REFLEKTIM

Msc.Muhamet Selmani: Evenimenti i maturës është kurorëzim i arritjeve në dituri dhe jo tjetërsim i kuptimit të vërtetë

Ridimensionimi i kuptimit të festës së maturës si eveniment solemn i sukseseve dhe arritjeve të tyre në edukim, dituri dhe arsimim dhe jo spektakël i dalë jashtë integritetit edukativo-moral shkollor. Shkrim reflektues nga Msc. i shkenca sociale, Muhamet Selmani.

“Të lindur qofshi për të kërkuar virtyte e dituri” Aligeri

“Prej ç’farë jeni s’duhet të harroni: Ju s’keni lindësa me ngrënë si shtasë, po që virtyt e dituri t’i doni” Uliks


Matura presupozon festimin e dijes. Diplomimi i maturantëve është përfundimi simbolik i një periudhe studimesh. Maturantët shënojnë solemnisht sukseset dhe arritjet e tyre disa vjeçare në arsimim dhe që kulmon me ceremoninë e maturës. Evenimenti i maturës është një ngjarje solemne që vjen si kurorëzim i përpjekjeve të nxënësve për shumë vite në rrugën e dijes dhe formimit. Si për nxënësit por edhe mësuesit e prindërit është një arsye për t’iu gëzuar finalizimit të arritjeve dhe suksesit në dituri. Mirëpo evenimenti i maturës nga viti në vit, mënyra e të festuarit po del jashtë kontekstit duke u shndërruar si një spektakël ndoshta ky veprim i pavetëdijshëm tregon për mos njohjen e esencës së ceremonisë dhe që deformon ndërgjegjen tonë. Ky brez i prirur nga imitimi bëjnë çudira pozitivisht dhe negativisht duke deformuar në një ditë të gjithë formimin e marrë ndër vite. Shndërrimi i yjeve të diturisë në tendencë për t’iu përngjarë yjeve të modës dhe spektaklit. Në mbrëmjen e maturës vajza te veshura dhe të zhveshurave fustane nusërie dhe djem me kostume maturanti bëjnë një shëtitore në çift. Nga ky moment ngelësh i shtangur nga mënyra se si maturantët komunikojnë përmes veshjes. Ky komunikim konsensual që shpesh quhet modë është kthyer në sistem, në një kulturë edhe në mbrëmjen e maturës. Pikërisht ky është keqkuptimi më i madh që ndodh kur ne ngatërrojmë uniformën simbolike të maturës me veshjet e modës. Të rejat bëhen njësh me modelet e spektaklit dhe kjo tendencë ngjitet lartë deri në arsim. Nga këtu fillon tjetërsimi i këtij eventi nga eveniment i diturisë në spektakël mode dhe realisht janë shfaqje që bien ndesh me normat kulturore të popullit shqiptarë. Një mënyrë e tillë ideografie cenon integritetin shkollor. Edukimi shkollor po rivalizohet nga mendjelehtësia, sjelljet devijante dhe spektakli. Fuqinë ndikuese të shkollës e ka marrë tregu zbavitës nën ndikimin e spektaklit. Mbrëmja e maturës është festë e kokës së mbushur jo e trupit të zhveshur. Mbrëmja e maturës është kthyer si një sfilatë mode ku është zbehu pjesa ceremoniale, ajo e diplomimit.


T'i japim shije dhe identitet kombëtarë eventit të maturës përballë modeleve të importuara


Si rregull në gjysmën e dytë të qershorit në ambientin e shkollës zhvillohet ceremonia e maturës. Fjalime falënderimi të maturantëve me përshtypjet e mësuesve për përpjekje të veçanta të nxënësve dhe fjalë nderuese nga drejtori i shkollës. Një praktik e mirë do të ishte që të stimuloheshin nga bashkia nxënësit shembullor. Vajzat dhe djemtë vijnë në shkollë duke respektuar kodin e veshjes. Kapela dhe uniforma që simbolizon diturinë, vazhdon të jetë si pjesa më e dlirë/ e pastër e integritetit shkollor në ditët tona, sidomos përgjatë evenimenteve shkollore, temave universitare dhe graduimit/përfundimit të mësimeve universitare. Kapela dhe veshja e trupit të cilën studentët e diplomuar e vendosin mbi kokë është simbolik e uniformës së diturisë dhe lartësisë. Ajo që ndodh në Shqipëri është huazimi i formave më liberale perëndimore si në veshje, sjelljet devijante, lloji i muzikës zhurmuese një degradim mental me plotë antivlera dhe në neglizhencë ndaj vlerave tona kulturore kombëtare. Një imitim i tillë pa filtrim si produkt i importeve të jashtme ndonjëherë mund të jenë edhe pikë çorientimi. Nëse trupi zhveshur është argument civilizimi atëherë urime kafshëve. Kontribut në këtë krizë po japin edhe disa podiume televizive duke promovuar prerje dhe kostume që nuk i përshtatën kulturës tonë shqiptare. Ne kemi kostumin tonë kombëtarë, vlerat, traditat tona kombëtare dhe sit të tilla duhet t’i ruajmë dhe të mos i zëvendësojmë sepse zëvendësimi është asgjësim. Edukim i brezit të ri me frymën e kujdesit ndaj vlerave, virtyteve të trashëguara ndër breza është një sfidë e kohës me qëllim që të mos ndodh që injoranca të errësoj dijen dhe budallallëku-mençurinë. Kur nuk do të kemi identitet dhe kur nuk do të kemi rrënjë, nuk do të kemi vetëdije dhe do të jemi të paaftë të mbrojmë të drejtat tona. Kultura jonë është historia jonë, është AND-ja jonë.


Diplomimi në disa vende të botës


Japonia është shembulli i përmbajtjes dhe të përkushtimit ndaj traditës kombëtare. Pa festa të zhurmshme dhe jo argëtim të papërshtatshëm. Alkooli në përgjithësi është i ndaluar në eventet shkollore. Të gjithë maturantët duhet të jenë me një uniform shkollore, me një kod zyrtar të veshjes. Festojnë duke sjell shijen e tyre kombëtare dhe jo spektakël antivleror me sjellje dëmtuese.


Dinjiteti njerëzor dhe ndërgjegjja morale përballë konformizmit dhe asimilimit


Dinjiteti është tërësia e vlerave morale. Ndërgjegjja është arbitri i brendshëm i njeriut ka të bëjë me jetën morale, diturinë, karakterin, botëkuptimin e vlerave. Kush mund të quhet njeri me dinjitet dhe i ndërgjegjshëm? Një njeri që vepron dhe sillet sipas një sistemi vlerash. I pandërgjegjshëm quhet ai njeri që nuk i përfill vlerat dhe parimet por sipas vendit bën kuvendin duke u konfirmuar. Konformizmi del si pengesë për të bërë zgjedhjet tona qoftë edhe kundër rrymës. Individi heq dorë nga personaliteti i tij që të bëhet i pranuar nga shoqëria dhe i dominuar nga konformizmi. Gjithmonë peshku ngordhur shkon me rrymën. Jo çdo herë shumica është kriter i së vërtetës nga e cila konfirmohemi dhe del si një formë imponimi të ndërgjegjes.

Shkalla e gjykimit moral sipas Lawrence Kohlberg shpjegon se rregullat morale dhe vlerat janë pikësynimi i arsimit dhe arsimi luan një rol të rëndësishëm në gjenerimin e vlerave, atëherë detyra e arsimit është përgatitja e nxënësve si qytetar të mirë me vlera dhe virtyte. Një arsim i mirë duhet të gjejë balancën e duhur në edukimin e këtyre vlerave. Kemi nevojë të ndryshojmë qasjen tonë ndaj dijes, dije-virtyte.

Janë rreziqe për virtytin njerëzor kënaqësia pa ndërgjegje dhe dituria pa karakter.

Zhvillimi i mendjes është i rëndësishëm por zhvillimi i ndërgjegjes është dhurata më e çmuar.

Inteligjenca dhe karakteri, ky është qëllimi i edukimit. Mos e bën karakterin tënd si një rrugë që shkel gjithkush por si yjet që s’mund t’i arrijë çdokush.


Sjelljet devijante gjatë festës së maturës dhe liria e padisiplinuar si rrezik për jetën përballë normave morale dhe disiplinimit të lirisë si siguri për jetën


Ka ndryshim të madh mes atij që i kupton normat morale si kufizim të lirisë dhe atij që i kupton si siguri për jetën. Normat morale dhe sjellja e disiplinuar janë si sinjalistika rrugore pa zbatimin e së cilës do të krijohej një kaos i madh me pasoja dëmtuese. A mund të kemi liri pa kufi në qarkullimin rrugor? Sigurisht që jo sepse mos respektimi i sinjalistikës rrugore të rrezikon jetën, e njëjta edhe mos respektimi i normave dhe parimeve morale të rrezikohet jeta. Parimet dhe normat e ruajnë shoqërinë njerëzore nga shkatërrimi. Kush del jashtë normave morale natyrshëm ka dëmtuar vetveten. Problemi me adoleshentët është se ata nuk mendojnë për pasojat e sjelljeve jo normale dhe jo rrallë herë të rinjtë në mbrëmjen e maturës pas festës duke ecur me makina me shpejtësi të dehur e të padehur aksidentohen, dëgjojmë të rinjtë po ktheheshin nga festa e maturës. Çdo sjellje e cila përbën rrezik për mirëqenien është e papranueshme dhe toleranca ndaj saj rezulton jo rrallë herë me dëme dhe rreziqe të pallogaritshme.

Dallimi i së drejtës nga e gabuara është e domosdoshme dhe është ajo që bazohet në parime universal si integriteti, ndershmëria, drejtësia, dinjiteti, mirësia. Maturantët janë si uji i pastër dhe si të tillë duhet të ruhen duke mos u ndotur nga sjelljet toksike dhe devijante me pasoja të dëmshme që vijnë mbrapa.

Mund të mos jemi përgjegjës për situatën në të cilën ndodhemi, por do të jemi në qoftë se nuk bëjmë asgjë për ta ndryshuar (Martin Luther King). Një thënie e shkurtër por të bën të mendosh gjatë.


Përgjegjësia prindërore është emergjente dhe thelbësore përballë korruptimit të moralit


Ngritja e përgjegjshmërisë prindërore për rolin e madh që kanë ndaj fëmijëve të tyre është emergjente dhe thelbësore. Mpirja psikike, pavëmendja dhe toleranca e tepruar neglizhuese ndaj fëmijëve, mungesa e dhënies formë atëherë forma është mungesa e formës. Prindërit në një pjesë të mirë i kanë lënë fëmijët të lirë. Disa nga pamundësia e disa nga mendësia se me mendimin se duke i lënë të lirë, do të kuptojnë vetë jetën. Prindërit janë në dilemë të madhe sot se ku mbaron ajo që duhet t’i ndalojmë dhe ajo që duhet t’u lejojmë fëmijëve. Në aktivitete të tilla shpesh cenohen parimet etike, pihet alkool dhe nuk tregohet shumë kujdes. Nuk është në qendër të vëmendjes kultura por instinktet, argëtimi pa kufi, pa limite. Tregon pronari një lokali të një nga qytetet e Shqipërisë për rastin e vetëm të një nëne e cila vjen në dymbëdhjetë të natës për të marrë vajzën e saj që të mos rri në atë banalitet që zhvillohej, por vetëm një prind e bëri këtë dhe asnjë tjetër. Mbrëmja e maturës banaliteti që cenon shenjtërinë e shkollës ku në emër të festës dhe argëtimi pjesëmarrësit normalizojnë marrëdhëniet deri aty sa që asgjësojnë intimen dhe individët kontrollohen nëpërmjet ndjenjave të kënaqësisë duke pëlqyer të dorëzojnë lirinë me dëshirën ku njeriu kërkon skllavërinë e vetes. Në këtë kontekst mund të themi se festa të tilla ndërgjegjja shkon me pushime dhe janë festa ku rrezikojnë të korruptojnë moralin e të rinjve dhe të rejave. Si mund të ketë prindër që të lënë krijesën e tyre më të dashur në ambiente të tilla toksike! Asgjë në këtë botë nuk është më e rrezikshme se injoranca e sinqertë dhe marrëzia e ndërgjegjshme. 


T’i kthehen vlerat këtyre momenteve solemne ku argëtimi të mos komprometoj vlerat dhe identitetin sepse ceremonia e maturës është me karakter vleror


Sa mirë mund të funksionoj një aktivitet festiv kur vlerat dhe qytetaria dominojnë dhe kur antivlerat dhe gjërat e dëmshme nuk janë të pranishme. Evenimenti mund të menaxhohet pa kompromentuar vlerat dhe identitetin në mënyrë shembullore. Kur argëtimit të mos i mungojë e moralshmja dhe të mos bëhet kompromis me virtytet. Ka një sistem vlerash që duhen respektuar edhe në festime dhe kur ne festojmë duhet mbi të gjitha të festojmë për gjëra që kanë kuptim dhe lënë mbresa në zemër dhe jo shije të hidhur ku argëtimi të dominojë mbi vlerat.

Matura është momenti i shfaqjes së vlerave të mësuara dhe jo nëpërkëmbja e tyre në emër të lirisë, shfrenimit dhe dëshirave instiktive, ngritja në vlerë e antivlerës dhe kur njeriu bëhet instrument tregu. Busulla e moralit, reduktimi i dëmit dhe ngritja e vetëdijes dhe kuptimit janë mburojë që e mbrojnë njeriun që të mos shkel në ato gjëra substanciale sepse atëherë ai ka shkel vetveten. Bota nuk do ec përpara kur më të mirët prej të rinjve janë dhënë pas argëtimeve të shfrenuara, jeta e tyre rrotullohet vetëm pas qejfeve pas materies dhe stomakut dhe nuk zgjedhin përpjekjen. Nuk kanë ambicie për lavdi. Bota nuk mund të arrijë lumturinë pa përpjekje, pa ambicie pa krenari për të lavdishmen.


Për fund


Sigurisht që sot jemi dëshmitarë të përparimit shkencor, teknik dhe ekonomik por a nuk po përjetojmë aktualisht një rënie të vazhdueshme intelektuale, morale dhe emocionale. Neil Postman një sociolog dhe kritik i kulturës bashkëkohore, i cili ndër të tjera thotë: “Kur një popull i tërë vëmendjen e ka tek banaliteti, ky popull shndërrohet në një tragjikomedi kombëtare, atëherë mund të themi se një komb i tërë është në rrezik; vdekja kulturore e tij bëhet e mundshme”.  

Kurse një mendimtar tjetër thotë:

“Shikoni njerëzit që shoqëria i vlerëson, ju e dini trendin civilizues mbizotërues në atë shoqëri dhe fatin e saj” Dr. A. Uerdi


Tre nivelet e qenies njerëzore sipas babait të sociologjisë Ibn Halduni:

  • Niveli instiktiv
  • Niveli Racional
  • Niveli Intelektual

Mungesa e të menduarit intelektual dhe të argëtimit racional ia lë vendin operimit sipas instinktit e kjo është një tregues i fazës së avancuar të dekadencës. Në shoqërinë e sotme në sy nuk bie mençuria, maturia, ndershmëria apo normaliteti, por idiotësia, paturpësia, anormaliteti. Gjëja më e zgjuar në jetë është përpjekja për të qenë një person me moral, parësore është ruajtja e tipareve identitare, mostjetërsimi dhe qëndrueshmëria mbi parimet me të cilat jemi edukuar në bankat e shkollës.


Zonja e famshme angleze Edih Durhami, në gjysmën e parë të shekullit të njëzetë do të thoshte:


 “Degradimi i racës njerëzore rrezikohet më tepër nga ‘toleranca’, se sa nga vetëpërmbajtja që duhet të karakterizojë njeriun e kulturuar. Zot na ruaj nga paralelizmi i përparimit teknologjik me degradimin moral të njeriut, gjë që do sjellë edhe ndëshkimin e fundit”.



Nga Muhamet Selmani

Msc. Shkenca sociale, Kala e Dodës, Dibër.


©Portali Shkollor Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,612 Lexime
9 muaj më parë