Opinion

Mësuesja Alma Mara: “Karrigia” që na goditi të gjithëve

"Në Shqipëri mësuesit i keqpaguajnë dhe rrahin sepse ata s'i mbron askush. Në Shqipëri mësuesi goditet me karrige, pëllëmbë dhe fyerje... dhe askush nuk reagon. Madje gjenden justifikime që nxënësi goditi sepse...Imuniteti i mësuesit do të zgjidhte shumë probleme në këtë vend..."

Një karrige e ngritur ndaj një mësuesi, është njëlloj si përbaltja shoqërore e figurës së tij nga të gjithë. Tridhjetë e tre vite që shoqëria, politika dhe ligjet po fyejnë e përulin çdo ditë profesionin e mësuesit.

Shkollat në Shqipëri janë aset kombëtar i ngritur, arreduar e mirëmbajtur nga duart e mësuesve. Profesioni që krijoi, krijon dhe do të krijojë të gjitha profesionet, çdo ditë po humb nga autoriteti që i takon. Përqendrimi i vëmendjes tek të drejtat e nxënësit ka zbehur e lënë pas dore të drejtat e mësuesit.


Në çdo shkollë mësuesi duhet të jetë përfaqësues i institucionit ku punon, por në fakt ai është një "Don Kishot" i cili i vetëm i mbijeton provokimeve të pafundme që i burojnë ditë pas dite në punën me fëmijë e prindër të vështirë. 


Të flasësh me mësuesit sot,  të gjithë do të të rrëfejnë situata të paimagjinueshme në klasa ku nxënësit nuk njohin detyrat dhe përgjegjësitë e tyre. Aq më keq kur zgjidhja e këtyre situatave pritet nga prindër e familjarë që mbështesin sjelljet e fëmijëve të tyre.


Mësuesi nuk mbrohet nga asnjë ligj. Shkolla, institucioni që ka organizmat e veta si Drejtoria e Shkollës, Këshilli i Disiplinës, Komisioni i Etikës, Zyra e Punonjësit Social dhe Psikologut, Oficeri i sigurisë, nuk ka forcën të mbrojë mësuesin e as ta përfaqësojë atë në rastet e dhunimit të tyre. Cilido nxënës është një rrezik i mundshëm për thyerjen e dinjitetit, prekjen e integritetit dhe cenimin fizik të mësuesit. 


Nxënësit kanë lirinë e debatit, përçmimit, provokimit ndaj mësuesit aq sa shpesh bëhen faktor i dështimit të procesit mësimor. 

Opinioni publik çuditet për episodet e dhunës brenda apo jashtë rrethimeve të shkollave. Megjithatë, në të tilla situata fajësojnë kohën kur po rriten këta fëmijë.

Opinioni harron që shpesh këto situata afër tragjikes i shuajnë mësuesit. 


Po ky opinion publik, që di të hapë e mbyllë sytë sipas situatave që i pëlqen të rrijë indiferent apo të përfshihet, harron të mbajë qëndrim kur figura e mësuesit denigrohet.


Asnjë ligj e normë morale nuk e mbron reputacionin e mësuesit! Asnjë ligj nuk fortifikon distancën fizike të nxënësit me mësuesin.


Imuniteti i mësuesit do të zgjidhte shumë probleme në këtë  vend. Edukimi i një populli nis në dyert e një shkolle dhe përfundon në dritaret e saj prej nga shihet e nesërmja. Në Shqipëri realiteti është përtej të trishtueshmes.


Në Shqipëri mësuesi goditet me karrige, pëllëmbë dhe fyerje... dhe askush nuk reagon. Madje gjenden justifikime që nxënësi goditi sepse....


Edhe kjo ndodh sepse nuk ka fëmijë të këqij por sepse ka shembuj të këqij. Në Shqipëri shembujt e këqij janë ligjet e munguara, paga përçmuese, barra e letrave e shkresave pa sens...dhuna drejtuar mësuesve. 


Mjekë e infermierë, inxhinierë e arkitektë, banakierë e kamerierë ikën nga Shqipëria. 


Mësuesit mbetën këtu. Mësuesit nuk është e nevojshme të ikin. Mësuesit në këtë vend nuk do të bëhen më. Mbyllja e degëve të mësuesisë tregon që në Shqipëri nuk është mirë të jesh mësues. 


Në Shqipëri mësuesit i keqpaguajnë dhe rrahin sepse ata s'i mbron askush.


Nga mësuesja Alma Mara

©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

4,521 Lexime
6 muaj më parë