshme i ndihmon fëmijët të kenë një jetë sa më cilësore, 18.3% përgjigjen me alternativën shpesh.


Përfundimet dhe rezultatet e deri tanishme 


Duke marrë në konsideratë ndryshimet që na solli situata Kovid-19, ne ideuam, hartuam, zbatuam dhe vlerësuam këtë projekt, në një rrugëtim sa impenjativ po aq edhe të bukur pasi shohim të portretizuar në jetën shkollore dhe në komunitet një frymë të re të shëndetshme mbi të ushqyerin përpos:


  1. Përkrahjes, bashkëpunimit dhe motivimit midis stafit, nxënësve , komunitetit dhe partnerëve, si një trup i vetëm.
  2. Përballja me sfidat, 
  3. Këmbëngulja për të arritur më të mirën në aktivitetin përfundimtar dhe në produktin e tij.
  4. Mësuesit janë të njohur me teknologjinë dhe përpiqen që ta vënë atë nëfunksion të zhvillimit të orëve të ndryshme mësimore. 
  5. Nxënësit janë nuk e kanë shumë të vështirë të përshtaten me të gjitha ndryshimet që sjell koha, ndaj ata duan një udhëheqje dhe një shërbim cilësor në shkollë.
  6. Larmia e veprimtarive në shkollë e jashtë saj , jo vetëm krijon një mirëqenie për nxënësit, por i ndihmon ata thellësisht në të ushqyerin e shëndetshëm dhe shmangien e obezitetit,fakt ky i përhapur në ditët e sotme.
  7. Arritjet e këtij projekti shërbejnë për të iniciuar projeke më ambicioze në të ardhmen ku të ushqyerit të shihet më primare si nga komuniteti ashtu dhe njësitë administrative


Rekomandimet për hapat dhe veprimet e mëtejshme 


Aplikimi i studimit te projekteve në sistemin arsimor dhe në veçanti në shkolla, të iniciuara nga vetë stafi pedagogjik, janë një mjet i shkëlqyer që nxënësit të fitojnë aftësi që t`i përgjigjen zhvillimeve të vrullshme të shekullit të 21, duke bërë që:

  • Të gjithë aktorët që marrin pjesë në projekt, duhet të përballen me sfida.
  • Të synojnë dhe pranojnë ndryshimin për të ecur me hapin e të tjerëve drejt suksesit.
  • Të motivohen për të kapërcyer vështirësitë dhe për të vijuar angazhim serioz në projekte.
  • Të bashkëpunojnë dhe të pranojnë humbjen e paqtë.
  • Të njohin, pranojnë dhe të bëhen pjesë e traditave të mira të trevave të ndryshme të vendit tonë duke e prekur nga afër kulturën e tyre.
  • Të mësojnë se suksesi nuk arrihet i vetëm e vetëm për vete.
  • Monitorim i vazhdueshëm i gjithë procesit përgjatë projektit, për të marrë informacion, analizuar përpunuar dhe përcaktuar në vazhdimësi si ky projekt të jetë një produkt që na siguron vlera të qëndrueshme në të ardhmen, pra të ndikojë në përmirësimin e cilësisë së jetës së të gjithë aktorëve.
  • Duke e konsideruar si një potencial të fuqishëm rolin e shkollës si qendër komunitare do të rekomandonim forcimin e lidhjes së shkollës me komunitetin duke siguruar kështu një mirëqënie në tërësi që i hap dyert progresit jo vetëm në edukim por edhe mirëqenie sociale.


Bibliografia 

1. Marrë nga historiku i shkollës.

2. Standardet e shkollës si qendër komunitare (Draft), Janar 2014.

3. Daniela Nika; Insituti i Shëndetit Publik; 2012 Reformimi i Shërbimit Shëndetësor në Shkolla .

4. Manual praktik për prindërit/ kujdestarët e fëmijëve të moshës shkollore 6-15 vjeç; Tiranë, Shtator 2020; Save the children).

5. http://www.ed.gov/pubs/LearnCenters/ Safe and Smart: Making the After-School Hours Work for Kids.

6. https://www.sbs.ox.ac.uk/oxford-answers/lessons-learned-online-teaching

7. http://www.communityschools.org PT A National 09standards for family-school partnerships: an implementation guide, 2009, USA.  



©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,071 Lexime
3 muaj më parë