Opinion

Mësuesi dhe roli i tij i rëndësishëm në edukimin e fëmijëve

Është forca e arsimit dhe e kulturës që shpërndan mjegullën dhe errësirën, prapambetjen dhe injorancën, që i kundërvihet të keqes dhe ligësisë, që mbron të drejtat e adoleshentëve nga dhuna dhe arbitrariteti…Shkrim nga Fran Gjoka.

Kujdesi ndaj fëmijëve është dhe duhet të jetë kryefjalë e shoqërisë. Kanë qenë të suksesshme ato periudha apo ata breza që kanë pasur këtë përkujdesje ndaj fëmijëve, duke filluar nga familja si qeliza bazë e shoqërisë, nga shkolla, e cila ka qenë dhe është vendi ku fëmijët mësojnë dhe edukohen, te shteti dhe të gjithë institucionet e shoqëria, të cilët asnjë çast nuk duhet ta largojnë vëmendjen nga fëmijët, duke parë atje vazhdimin dhe të ardhmen.


Asnjëherë nuk është kohë e humbur të merresh dhe të angazhohesh me fëmijët, aq më tepër që ata janë si ai lastar i brishtë, i cili që të rritet i shëndetshëm e të zhvillohet, të ruajë gjelbërimin dhe kur të vijë koha të prodhojë, doemos kërkon në mënyrë të vazhdueshme kujdesin e bujkut të mirë dhe të zotë, por dhe të merakosur çdo ditë për ecurinë dhe zhvillimin. Natyrisht që familja dhe shkolla kanë rolin parësor në këtë edukim dhe mësim, pasi aty fillojnë gjërat, aty hidhen themelet e shëndosha të edukimit dhe të formimit qytetar të fëmijëve, që ata të rriten të shëndetshëm, të edukuar mirë me edukatë e sjellje, me dije e kulturë, me njohuri të thella dhe të gjithanshme për jetën, të sotmen dhe të ardhmen.


Problemet nuk zgjidhen me fjalë boshe

Jeta në shkollat shqiptare rrjedh dhe gjallëron përditë. Krahas përkushtimit të drejtuesve, mësuesve dhe nxënësve për zbatimin e programeve dhe përvetësimin e dijeve, herë-herë ndodh diçka që qortohet nga mësuesit. Disa nga nxënësit vijnë të papërgatitur në mësim, të tjerë kanë ardhur pa bërë detyrat ose kanë harruar fletoret në shtëpi, dikush nuk është i vëmendshëm dhe gjatë orës së mësimit hedh vështrimin ëndërrimtar nga dritarja, dikush godet me një shuk letre shokun në krah të tij, dikush tjetër shkarravit mbi tavolinë emrin e sportistit apo këngëtarit të famshëm që ka për zemër etj.


Pas mësimit këta nxënës adoleshentë, gjithnjë të zhurmshëm dhe të hareshëm, duan edhe të luajnë pakëz, të argëtohen, të bëjnë edhe ndonjë shaka, të tregojnë një anekdotë. Por, diku ndodh edhe ndonjë grindje apo sherr i mprehtë, një zënkë që nis si me shaka dhe shndërrohet padashur në një konflikt të rëndë dhe të rrezikshëm. Madje ndonjëri nga jashtë oborrit të shkollës kërkon të bëjë të fortin dhe ai dëshiron të dallohet nga të tjerët, të jetë ndryshe dhe origjinal në mendimet, fjalët dhe veprimet e tij. Ai kërkon të zbulojë rrugët që i duken të drejta për të qenë sa më interesant në jetë, të tërheqë vëmendjen e të tjerëve.


Pa këto zhurma të hareshme nuk mund të kuptohet dot jeta e adoleshentëve. Nëse do t`i kthehemi realitetit të shkollës, pas emrit të çdo nxënësi, pas numrit rendor në regjistër, pas çdo note, është një fëmijë me botën e tij shpirtërore në formim, i brishtë, që ka nevojë të orientohet, të nxitet e të mësojë, paçka se ai për veten e tij thotë se “i di të gjitha dhe s`ka asgjë për të mësuar”. Por ai ndihet keq kur ndjen indiferentizëm ndaj tij, kur nuk e përfillin dhe nuk tregojnë interes për të. Ai ndihet keq kur nuk di se ç`të bëjë, kur nuk ka motive në jetë. Në kësi rastesh për fëmijët, një ditë nuk ndryshon nga një ditë tjetër, një muaj nuk ndryshon nga një muaj tjetër: “Ah, gjithnjë të njëjtat gjëra! Sa ditë të mërzitshme!”.


Nxënësit adoleshentë fillojnë e bëhen melankolikë, mbyllen në vetvete, bien në pesimizëm e, gjer në dëshpërim të thellë. Dhe ky është çasti më i rrezikshëm, sepse ata përpiqen të gjejnë ngushëllim dhe zgjidhje, duke hedhur vështrimin nga rruga, që i tërheq si “gjarpër i keq”. Lexo po deshe hartimet e çiltra të disa prej këtyre adoleshentëve. Aty ata rrëfehen, aty shprehin diçka nga zjarri i shqetësimeve që i djeg përbrenda shpirtit, aty sheh se si ata përpiqen e përpëliten pa mundur të gjejnë gjithnjë rrugët më të drejta të jetës. Nuk them se këta adoleshentë duhet të mbahen për dore. Jo.


Këtë ata nuk e pranojnë, ndihen të fyer, por gjithsesi, ata duhen orientuar, duhen ndihmuar të kapërcejnë gjendjen stresante dhe të rënduar psikologjike. Ata duhen shkundur, duhen vënë në lëvizje, duhen hedhur në veprim. Në shkollë është vendi ku duhet të edukohen ndjenja dhe të nxiten ëndrra të bukura, është vend ku hedh shtat personaliteti i adoleshentit, ku ai orientohet drejt të bukurës dhe të mirës, së drejtës dhe progresives. Shkolla ka rolin e saj të padiskutueshëm dhe parësor në ndryshimin e gjendjeve dhe përsosjen e realitetit ku jetojmë.


Fuqia e shkollimit

Është forca e arsimit dhe e kulturës që shpërndan mjegullën dhe errësirën, prapambetjen dhe injorancën, që i kundërvihet të keqes dhe ligësisë, që mbron të drejtat e adoleshentëve nga dhuna dhe arbitrariteti…Duke u ndodhur përballë vështirësive, duke ngritur nivelin e punës së saj, shkolla të përdorë edhe ajo “armët” e reja të kohës moderne për të qenë e aftë të fitojë mbi sfidat, dukuritë negative, të ndikojë së bashku me shoqërinë dhe shtetin dhe të “ndërhyjnë’ bashkërisht që t`i shpëtojnë adoleshentët nga e keqja, të vihet në krye të veprimeve të fuqishme humanitare … Janë mësuesit të parët që kapin prirjet e nxënësve dhe kujdesen vazhdimisht që ato të nxiten dhe të zhvillohen më tej.


Të vihen në lëvizje energjitë krijuese të fëmijëve. Ato ekzistojnë, janë të fshehura dhe të strukura brenda tyre, ato duhet të zgjohen, të vihen në lëvizje, të trokitet në to. Kështu, aftësitë, talentet e nxënësve nuk kalojnë si hije, pa u ndjerë dhe pa u vënë re, pa mundur të tregojnë aftësitë dhe talentin e tyre…Këtu , mësuesi është kultivuesi, është regjisori më i mirë dhe më i talentuar. Janë të shumta fushat ku mund të veprohet, ku mund t`u hapen horizonte adoleshentëve dhe jeta e tyre të motivohet, të marrë vlerë dhe kuptim.


Natyrisht jo paternalizëm, jo diktim i ideve, por nxitje, krijim i një atmosfere dhe kushteve të përshtatshme që fëmijët të zgjedhin vetë më të mirën, më interesanten dhe më të bukurën për ta dhe të veprojnë. Atyre nuk mund t`u mohohet zhvillimi i natyrshëm i jetës. Nuk u duhet “vrarë” fëmijëria dhe rinia, ata duhet ta jetojnë jetën natyrshëm, pa sforco e mundim, nuk duhet t`u diktohet se çfarë duhet të bëjnë dhe çfarë s`duhet të bëjnë, por t`u tregohet e mira dhe e keqja, e bukura dhe e shëmtuara nëpërmjet veprimeve, ndodhive, debateve, ballafaqimeve.


Ata duhen nxitur, duhen hedhur në veprim me forcën e fjalës, të ideve, të mendimit të mençur. Në kujtesën e nxënësve mbahet mend mësuesi që i nxiti, që u ngjalli besim, që u hapi horizonte të reja për një drejtim të caktuar, zbuloi dhe nxiti pasionin që ata mbanin të fshehur në shpirt e zemër, ata kanë mall dhe respekt, sepse i dedikojnë mësuesit të tyre deri edhe të ardhmen…


Shumë mësues kanë qenë të suksesshëm që me taktin, kulturën pedagogjike dhe horizontin e gjerë, kanë arritur të zgjojnë ide, energji, pasione dhe dëshira te nxënësit: Ata mësues humanë e zemërgjerë, që u qëndrojnë pranë nxënësve, ashtu si fëmijëve të tyre, që zbulojnë prirjet dhe ndihmojnë të motivojnë jetën e nxënësve, që “mjekojnë ”gjendjen e tyre stresante dhe zgjojnë shpresa dhe besime të reja. Duke ndihmuar shkollën, ndihmojmë fëmijët të sotmen dhe të ardhmen e tyre.



Shkrim nga Fran Gjoka, mësues dhe gazetar i njohur shqiptar


Përgatiti për publikim N.Allkja.Biçaku 

Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,694 Lexime
3 vjet më parë