Zëri juaj

Matura në Gjuhë-Letërsi: Si e përjetuan maturantët provimin e rëndësishëm

Provimi i maturës në Gjuhë-Letërsi është një sfidë e rëndësishme për maturantët. Leons vuri në dukje tensionin dhe nevojën për masa më të forta sigurie, ndërsa Arba përshkroi organizim të rregullt dhe pyetje të përshtatshme. Të dy shpresojnë në një proces të drejtë dhe transparent.

Më 10 qershor, maturantët në të gjithë Shqipërinë iu nënshtruan provimit të detyruar të Gjuhë-Letërsisë, një prej gurëve të rëndësishëm të themelit për përfundimin e arsimit parauniversitar. Si çdo vit, ky provim ngjalli emocione të forta dhe debat mbi mënyrën e zhvillimit të tij dhe sigurinë e procesit.


Dy maturantë nga gjimnaze të ndryshme të Tiranës ndanë me ne përvojën e tyre të drejtpërdrejtë pasi përfunduan këtë provim. 


Leons Alikaj, maturant në gjimnazin “Qemal Stafa”, e përshkroi provimin si një përballje serioze, por të drejtë:

“Provimi i Maturës në Gjuhë dhe Letërsi ishte një sfidë e rëndësishme dhe emocionale për të gjithë ne nxënësit. Në fillim ndjeva pak tension, por me përgatitjen e bërë gjatë vitit, arrita të qëndroj i qetë dhe i fokusuar. Niveli i provimit ishte i përshtatshëm, mesatar, dhe mendoj se testoi në mënyrë të mirë njohuritë tona në dy aspektet kryesore: njohuritë gjuhësore dhe interpretimin letrar.”


Leons theksoi rëndësinë e përgatitjes gjatë vitit shkollor, duke vënë në pah rolin e shkollës në suksesin e nxënësve:


“Pyetjet kërkonin vëmendje dhe analizë të kujdesshme, por nuk ishin të papritura apo jashtë asaj që kemi mësuar. Mendoj se përgatitjet në shkollë si konsultimet dhe orët mësimore kanë luajtur një rol kyç në rezultatet që ne do të marrim.”


Megjithatë, ai shprehu shqetësimin e tij për publikimin e hershëm të tezës në rrjete sociale:


“Një shqetësim i madh është fakti që teza e provimit publikohet disa minuta pas fillimit të procesit. Kjo situatë dëmton shumë besueshmërinë e provimit dhe mund të krijojë padrejtësi mes nxënësve. Mendoj se duhet të merren masa më të forta sigurie... është shumë e rëndësishme që procesi i Maturës të jetë transparent dhe i drejtë.”


Ndërkohë, Arba Amataj nga gjimnazi “Petro Nini Luarasi”, ndau një përvojë më pozitive dhe të qetë. Ajo e konsideroi provimin të drejtë dhe të strukturuar mirë, me pyetje të arsyeshme për çdo nivel nxënësi:


“Provimi ishte i nivelit mesatar. Pyetjet përputheshin me gjithçka që kemi praktikuar gjatë orëve të konsultimeve në shkollë. Kishte pyetje për çdo nivel nxënësi, por edhe disa më specifike që bënin diferencën, sidomos ato që kërkonin një interpretim më të thelluar të veprës letrare.”


Ajo vlerëson edhe mënyrën e zhvillimit të provimit në shkollën e saj, duke theksuar organizimin dhe masat e sigurisë:


“Për sa i përket eksperiencës sime si maturante në ‘Petro Nini Luarasi’, gjithë procedura u zhvillua në mënyrë shumë të rregullt. Nuk isha në dijeni që teza kishte dalë online, pasi në shkollën tonë gjithçka u menaxhua me përpikmëri. Kontrollet në hyrje ishin të rrepta dhe nuk pati asnjë problem apo rrëmujë.”


Duke reflektuar mbi formulimin e testit dhe strukturën e provimit, Arba shpreh kënaqësinë dhe shpresën që kjo qasje të vazhdojë edhe në të ardhmen:


“Jam e kënaqur me mënyrën se si ishin formuluar pyetjet. Shpresoj që struktura e testit të mbetet e njëjtë edhe në provimet e ardhshme, sepse ka funksionuar mirë. Dua që fryma e drejtësisë dhe organizimit të vijojë si deri tani. Pas maturës, planifikoj të vazhdoj studimet për data scientist në Hollandë.”




Zërat e maturantëve ofrojnë një pamje të balancuar të përvojës së provimit të Gjuhë-Letërsisë: nga përgatitja intensive dhe analiza kritike, te shqetësimet legjitime për sigurinë dhe transparencën e procesit. Nëse synojmë të ndërtojmë një sistem arsimor të drejtë dhe të besueshëm, këto zëra duhet të dëgjohen, jo vetëm për të pasqyruar realitetin, por edhe për të udhëhequr përmirësimet e ardhshme.




©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

884 Lexime
4 ditë më parë