folja

NDIEJ VS NDJEJ

Kur një “j” në vend të “i” e ndryshon krejtësisht kuptimin! Pse gabojmë kaq shumë me këto dy folje?

Kur një “j” në vend të “i” e ndryshon krejtësisht kuptimin! 

Pse gabojmë kaq shumë me këto dy folje? 


Para disa kohësh nisa të lexoja një roman, i cili kishte fituar edhe një çmim të rëndësishëm në vendin tonë. Përveç kënaqësisë estetike dhe artistike që prisja të merrja nga ai roman si fitues i atij çmimi, prisja të merrja edhe kënaqësinë gjuhësore, pra, përdorimin e një gjuhe të drejtë dhe pa gabime drejtshkrimore e gramatikore. Por... sapo e hapa në faqen e parë, në paragrafin e parë personazhi kryesor “ndjente”, në vend që të “ndiente”... Nga konteksti i fjalisë, personazhi ndiente një emocion të papërshkruar, kurse ashtu siç ishte shkruar, ai “falte” një emocion të papërshkruar... 


Vazhdova leximin më tej, me shpresën se ishte një gabim teknik, siç na ndodh të gjithëve të bëjmë, ngaqë na përpin leximi, kuptimi, përmbajtja, gjuha artistike... 


Por pak rreshta më poshtë ai sërish “ndjente” dhe kështu vazhdonte në të gjithë romanin, duke “falur” gëzimin, lumturinë, trishtimin dhe të gjitha ndjesitë që përjetonte. Nuk dua të ndalem këtu dhe te gabimet e tjera drejtshkrimore dhe gramatikore që hasa, ku më dendur ishte përdorimi i trajtës së shkurtër “i” në vend të asaj “u”; trajtës së shkurtër të bashkuar “ta” që dilte me apostrof; mospërshtatja në numrin shumës të mbiemrave që cilësonin emra të dygjinishëm etj., etj.


Fatkeqësisht, nuk ishte hera e parë që foljen “ndjej” e gjej të përdorur në vend të asaj “ndiej”! Ngatërrimin e këtyre dy foljeje, që janë shumë të ngjashme nga ndërtimi fonetik, e hasim dendur jo vetëm në letërsi artistike, por edhe në shumë tekste studimore, artikuj të ndryshëm, medie, komunikim të përditshëm etj. Por, duke përdorur foljen “ndjej” në vend të asaj “ndiej”, ne i ndryshojmë krejtësisht kuptimin fjalisë, pjesës, tekstit, asaj që duam të shprehim.


Ajo që i dallon këto dy folje është tingulli “i” te njëra dhe “j” te tjetra dhe në bazë të këtij dallimi fonetik kemi edhe dallimin kuptimor të tyre. 


Kur duam të përshkruajmë ndjesitë tona, ne “ndiejmë”, kurse kur duam të falim me dashamirësi një faj a gabim, ne “ndjejmë”.


Pra, shohim që kemi dy folje, që kanë trajtë e tingëllim thuajse të njëjtë, por kuptime të ndryshme. Prandaj duhet të kemi shumë kujdes kur i përdorim në tekste të ndryshme, sepse mund të tjetërsojmë kuptimin e tyre. 

Ja kuptimi i këtyre dy foljeve, i shkëputur nga Fjalori i Gjuhës Shqipe:  

1. NDIEJ - kal. – I. Kap me anë të shqisave ngacmimet dhe dukuritë e botës së jashtme; ndijoj. Ndiej zërin (shijen, erën). Ndien të ftohtët...


II. Provoj një ndjenjë a një gjendje shpirtërore. Ndiej kënaqësi (mërzi, bezdi). Ndien gëzim (hidhërim, pezmatim). Ndien një dëshirë. Ndiente frikë. Ndien neveri (krupë). Nuk ndien asgjë për të nuk e do, nuk e dashuron.


2. NDJEJ - kal. - I fal me dashamirësi një faj a një gabim dikujt. I ndjej fajin. Më ndjeni! Më falni! E ndjeu Zoti. 

Edhe në Drejtshkrimin e Gjuhës Shqipe, f. 27-28, e kemi të sqaruar mjaft qartë drejtshkrimin e këtyre dy foljeve:


- Shkruhen me -ie-: foljet te të cilat ky grup zanoresh ndiqet nga mbaresa -j: ziej, përziej, ndiej: ndien, ndiejmë, ndieni, ndiejnë; ndieja, ndieje, ndiente, ndienim, ndienit, ndienin; ndiem, ndiet, ndien; ndiekam, ndieke; (kam) ndier.

- Shkruhen me -je-: trajtat e njëjësit të së kryerës së thjeshtë të dëftores dhe trajtat e dëshirores së këtyre foljeve: zjeva, zjeve, zjeu; zjefsha; përzjeva, përzjeve, përzjeu; përzjefsha; ndjeva, ndjeve, ndjeu; ndjefsha, ndjefsh, ndjeftë, ndjefshim, si dhe të gjitha fjalët e formuara nga folja “ndiej”: i ndjeshëm, ndjesi, ndjenjë, parandjenjë etj.

- Shkruhet me -je- folja “ndjej” në të gjitha trajtat dhe format e saj (i fal fajin dikujt), si edhe formimet prej saj: (ndjesë, i ndjeri).


Pra, për të mos i ngatërruar me njëra-tjetrën, mbani mend se folja “ndjej” ka një përdorim shumë të vogël, krahasuar me foljen “ndiej”.

Për t’i dalluar sa më lehtë këto dy folje në mënyra e kohë të ndryshme, këtu po japim zgjedhimin e foljes “ndiej”, që ka edhe një përdorim më të dendur.


Përgatiti: Sevi Lami Agolli

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,827 Lexime
3 muaj më parë