reflektim

Mësuesi, zemra e heshtur e çdo shkolle…

Mësuesi nuk është vetëm ai që jep dije. Është zëri që dëgjon në heshtje, krahu që mbështet dhe zemra që përkushtohet çdo ditë për fëmijët. Një reflektim i ndjerë nga mësuesja Elona Aliaj për dinjitetin e mësuesit dhe respektin që meriton shkolla.

Nga Elona Aliaj


Ka profesione që nuk maten vetëm me orët e punës, por me gjurmët që lënë në jetën e njerëzve. Të jesh mësues do të thotë të mbash në duar jo vetëm libra, por edhe zemra fëmijësh.


Çdo ditë, kur hapet dera e klasës, përballë nesh nuk vijnë thjesht nxënës. Vijnë fëmijë me ëndrra, me pasiguri, me gëzime dhe me dhimbje që shpesh nuk arrijnë t’i shprehin me fjalë. Ne jemi ata që dëgjojmë çdo zë fëmije, edhe atëherë kur ai vjen në heshtje. Jemi ata që përpiqemi të kuptojmë një ndryshim në sjellje, një trishtim të fshehur, një kërkesë të pashprehur për ndihmë.


Mësuesi nuk është vetëm ai që jep dije. Shpesh ai bëhet mbështetje, këshillues, dëgjues dhe udhërrëfyes. Në shumë raste kemi marrë rolin e prindit, të psikologut, të mikut dhe të shokut për fëmijët që kanë pasur nevojë për ne.


Por kjo pjesë e punës sonë shpesh nuk shihet. Nuk shihen netët kur mendojmë për një nxënës që ka nevojë për më shumë kujdes, nuk shihen përpjekjet për të gjetur fjalën e duhur, durimi dhe dashuria që vendosen çdo ditë në klasë.


Sot, më shumë se kurrë, duhet të kujtojmë se mësuesi dhe shkolla meritojnë respekt. Nuk mund të njolloset një profesion i tërë, nuk mund të cenohet figura e një institucioni dhe nuk mund të hidhet baltë mbi njerëz që çdo ditë punojnë me përkushtim për fëmijët.


Si mësuese e Shkollës “Liri Gero”, ndihem e prekur kur përpiqen të vënë në dyshim punën dhe përkushtimin e një stafi që çdo ditë është pranë nxënësve të tij. Një shkollë nuk është thjesht një godinë; është një familje e madhe ku mësuesit, nxënësit dhe prindërit ndërtojnë së bashku të ardhmen.


Mos e denigroni shkollën. Mos e zhvlerësoni profesionin e mësuesit. Mos na shkelni dinjitetin.


Kërkoni të vërtetën, kërkoni përgjegjësi kur ajo duhet kërkuar, por bëjeni me drejtësi, me fakte dhe me respekt për njerëzit.


Sepse pas çdo mësuesi është një zemër që përkushtohet çdo ditë. Dhe një shoqëri që respekton mësuesin, respekton të ardhmen e fëmijëve të saj.



© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

90 Lexime
1 orë më parë