Aktualitet

Matura 2024/ Teza e provimit të anglishtes publikohet rreth 30 minuta pas fillimit të testimit, MAS: kjo nuk cenon procesin e MSH

Edhe këtë vit pavarësisht masave shtrënguese të deklaruara, tezat e provimit të parë të maturës shtetërore,u bënë publike në rrjetet sociale, një orë sapo nisi testimi. MAS ndërkohë sapo ka dalë me një reagim ku thotë se publikimi i tezës pas fillimit të provimit nuk cenon procesin e Maturës Shtetërore.

Rreth 28 mijë nxënës-maturantë në të gjithë Shqipërinë, zhvilluan sot provimin e parë të Maturës Shtetërore, atë të gjuhës së huaj. Provimi nisi në orën 10:00 dhe përfundoi në orën 12:30. 


Mirëpo 30 minuta pas fillimit të provimit, teza është përhapur në rrjetet sociale. Edhe pse nga ana e MAS u deklaruara për vendosjen e masave strikte të sigurisë një ditë përpara këtij provimi, me sa duket maturantët nuk kanë ndaluar të hynë në ambientet e provimit me telefonat e tyre.  


Teza e gjuhës së huaj është publikuar në të dyja variantet në rrjetet sociale, histori kjo e përsëritur edhe nga vitet e kaluara.


Ndërkohë MAS ka dal me një reagim ku thotë se publikimi i tezës pas fillimit të provimit nuk cenon procesin e Maturës Shtetërore. 


“Ministria e Arsimit dhe Sportit sqaron opinionin publik, maturantët, prindërit e tyre dhe mësuesit tanë të përkushtuar, se akti i shëmtuar i fotografimit dhe publikimit të tezës së provimit të maturës të gjuhës së huaj, pasi ka nisur provimi, nuk ndikon aspak në proces dhe as nuk zhvlerëson punën dhe mundin e mijëra mësuesve e punonjësve arsimorë, që janë angazhuar prej muajsh që ky proces të jetë transparent dhe i drejtë për të gjithë nxënësit. Ministria e Arsimit dhe Sportit dënon fuqimisht çdo përpjekje për të minuar integritetin e procesit të provimit dhe punën e maturantëve, mësuesve dhe punonjësve arsimorë. Ministria e Arsimit dhe Sportit siguron se provimi po zhvillohet në standarde të larta, duke krijuar çdo mundësi për maturantët që të tregojnë aftësitë dhe kompetencat e tyre të përfituara gjatë shkollës së mesme. Këto standarde janë siguruar nëpërmjet programit orientues të Maturës Shtetërore, konsultimeve në çdo shkollë, testeve model të përgatitura nga QSHA, paratesteve të zhvilluara në çdo gjimnaz dhe këshillimeve nga shërbimi psiko-social për menaxhimin e stresit në provime. Hartimi i testit është kryer në kushte të larta sigurie dhe profesionalizmi, dhe organizimi i provimit ka përfshirë trajnimin dhe certifikimin e të gjithë personave të përfshirë në administrimin e Maturës. Ministria e Arsimit dhe institucionet arsimore kanë marrë masa për të përmirësuar procesin e Maturës Shtetërore, duke përfshirë, monitorimin e rreptë të ambientit të provimit përmes kamerave të sigurisë, trajnime shtesë për administratorët, kontrollin rigoroz të hyrjes dhe daljes në ambientet ku zhvillohen provimet, rritjen e transparencës dhe përmirësimin e kushteve të provimit për të krijuar një mjedis miqësor që ndihmon në reduktimin e stresit të maturantëve dhe përmirësimin e performancës së tyre. Për ne, suksesi i maturantëve tanë është parësor dhe ne do të vijojmë të punojmë me përkushtim për t'u siguruar atyre një proces të drejtë dhe të ndershëm”, thuhet në reagimin e MAS.


Sakaq data tjetër e provimit të Maturës Shtetërore për këtë vit do të jetë më 10 qershor, ditë kur do të zhvillohet provimi “Gjuhë shqipe dhe letërsi”. 



©Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,399 Lexime
1 muaj më parë