Aktualitet

Mirela Kumbaro emërohet Ministre e Arsimit

Mirela Kumbaro është emëruar Ministre e Arsimit, duke marrë detyrën pas Ogerta Manastirliut. Me përvojë në kulturë, turizëm e mjedis, si dhe karrierë akademike, ajo pritet të udhëheqë reformat për cilësinë, digjitalizimin dhe gjithëpërfshirjen në arsim.

Kryeministri Edi Rama prezantoi sot kabinetin e ri qeveritar, ku një ndër ndryshimet kryesore është në drejtimin e Ministrisë së Arsimit. Mirela Kumbaro është emëruar Ministre e Arsimit, duke marrë kështu detyrën pas Ogerta Manastirliut.



Mirela Kumbaro Furxhi është lindur në Tiranë, në vitin 1966. Që prej shtatorit 2021 ajo ka shërbyer si Ministre e Turizmit dhe Mjedisit. Në vitin 2013, emërohet Ministre e Kulturës, post që e mbajti për më shumë se 5 vjet, duke u emëruar sërish ministre e Kulturës në vitin 2017 në mandatin e dytë të qeverisë Rama.


Në vitin 2017 është nderuar me Urdhrin “Oficere e Nderit në Art dhe Kulturë” nga Ministria e Kulturës dhe Komunikimit të Francës, me motivacionin për kontribut të lartë në fushën e kulturës dhe të bashkëpunimit shqiptaro-francez.


Ndryshimi në krye të Ministrisë së Arsimit vjen në një periudhë të rëndësishme për sistemin parauniversitar dhe atë të lartë, ku pritet të ndërmerren reforma të reja për cilësinë, digjitalizimin dhe gjithëpërfshirjen në arsim.


Portali Shkollor do të ndjekë nga afër zhvillimet e reja dhe masat që do të ndërmerren në këtë mandat të ri qeveritar në fushën e arsimit.



© Portali Shkollor Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

783 Lexime
5 orë më parë