Ndryshojnë normat mësimore dhe struktura e shkollave, veçanërisht për shkollat në zonat rurale
Normat mësimore, numri i nxënësve në klasë dhe organizimi i shkollave pësojnë ndryshime të rëndësishme me udhëzimin e ri të MA. Eksperti Fiqiri Çifliku analizon risitë, me fokus të veçantë te shkollat rurale, drejtuesit dhe ngarkesa e mësuesve.
Nga Fiqiri Çifliku, ekspert arsimi
Ministria e Arsimit miraton Udhëzimin Nr. 16, datë 27 gusht 2026, me ndryshime dhe shtesa në Udhëzimin Nr. 14, datë 10 korrik 2023, që rregullon numrin e nxënësve për klasë dhe ngarkesën mësimore të punonjësve arsimorë në institucionet e arsimit parauniversitar.
Dokumenti i ri, sjell ndryshime të rëndësishme në organizimin e shkollave, përcaktimin e normave mësimore dhe funksionimin e roleve drejtuese e koordinuese.
Ulet pragu për emërimin e drejtorëve
Një nga ndryshimet kryesore lidhet me uljen e numrit minimal të nxënësve që përcakton emërimin e drejtorit të një institucioni arsimor. Nëse më parë shkolla duhej të kishte mbi 80 nxënës, tashmë ky prag ulet në mbi 60 nxënës.
Sipas udhëzimit të ri:
•Në shkollat me 61 deri në 200 nxënës, drejtori do të zhvillojë 6 orë mësimore në javë.
•Në shkollat me 201 deri në 600 nxënës, drejtori do të zhvillojë 4 orë mësimore në javë.
Ky ndryshim synon forcimin e administrimit dhe menaxhimit të institucioneve arsimore, veçanërisht në shkollat me numër më të vogël nxënësish në zonat rurale që rrezikonin mbylljen/përqendrimin.
Riorganizim i formimit të klasave kolektive
Udhëzimi rishikon edhe fashat e formimit të klasave të bashkuara, duke përcaktuar kritere të reja organizimi:
•Fasha me 21–30 nxënës do të organizohet në tri klasa.
•Për herë të parë përcaktohet veçmas fasha me 31–50 nxënës, e cila do të organizohet në katër klasa.
Ndryshimet synojnë shpërndarje më të balancuar të nxënësve dhe përmirësim të procesit mësimor.
Ndryshime në normat e lëndëve
Akti normativ sjell rregullime edhe për disa profile dhe lëndë të veçanta.
Për lëndën e Edukimit Fizik dhe Sporteve, norma javore e mësuesit përcaktohet në 21 orë mësimore.
Ndërkohë, mësuesit e artit pamor dhe edukimit muzikor përfshihen në kategori të veçanta për llogaritjen e normës mësimore.
Një risi tjetër e mirëpritur është mundësia që drejtuesit me profil të arsimit fillor ta plotësojnë normën javore edhe me orë të parashikuara në Kreun V të udhëzimit.
Rregulla të reja për arsimin artistik dhe sportiv
Në degën e baletit përcaktohen më qartë lëndët profesionale si:
•Repertor,
•Teknikë Djem,
•Balet Modern,
•Valle Popullore,
•Duet Klasik. Etj
Po ashtu, në profilizimin Futboll, orët e Formimit Praktik Profesional do të zhvillohen në grupe të ndara për lojtarët dhe portierët, ku grupi i portierëve duhet të përbëhet nga jo më pak se gjashtë nxënës të të njëjtit nivel.
Lehtësohen koordinatorët dhe programi “Pas Shkolle”
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm lidhet me uljen e ngarkesës mësimore për funksionet koordinuese në shkolla.
Sipas udhëzimit:
•Kryetari i Ekipit Lëndor përfiton ulje prej 2 orësh nga norma javore.
•Koordinatori i Sigurimit të Cilësisë do të ketë normë prej 6–10 orësh në javë.
•Koordinatori i Këshillimit të Karrierës do të ketë normë prej 8–12 orësh në javë.
Përfitime parashikohen edhe për drejtuesit që administrojnë programin “Pas Shkolle”.
Drejtori ose nëndrejtori përgjegjës për organizimin e programit do të përfitojë:
•ulje prej 2 orësh nëse shkolla ka deri në katër grupe ose klube;
•ulje prej 4 orësh nëse funksionojnë më shumë se katër grupe ose klube.
Hyrja në fuqi
Udhëzimi Nr. 16 hyn në fuqi menjëherë pas botimit në Fletoren Zyrtare, duke sjellë ndryshime të reja në organizimin e sistemit parauniversitar dhe në ngarkesën e personelit arsimor në të gjithë vendin.
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Etika nën presion/ Gazetarja Marieta Mërkuri: Si e deformon mesatarja arsimin dhe çfarë duhet ndryshuar?
Drejtoresha Anila Çota rrëfen rrugëtimin e shkollës “Qamil Guranjaku” si fituese e vendit të dytë në Konkursin e Gjuhës Shqipe
Si të bëhesh oficer sigurie në shkolla? Eksperti i arsimit, Fiqiri Çifliku: Ja procedurat, kriteret dhe ndryshimet në VKM nr. 600