Ju rrëfeni

Mbyllet java e dytë e shkollës, ndjekësit e Portalit Albas ndajnë përshtypjet mbi ecurinë

Të stresuar, të lodhur dhe të frikësuar kjo është gjendja që po përjetojnë në ditët e para të këtij viti shkollor veçanërisht mësuesit shqiptar. Ndërsa prindërit janë shprehur se po përjetojnë ankth teksa nisin çdo ditë fëmijët e tyre në shkollë, prej fikës se mos ata infektohen me COVID-19.

Për shumicën e mësuesve në Shqipëri, dy javët e para të fillimit të vitit shkollor 2020-2021 nën kushtet e COVID-19, kanë qenë të vështira. Në një temë diskutimi të postuar në faqen tonë zyrtare të Facebook, ndjekësit e Portalit Shkollor Albas janë përgjigjur në shumicë se ditët e para të këtij viti të ri shkollor kanë qenë të lodhshme, sidomos prej turneve mësimore, mënyrë kjo e zhvilluar në disa shkolla, por edhe distancës që disa mësues kanë për të shkuar nga shtëpia në punë, rruga e gjatë dhe ndonjëherë mungesa e transportit për ta. 


Punë tej normës 

Mësuesit kanë komentuar se ata po realizojnë dyfishin e normës mësimore. Sipas tyre 12 orë gjithësej në këto kohë mësimdhënie me turne janë të papranueshme, pasi sipas tyre as mësimi nuk ka efekt, sepse vetë ata si mësues nuk janë në gjendje të përballojnë këtë ngarkesë pa minuta pushimi mes orësh dhe për më tepër pa konsumuar diçka. 

Disa mësues ora 8 e mëngjesit deri në orën 17 e 30 të pasdites i gjen në vendin e tyre të punës pa shkëputje. Ata kanë shkruar se dita e tyre nuk përfundon pas këtyre 8 apo 9 orëve punë, pasi atyre u duhet që kur shkojnë në shtëpi të merren sërish me ditarin apo materiale të tjera të nevojshme për punën të nesërmen, shtuar këtu edhe përgjegjësitë që kanë për familjen.  


Mësimdhënia me maskë tepër e vështirë

Vështirësisë që janë gjendur të papërgatitur për të dhënë kaq shumë orë mësimore shtesë, mësuesit thonë se i është shtuar edhe mbajtja e maskës gjatë gjithë kohës. Mungesa e oksigjenit përveçse ua ka bërë të lodhshëm shpjegimin e mësimit, në shumë raste i ka bërë me dhimbje fyti dhe koke, ose shqetësime të tjera shëndetësore. 


Nxënësit nga lodhja nuk janë të përqendruar

Sipas tyre të njëjtën lodhje po përjetojnë edhe nxënësit. Fëmijët sipas mësuesve shfaqin shenja lodhjeje jo vetëm për shkak të qëndrimit me maska, por edhe për shkak të mungesës së kushteve, sistemit të ftohjes në temperaturat e ditëve të nxehta, sistemit të ngrohjes kur koha është me shi, dhe mos ngrënies së asnjë ushqimi.  “Janë përgjumësh fëmijët dhe të pangrënë, a mund të mësojnë?”, shkruan kështu një nga ndjekësit. 

“Nxënësit e klasës së parë nuk orientohen dot pasi temat mësimore janë jo sistematike”- thotë një tjetër.  


Kërkojnë zgjidhje alternative 

Mësuesit dhe prindërit kërkojnë zgjidhje alternative. Disa propozojnë që të hiqen turnet dhe të mbahen maskat me korrektësi pa ruajtur distancën në mënyrë që klasat të jenë me numër të plotë nxënësish. Ndjekësit mësues propozojnë që në shkollë të shtohen më shumë mësues në këto mësimi me turne. Ndërsa disa mësues dhe prindër propozojnë që ushqimi nuk duhet të ndalohet më në shkollë pasi, kjo e përkeqëson gjenden e përqendrimit të fëmijëve. 

Mes komenteve të shumtë nuk mungojnë as ata pozitivë. Për shembull Alketa Cani shkruan: “Dëgjoj këtu shumë ankesa, po a nuk është shumë herë më mirë se mësimi online ku shumë pak nxënës po interesoheshin. Dihet që është një situatë e pazakonshme, po ne mësuesit duhet t’i shohim më me pozitivitet gjërat dhe të mbështesim njëri-tjetrin në këtë situatë! Jemi më mirë se dje, nesër do jemi më mirë se sot! Pozitiviteti duhet të sundojë mbi çdo gjë! Me krahë të lehta të gjithëve!”. 


Komentet e plota tuajat i gjeni në këtë link:


https://www.facebook.com/portalishkollor/posts/2689516201151177



Përgatiti: Nanila Allkja Biçaku 

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

3,318 Lexime
3 vjet më parë