Ministria e Arsimit miraton Planin e ri të Integritetit: Shtyllë për qeverisje etike dhe goditje ndaj korrupsionit

Ministria e Arsimit zyrtarizon “Planin e Integritetit”, një paketë masash për të forcuar transparencën dhe luftuar abuzimet në arsim. Dokumenti parashikon Kod të ri Etike, meritokraci në punësime, monitorim të licencave dhe publikim të raporteve të kontrollit.

Në një përpjekje për të forcuar transparencën dhe për të mbyllur hapësirat e abuzimit në sistemin arsimor, Ministria e Arsimit ka zyrtarizuar “Planin e Integritetit”. Ky dokument strategjik, i cili pritet të diktojë rregulla të reja e të ashpra për administratën qendrore dhe hartuesit e politikave arsimore, synon të rikthejë besimin e publikut te meritokracia dhe llogaridhënia e institucioneve.


Hartimi i politikave në arsim, sipas këtij plani, nuk do të jetë më thjesht një proces administrativ, por do t’i nënshtrohet një filtri të rreptë etik dhe antikorrupsion, duke u fokusuar në pikat më nevralgjike: prokurimet publike, hartimi i akteve rregullatore dhe licencimet.


Në hyrjen që i paraprin këtij dokumenti, theksohet rëndësia jetike të kësaj nisme për të ardhmen e vendit dhe rrezikun që i kanoset sistemit nga mungesa e etikës.


“Integriteti institucional në këtë proces është jetik për të garantuar që çdo vendimmarrje, ligj apo reformë të jetë produkt i një administrimi të ndershëm, larg interesave të ngushtë dhe në shërbim të plotë të interesit publik,” theksohet në dokumentin e publikuar tani edhe në Fletoren Zyrtare.


Më tej, nënvizohet se korrupsioni në nivel administrativ deformon parimet e meritokracisë, ndaj udhëheqja e politikave kërkon një qasje të vendosur.


“Ndërtimi i një kulture institucionale që promovon ndershmërinë, përgjegjshmërinë dhe sinjalizimin e praktikave të gabuara është thelbësor për një qeverisje që shërben me dinjitet,” nënvizohet në Planin e ri të Integritetit.


Katër shtyllat e reformimit të brendshëm


Dokumenti detajon një plan veprimi të shtrirë në katër objektiva kryesorë, të cilët synojnë të skanojnë dhe rregullojnë çdo hallkë të ministrisë:


Kodi i ri i Etikës

Brenda gjashtëmujorit të dytë të vitit 2026, dikasteri i arsimit do të hartojë dhe zbatojë një Kod të ri Etike. Ky dokument do të përcaktojë standarde të panegociueshme sjelljeje jo vetëm për zyrtarët e thjeshtë publikë, por edhe për stafin politik dhe kabinetin e ministrit.


Filtër për burimet njerëzore

Plani synon t’i japë fund emërimeve të dyshimta apo lëvizjeve të paargumentuara të stafit. Përmes një rregulloreje të përditësuar, kërkohet zbatimi i rreptë i meritokracisë në rekrutime dhe promovime, duke shmangur nepotizmin dhe duke zhvilluar kapacitetet profesionale përmes trajnimeve të vazhdueshme.


Transparenca radikale

Ministria pranon se ka ende hapësira për përmirësim në komunikimin e saj me qytetarët. Objektivi i tretë fokusohet te publikimi proaktiv i të dhënave, veçanërisht në fushat me risk të lartë ku menaxhohen fondet publike.


Monitorimi i licencave dhe kuotave

Shtrëngim i mekanizmave të kontrollit në marrëdhëniet me institucionet e arsimit të lartë dhe parauniversitar. Çdo vendimmarrje për programe studimi, licencime apo financime kërkimore do t’i nënshtrohet një procesi transparent për të eliminuar çdo formë favorizimi.


Mekanizmat e llogaridhënies

Për të mos mbetur thjesht një dokument deklarativ në sirtarë, zbatimi i Planit të Integritetit do të kalojë në një proces rigoroz monitorimi. Një Koordinator i posaçëm i Integritetit do të ndjekë hap pas hapi realizimin e detyrave, duke përgatitur raporte gjashtëmujore dhe vjetore.


Nëse masat nuk rezultojnë efikase apo identifikohen vonesa dhe faktorë të rinj risku, plani parashikon ndërhyrje korrigjuese të menjëhershme. Në fund, raportet e monitorimit do të bëhen publike, duke u hapur për debat dhe analizë nga grupet e interesit dhe shoqëria civile.




© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

456 Lexime
1 orë më parë