
Në Fokus: Udhëzimi i MAS dhe MEKI për vitin shkollor 2025-2026, midis ligjit dhe praktikës
Shkrimi i Fiqiri Çiflikut ofron një reflektim mbi udhëzimin për vitin shkollor 2025–2026, duke theksuar se ndonëse përcakton çfarë duhet bërë, mungon në sqarime për mënyrën e zbatimit. Autori sugjeron nevojën për udhëzime më praktike, shembuj konkretë dhe hapësirë për reflektim profesional.
Nga Fiqiri Çifliku, ekspert arsimi
“Udhëzimi që di çfarë, por jo si”
Një dokument që të thotë çfarë të bësh, por harron të tregojë si të jesh inspektor, specialist, drejtues apo mësues.
Fjala "udhëzim" në gjuhën shqipe ka disa kuptime, varësisht nga konteksti ku përdoret. Ja disa prej tyre:
- Instruksion apo orientim, një tregues për mënyrën si duhet vepruar. P.sh., “udhëzimet për përdorimin e pajisjes”.
- Këshillë ose porosi si një formë e të dhënit drejtim, shpesh nga një autoritet. P.sh., “mësuesi dha udhëzime për detyrën”.
- Rregull apo normë në kontekst institucional. Mund të nënkuptojë një dokument zyrtar që përcakton mënyrën e veprimit.
Por, sa i përmbush udhëzimi i përbashkët i MAS dhe MEKI për vitin shkollor 2025–2026 këto përcaktime? Prej vitesh, vjen si një dokument i ngarkuar me referenca ligjore, nënligjore, urdhra, marrëveshje dhe memorandume që krijojnë më shumë një hartë burokratike sesa një manual praktik për institucionet, drejtuesit e shkollave dhe mësuesin në terren.
Kështu erdhi edhe këtë vit dhe me pompozitet i konsideruar "risi".
Çfarë përmban ky udhëzim ku është e reja?
- Regjistrimin e nxënësve dhe shpërndarjen e teksteve shkollore sipas grafikut dhe kategorive.
- Ndalimin e përdorimit të celularëve në shkolla, por pa përshkrim të qartë të situatave apo metodave për zbatim.
- Organizimin e shërbimit psiko-social dhe rolin e oficerit të sigurisë, sërish me referencë ndaj urdhrave të mëparshëm.
Por çfarë mungon?
- Asnjë shembull konkret për situata konkrete: si të veprojë specialisti, drejtori, mësuesi p.sh. kur nxënësi është i shpërqendruar, kur ka konflikt, etj.
- Asnjë udhëzim konkret për mënyrën e zbatimit të akteve të cituara, për përdorimin në situata konkrete, reflektime, apo metodave aktive në terren.
- Asnjë ftesë për reflektim profesional pasi në asnjë rresht nuk shoh asnjë hapësirë për të kuptuar pse bëjmë atë që bëjmë, çfarë funksionon, çfarë jo.
Mund të pyesni po përse ndodh kjo?
Sepse udhëzimi nuk është ndërtuar si mjet drejtues, por si garanci ligjore për institucionet. Ai është më shumë një mburojë për administratën sesa një busull për punën e përditshme. Në vend që të udhëzojë, ai shërben si arkiv për ta pasur ai referencë se cili udhëzim më duhet, cilës marrëveshje ti referohem.
A mund të ishte ndryshe?
Imagjino një udhëzim që për çdo nen të shoqërohej me:
- Një situatë reale nga terreni, nga shkolla, klasa, zyra vendore.
- Një pyetje reflektuese për specialistin, inspektorin, drejtorin, mësuesin, apo nxënësin e prindin.
- Një shembull praktik, si të organizohet një veprimtari jashtëshkollore, një projekt bashkëpunimi, një organizim me pushtetin vendor, apo si të trajtohet një konflikt.
- Një hapësirë për zgjedhje profesionale, jo vetëm për zbatim mekanik.
Po e vijoj reflektimin për disa çështje që janë vendosur në udhëzim sa për të qenë në rregull. Po ndalem tek neni 5 i udhëzimit të përbashkët i cili flet për arsimin parashkollor. Çfarë kërkohet dhe pse ZVAP dhe DRAP nuk kanë realisht mundësi ta realizojnë.
1. Përmirësimi i mjediseve të jashtme dhe të brendshme të kopshteve.
Mjediset janë pronë e bashkisë vetëm kërkesat mund të paraqesin shkollat dhe ZVAP në mënyrë të përmbledhur. ZVAP-i nuk ka buxhet, kompetencë apo staf teknik për ndërhyrje infrastrukturore.
2. Rritja e pjesëmarrjes së fëmijëve 3–6 vjeç në kopshte
Vendimi për hapjen e grupeve, ndërtimin e kopshteve apo transportin është në dorë të pushtetit vendor. ZVAP-i nuk ka mjete për të ndikuar.
3. Bashkëpunim i ngushtë me prindërit dhe komunitetin për model sjelljeje.
ZVAP nuk ka strukturë të dedikuar për këtë. Mësuesit e kopshteve janë të mbingarkuar dhe nuk ka trajnime për ndërtimin e “modeleve motivuese”.
4. Regjistrim me përparësi i fëmijëve nga grupe të margjinalizuara.
Regjistrimi bëhet nga drejtuesi i institucionit të arsimit parashkollor dhe bashkia. ZVAP-i nuk ka mekanizma për të garantuar përparësi.
5. Komisione multidisiplinare për vlerësimin e fëmijëve me aftësi të kufizuara
Nuk ka staf të specializuar, nuk ka buxhet për komisione, dhe shpesh mungon bashkëpunimi me shërbimet sociale. Sot ka një komision që bën vlerësimin edhe për fëmijët e kopshteve por nuk dihet si shkon kjo punë më tej.
6. Plane edukative individuale për fëmijët me aftësi të kufizuara
Mësuesit ndihmës mungojnë në APSH, nuk ka trajnime të vazhduara, dhe bashkëpunimi me prindërit është i vështirë. Në shumë raste refuzojnë të evidentojnë fëmijën për aftësinë që ka.
7. Shërbime shëndetësore dhe psiko sociale në kopshte
Këto janë kompetencë e bashkisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë. ZVAP-i nuk ka asnjë autoritet për t’i ngritur apo menaxhuar.
8. Portofoli për prindërit në përfundim të arsimit parashkollor
Nuk ka format të unifikuar, nuk ka sistem digjital, dhe mësuesit nuk janë trajnuar për hartimin e portofolit.
9. Takime me prindërit për përgatitjen e fëmijëve për klasën e parë
Nuk ka strukturë për organizim, nuk ka orar të dedikuar.
10. Përfshirja e prindërve në edukimin e fëmijëve
Nuk ka mekanizma të qëndrueshëm, nuk ka këshilla prindërorë funksionalë. Kjo sigurohet në kopshte me drejtorë ndërkohë që kopshtet pranë shkollave nuk mund të ngrenë këshill apo bord.
Ky nen duket si një listë dëshirash për Vitin e Ri, ku ZVAP-i është ftuar të sjellë dhurata pa qenë Babagjyshi. Nëse do ta kthenim këtë në një poster do të ishte: “Ne kemi ligjin tonë. Ju keni udhëzimin tuaj. Rrugë të mbarë!”
U zgjata shumë, po e mbyll me një citim të Jean-Paul Sartre. Tingëllon si një thirrje për çdo kënd që nuk pranon të jetë vetëm zbatues, por krijues i kuptimit. Mua më ngjan si një kujtesë se edhe kur udhëzimet burokratike na kufizojnë, zgjedhja për të menduar, për të pyetur, për të krijuar, është gjithmonë e jona.
“Njeriu është ajo që bën me atë që i është bërë.”
Suksese të gjithëve këtë vit shkollor!
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Elmira Rama: Përparësitë e vlerësimit të vazhduar në kurrikulën me kompetenca
Etika nën presion/ Gazetarja Marieta Mërkuri: Si e deformon mesatarja arsimin dhe çfarë duhet ndryshuar?
Struktura e vitit shkollor 2025–2026, datat e mësimit, pushimeve dhe provimeve përcaktohen zyrtarisht