Mimoza Xhindi: Përvoja jetësore në arsim dhe cilësitë e mësuesit në ditët e sotme
Një orë mësimi model nëpër shkolla në ditët e sotme duhet të ketë komunikimin, përfshirjen, mësimdhënien dhe etikën. Mësuesit në ditët e sotme duhet t’i kenë të gjitha cilësitë e mëposhtme për të reflektuar te rezultatet e nxënësve.
Po afron viti shkollor 2023-2024.
Së shpejti zërat e nxënësve do të gumëzhijnë në oborret e shkollave...
Në këtë kohë moderne, unë si mësuese prej 26 vitesh, mendoj se mësimdhënësit duhet ta menaxhojnë orën me nxënësit në kohën dhe limitin e duhur.
Një orë mësimi model nëpër shkolla në ditët e sotme duhet të ketë komunikimin, përfshirjen, mësimdhënien dhe etikën...
Mësuesit në ditët e sotme duhet t’i kenë të gjitha këto cilësi:
1-Mësues të aftë profesionalisht dhe të përgatitur. Me formim të plotë pedagogjik, të ndërtojnë dhe të hedhin ura të forta në komunikim me nxënësit, t’i vlerësojnë dhe t’i motivojnë nxënësit; të shfaqen kërkues dhe ngulmues, por edhe të falin, kur e shohin se është në të mirë të mësimit dhe edukimit, të nxënësit dhe të perspektivës së tij.
2- Ata, janë të ndjeshëm ndaj shqetësimeve e vështirësive, që kanë një kategori nxënësish, të cilët bartin probleme sociale e familjare, ekonomike e psikologjike.
3- Ata janë model në mënyrën e paraqitjes së përditshme të të menduarit dhe të të shprehurit.
4- Nuk paragjykojnë askënd dhe, shpeshherë, të metat e nxënësve në mësim dhe edukim, në sjellje dhe komunikim, nuk i shkarkojnë tek ata dhe familjet e tyre, por marrin përsipër përgjegjësi dhe bëjnë ç`është e mundur që shkolla t’i korrigjojë të metat që shfaqen.
5- Kompetencat psiko-pedagogjike dhe aftësitë profesionale të mësuesit. Një mësues i përgatitur nga pikëpamja pedagogjike shtron para klasës objektiva mësimore të qarta, njeh metodat e mësimdhënies e mësimnxënies, i zgjedh e i zbaton ato në përshtatje me veçoritë e moshës e nivelin e klasës.
6- Njeh disi mjedisin ku rritet, formohet dhe edukohet nxënësi si dhe vështirësitë sociale ekonomike me të cilat përballet familja e tij. Ai tregohet i ndjeshëm dhe tolerant, merr në konsideratë vështirësitë e rritjes së përshtatjes së nxënësve në mjedisin e ri, krijon tek ata mendimin se, me përpjekje sistematike, çdo dobësi mund të kapërcehet dhe se nxënësit janë të aftë për të kaluar klasën me vlerësime të larta.
7- I krijon mundësinë, çdo nxënësi të jetë aktiv në orën e mësimit dhe pjesë e vendimmarrjes, përmirëson sistemin e të pyeturit, duke kombinuar metoda që ia lehtësojnë atyre procesin e përvetësimit të dijeve. Ai kombinon jo vetëm metodat e mësimdhënies, por edhe ato të vlerësimit.
8- Autoriteti dhe profesionalizmi i lartë, fitohet vetëm me punë .
9- Një mësues i sotëm, duhet të zotërojë në nivel të lartë në lëndën që jep, të sigurojë në vazhdimësi pasurimin e tij/saj me arritjet më të fundit të teknologjisë dhe të formimit.
10-Mësuesi duhet të bëjë lidhjen e lëndës së tij me lëndët e tjera, me synim realizimin e objektivave në tërësi dhe të sigurojë mundësinë e realizimit sipas temave e orëve të veçanta të mësimeve integruese.
11- Sa më profesionist të jetë mësuesi dhe sa më mirë të zotërojë ai lëndën, duke përditësuar atë me të rejat shkencore e metodike, aq më tepër forcohet në sytë e nxënësve dhe të komunitetit autoriteti real i tij.
12- Në mësimdhënie, mësuesi nuk ndikohet nga bindjet apo interesat personale. Në temat mbi të cilat ekzistojnë interpretime të ndryshme, që mund të ngjallin keqinterpretime në klasë me kulturë heterogjene. Mësuesi nuk duhet të mbaj qëndrim personal.
13- Në mësim, ai shfaqet sa kërkues, aq edhe liberal, në kuptimin e krijimit të një klime, ku çdo kush mund e duhet t’i shfaq mendimet e tij lirshëm dhe pa asnjë kompleks.
14- Siguron mjedis të ngrohtë me nxënësit. Mësuesi nuk duhet të fyej, me apo pa dashje nxënësin, pavarësisht prejardhjes social kulturore. Kjo kërkon që, mësuesi të njoh që në fillim nxënësit që i janë besuar, duke u treguar i kujdesshëm në fjalorin që përdor apo komentet që bën. Kërkon mendimin e çdonjërit prej tyre për tema delikate, nxit nxënësit të respektojnë njeri – tjetrin, pavarësisht nga origjina, e kthen klasën në një mjedis të hapur e gjithëpërfshirës.
15-Siguron zhvillimin intelektual të nxënësve. Me punën e tij të përditshme, mësuesi kontribuon në zhvillimin intelektual të nxënësit, të paktën për sa i takon lëndës, ku jep mësim, duke nxitur tek ata besimin se mund të arrijnë suksese. Ai, nuk frymëzon diskriminimin, krijon për nxënësit me aftësi të kufizuara kushte të barabarta pjesëmarrjeje, kultivon tek ata, përmes shembullit të tij, edukatën dhe kulturën e punës.
16- Nuk lejon konflikte interesi me nxënësit e tij. Në punën e tij, mësuesi nxitet nga synimet psiko-pedagogjike dhe kërkesat akademike.
17- Ai është i ndërgjegjshëm për avantazhet apo disavantazhet e një metode apo të një tjetre dhe, punon, për një vlerësim sa më të gjithanshëm të tij.
18-Vlerësimet duhet të jenë reale, të paparagjykuara dhe të alternuara. Politikat e vlerësimit, u bëhen të qarta nxënësve që në fillim të vitit shkollor. Fletët e provimit, punët e pavarura, detyrat e shtëpisë, punët praktike, vlerësohen me seriozitet e, u bëhen të ditura nxënësve në kohën e duhur, duke qartësuar çfarë kanë gabuar.
19- Përfundimet, u bëhen të ditura edhe prindërve. Vënia në zbatim te parimeve të Kodit të Etikës së mësuesit, do të ndihmojë esencialisht punën në shkollat tona dhe do të ngrenë më lart figurën e nderuar të mësuesit. Sigurisht që, ka edhe norma, rregulla dhe parime të tjera, të cilat, do ta bënin më të plotë këndvështrimin për kodin e etikës së mësuesit, por që vetë dikasteret arsimore duhet tua venë në dispozicion mësuesve për t’u njohur me to dhe për t’i pasur si busull orientuese në punën e tyre.
Sfidat janë ato të cilat më kanë detyruar të shpreh mendimin tim.
Për një arsim dhe mësim sa më cilësor...
Normale teknologjia ka përparuar por mësimi me efektiv është ai proces mësimor ku zhvillohet fizikisht brenda në klasë ,ashtu siç e keni zhvilluar ju mësues të përkushtuar....
Dhe nëse mësoni se një nxënës ka rezultate të dobëta në lëndë të ndryshme, atëhere duhet të kuptoni se, përpos faktorëve të tjerë, mësuesi ose mësuesja është ai/ajo ku hasin këto vështirësi në orën dhe lëndën e tyre .
Duhet të kuptoni se mësuesi nuk zotëron kompetencat e duhura dhe të larta në menaxhimin e klasës.
Nuk harton si duhet ndërtimin e pyetjeve për t'ua bërë më të lehtë përgjigjen nxënësve .
Nuk zbaton parimet e të Drejtave Themelore të Njeriut!
Kjo do të thotë se ai/ ajo nuk i ka kushtuar nxënësit vemendjen e duhur, kohën e duhur brenda orës së mësimit dhe në veprimtaritë ekstra kurrikulare, bazuar në të Drejtat Themelore të Njeriut.
Mësuesi duhet ta bëj orën sa më të lehtë dhe më të kuptueshme që nxënësi të jetë sa më aktiv në lëndën e tij .Kjo tregon hapur se vemendja e mësuesit, patjetër, që ka qenë e kufizuar, vetëm në pak nxënës.
Mësuesi /ja duhet të zotërojë kompetenca të larta sociale, që të arrij të punoj me nxënêsit sipas arritjeve të tij.
Nëse mësuesi zotëron njohuri të larta akademike të lëndës së tij .Ato njohuri bëjnë të mundur që mësuesi/ mësuesja të mos kapëlohet nga pasiguritë, të cilat pastaj i transmeton te nxënësi duke e bërë edhe atë të pasigurt! Pra ,mësuesi duhet të dijë se çfarë t'i japë nxënësve gjatë orës mësimore.
Nëse një mësues nuk zotëron kompetenca të larta psiko-pedagogjike, për të kuptuar botën e nxënësit e për të zgjedhur metoda multiperspektive në zgjidhjen e problemeve të tij/saj! Atëherë ora e mësimit është plotësisht e dështuar .
Duke kuptuar botën e tij, mësuesja/ mësuesi kupton se nga duhet ta kap fillin e punës me nxënësin, duke e inkurajuar atë në bashkëpunim me prindin se ai është i zoti për të arritur rezultatet e synuara.
Të gjitha çfarë përmenda më sipër, nëse një mësues nuk i zbaton atëhere ky /kjo mësuese ka konflikt interesi në vlerësimin e nxënësit!
Unë personalisht mendoj nga përvoja ime 26 vjeçare në arsim se vlerësimin e nxënësve nuk duhet t’i bëjë mësuesi që ju jep atyre mësim, por institucione të jashtme të pavarura, nga institucionet arsimore me njerëz të aftë profesionalisht të lëndës që ai do të vlerësohet.
Mundësisht edhe vlerësimet e mësueseve për kualifikim mos të bëhen nga mësues të së njëjtës ZVA por nga ndonjë institucion i huaj i specializuar në këtë drejtim. I njëjti vlerësim të bëhet edhe për nxënësit nëpër shkolla.
Rezultatet e vlerësimit duhet t'u vijnë prindërve me emrin e fëmijës dhe shkollës me zarf.
Në se bëhet ky lloj vlerësimi, atëhere ky do të jetë edhe vlerësim për mësuesin.
Në këtë rast, mësuesi/ mësuesja do të punojë me të gjitha mënyrat, gjatë një viti shkollor, që nxënësit e tij të dalin me rezultate të larta, sepse më pas do t'i diskutohet atij licenca, të punojë apo jo në sistemin arsimor.
Kështu mësuesi lirohet nga proçedura burokratike të panevojshme dhe i kushton kohën e duhur mësimdhënies.
Pra, mësuesi dhe prindi duhet të jetë ata ,të cilët duhet të japin maksimumin te nxënësi.
Çdo nxënës është unik dhe atij duhet t'i kushtohet koha e vemëndja e duhur, normale që problemet vijnë edhe nga familjet e tyre por të gjithë së bashku duhet të bashkëpunojmë me njëri-tjetrin dhe t'u vëmë ato rregulla që i takon çdo prindi. Si rregullat morale e ligjet që hartohen nga ministria e Arsimit, sepse çdo nxënës ka nevojë për forimin dhe mbështetjen e duhur psikologjikisht dhe moralisht.
Ku nesër këta nxënës të jenë qytetarë të denjë për një të ardhme sa më të mirë për veten e tyre por dhe për vendin tonë .
Arsimi në mësimdhënie duhet të jetë sa më cilësor, pavarësisht kushteve sepse nga dita në ditë vendit tonë po i largohet ajka e dijes...
Nga Mimoza Xhindi
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Si të përgjigjeni saktë në testimin me shkrim dhe me gojë (arsim)
Dritan Staro: Çfarë është një projekt shkollor?
Në ndihmë të mësuesit kandidat ose praktikant