Ndryshime në kurrikulat shkollore, Gjuha Shqipe dhe Qytetaria ndër lëndët më të prekura
Kurrikulat shkollore do të përafrohen me standardet europiane deri në vitin 2029. Drejtori i ASCAP, Gert Janaqi, bën të ditur se nga shtatori 2026 hyjnë në përdorim tekste të përditësuara për klasat 1, 6 dhe 10, me fokus Gjuhën Shqipe, Qytetarinë, teknologjinë dhe mësimin praktik.
Kurrikulat shkollore në arsimin parauniversitar pritet t’i nënshtrohen një procesi të gjerë përditësimi dhe modernizimi, me synimin për t’u përafruar me standardet europiane deri në vitin 2029. Lajmi u bë i ditur nga drejtori i Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë për Arsimin Parauniversitar (ASCAP), Gert Janaqi.
Sipas tij, në shtator të vitit 2026 pritet të hyjnë në përdorim tekstet e përditësuara për klasat 1, 6 dhe 10, duke përfshirë rreth 140 tekste të të gjitha lëndëve.
“Përsa i përket teksteve, ne do të kalojmë në dy procese. Me përditësimin e klasës së parë, të gjashtë dhe të dhjetë, që në shtator të 2026 ne të kemi të përditësuar rreth 140 tekste të të gjitha lëndëve dhe, nga ana tjetër, do të kemi tekste të reja për Qytetarinë dhe Gjuhën Shqipe në klasën e parë, të gjashtë dhe të dhjetë”, u shpreh Janaqi.
Ai theksoi se në këtë proces është punuar me ekspertizë të specializuar, me fokus të veçantë forcimin e identitetit kombëtar dhe rolin e gjuhës shqipe.
“Ne kemi punuar me ekspertizën më të mirë për të përforcuar pjesët e identitetit kombëtar. Gjuha shqipe është një aset”, tha ai.
Sipas drejtorit të ASCAP, risi do të ketë edhe në mënyrën e zhvillimit të procesit mësimor, duke i kushtuar rëndësi punës në grup, punës individuale dhe përdorimit të teknologjisë, veçanërisht në lëndën e gjuhës shqipe.
“Vijojmë me përditësime edhe me mënyrën sesi i qaset punës në grup dhe punës individuale. Përdorimi i teknologjisë në gjuhën shqipe është një risi. Do të ketë elementë të përafrimit me kohën, por edhe të ruajtjes së identitetit kombëtar, si dhe transmetimit të gjuhës shqipe jo vetëm në Shqipëri, por edhe në diasporë”, u shpreh Janaqi.
Synimi kryesor i këtyre ndryshimeve, sipas tij, është që nxënësit të zhvillojnë më shumë kompetenca dhe aftësi praktike, duke përdorur në mënyrë funksionale gjuhën dhe teknologjinë.
“Në thelb, i gjithë ndryshimi strukturor i përditësimit dhe modernizimit të kurrikulës bazohet jo vetëm te informacioni i ri, por edhe te mënyra si mësimi do të zhvillohet në klasë. Do të ketë më shumë situata të nxëni që vijnë nga jeta reale, investime në laboratorë inteligjentë, orë praktike individuale dhe punë në grup”, shtoi ai.
Janaqi theksoi gjithashtu se kurrikulat do të jenë të zbatueshme sipas rajoneve, duke i dhënë shkollave më shumë hapësirë për të përfshirë tema që lidhen me kontekstin lokal.
“Çdo shkollë do të ketë mundësinë të implementojë tema që lidhen me realitetin dhe kontekstin lokal”, deklaroi ai.
Nga ana tjetër, ekspertët e arsimit vënë theksin te nevoja që këto reforma të përshtaten me realitetin konkret të shkollave shqiptare. Ekspertja e arsimit Irsa Ruci theksoi rëndësinë e një zbatimi fleksibël të ndryshimeve.
“Është e rëndësishme që këto ndryshime të mos zbatohen në mënyrë shabllone, por të testohen dhe të përshtaten me realitetin e fëmijëve dhe të rinjve shqiptarë. Gjuha shqipe është përfshirë si duhet, jo vetëm si komunikim, por si disiplinë me strukturë të qartë”, u shpreh ajo.
Paralelisht me reformën e kurrikulave, pritet të ndryshojë edhe mënyra e përgatitjes së mësuesve. Sipas autoriteteve, në shtatë universitete do të përfshihet trajnim i posaçëm për përgatitjen e mësimdhënësve, në funksion të zbatimit të kurrikulës së re.
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Etika nën presion/ Gazetarja Marieta Mërkuri: Si e deformon mesatarja arsimin dhe çfarë duhet ndryshuar?
Drejtoresha Anila Çota rrëfen rrugëtimin e shkollës “Qamil Guranjaku” si fituese e vendit të dytë në Konkursin e Gjuhës Shqipe
Si të bëhesh oficer sigurie në shkolla? Eksperti i arsimit, Fiqiri Çifliku: Ja procedurat, kriteret dhe ndryshimet në VKM nr. 600