MATURA 2025

Maturantët japin sot provimin e Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë

Sot mbi 27 mijë maturantë zhvillojnë provimin e Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë në kuadër të Maturës Shtetërore. Testi nis në orën 10:00 në 145 qendra dhe zgjat 2 orë e 30 minuta. Rezultatet janë vendimtare për pranimin në universitete.

Sot, më 10 qershor, mbi 27 mijë maturantë në të gjithë vendin i nënshtrohen provimit të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë, një nga katër testet e detyruara të Maturës Shtetërore.


Provimi fillon në orën 10:00 dhe zgjat 2 orë e 30 minuta. Ai zhvillohet njëkohësisht në 145 qendra testimi, secila e administruar nga një përgjegjës dhe staf mbështetës në çdo ambient testimi.


Për procesin e korrigjimit janë angazhuar mbi 640 mësues, të cilët do të vlerësojnë testet që përfshijnë pyetje me alternativa dhe me zhvillim.


Ky provim shënon një hap të rëndësishëm për maturantët, jo vetëm si përmbyllje e ciklit 3-vjeçar të gjimnazit, por edhe si element kyç për pranimin në universitetet publike dhe private të vendit. Rezultatet do të kenë peshë të madhe në përzgjedhjen e programeve të studimit.


Matura Shtetërore nisi më 3 qershor me provimin e Gjuhës së Huaj. Pas provimit të sotëm, më 17 qershor maturantët do të testohen në Matematikë, ndërsa më 24 qershor do të zhvillohet provimi i fundit, ai i Lëndës me Zgjedhje, që ndihmon në përcaktimin e profilit të tyre akademik.


Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, ka uruar maturantët për sukses në këtë ditë të rëndësishme:

“Suksese maturantëve në mbarë vendin, të cilët sot japin provimin e Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë, duke testuar njohuritë e tyre për gjuhën dhe trashëgiminë tonë letrare,” u shpreh ajo.




©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

772 Lexime
5 ditë më parë