Në emër të shkollës jo si ndërtesë, por si frymë...

Nga administrata te dinjiteti i mësuesit: rruga për një arsim më të fortë

Fiqiri Çifliku sjell një thirrje për ta parë shkollën jo si ndërtesë, por si frymë. Ai rendit pesë kolona bazë për reformim: administratë efikase, dinjitet për mësuesin, kurrikul bashkëkohore, edukim profesional e qytetar.

Nga Fiqiri Çifliku, ekspert arsimi 


Në një vend ku fjalët shpesh mbeten në letër, dhe letrat në sirtarë, ne kërkojmë që dija të rindizet jo si slogan, por si sistem. Jo si dekor, por si drejtim. Jo si nostalgji, por si domosdoshmëri.


Shkolla nuk duhet të shihet thjesht si degë e një ministrie, si insticucion varësie, por si rrënjë e një shoqërie. Ajo duhet të ketë hapësirën, fytyrën, zërin, të menaxhojë vetë nevojat, të zgjedhë ritmin e duhur të saj në përputhje me atë që kërkon shoqëria e sotme. Pesë kolonat bazë që duhet të marrin vëmendje për t‘u rikthyer në qendrën normale të graviteti janë:


1. Çështjet administrative dhe institucionale.


• Ristrukturimi i stukturave menaxhuese, trajnuese, vlerësuese dhe inspektuese duke siguruar më shumë autonomi dhe më pak burokraci. Drejtoritë apo zyrat duhet të jenë qendra zhvillimi, jo thjesht hartues raportesh.


• Transparencë në portalin “Mësues për Shqipërinë” duke rishikuar algoritmet e përzgjedhjes, publikim i kritereve, pikëve dhe sistemit të njoftimit për vendet e punës në kohë reale dhe në transparencë të plotë.


• Financim i decentralizuar duke siguruar që shkollat të kenë buxhete të pavarura për nevoja lokale, jo vetëm fonde të centralizuara dhe udhëzime të qarta e të zbatueshme.


• Auditim i infrastrukturës shkollore me raport vjetor për gjendjen fizike, teknologjike dhe higjienike të çdo shkolle.


2. Kualifikimi dhe sistemi i vlerësimit të figurës së mësuesit


• Trajnime me përmbajtje reale, jo thjesht certifikata, por formim që ndikon në përmirësimin e praktikës pedagogjike duke u përditësuar me zhvillimiet globale.


• Rishikimi i diferencave në vlerësimin e niveleve të diplomave të mësuesve, por edhe të diferencave të mëdha në pagën e pozicioni në nivele të ndryshme duke filluar nga parashkollori. Mësuesi nuk mund të jetë i varfër në një shoqëri që pretendon të jetë e ditur.


• Sisteme mbështetjeje nga kolegë me përvojë,duke fuqizuar mentorimin për mësuesit e rinj, si dhe sigurimin e mësuesve me arsim përkatës për zonat rurale.


• Rikualifikim për mësuesit në zona rurale duke u fokusuar në teknologji, metodologji bashkëkohore dhe edukim qytetar.


3. Pedagogjia, kurrikula dhe testimet kombëtare e ndërkombëtare.


• Më pak teori, më shumë praktikë, më shumë mendim kritik dhe kreativitet do të mundësoheshin nga rishikim i kurrikulës aktuale.


• Matura duhet të shihet si proces formues, jo penalizues. Eshtë energjente të kthehet në një system vlerësimi gjithëpërfshirës, jo stresues.


• Zhvillimi i kompetencave digjitale nuk duhet të shihet vetëm si mundësi për përdorimin e teknologjisë, por edhe si etikë digjitale, siguri dhe kreativitet. 


• Fushata kundër analfabetizmit funksional që nëse e përmend duket si tabu e frikshme për vërtetë që duhet të fokusohemi tek leximi si akt kuptimi.


4. Edukimi profesional dhe alternativ


• Promovim i arsimit profesional nëpërmjet fushatave publike, bashkëpunim me bizneset, praktikë reale në kompani.


• Krijimi i hapësirave për modele të reja pedagogjike, për nxënësit me nevoja të veçanta. 


• Mbështetje për talentet edhe në zonat e thella me bursat, mentorim apo edhe me krijimin e qendrave të ekselencës rurale, si mundësi për të ndaluar largimin nga këto zona.


5. Edukimi qytetar dhe shoqëror


• Mësim për demokracinë, të drejtat dhe përgjegjësitë, jo vetëm në teori, por përmes simulimeve, projekteve dhe debatit.


• Krijimi i klubeve të qytetarisë në shkolla, ku nxënësit të jenë aktorë të ndryshimit, jo thjesht konsumatorë të dijes.


• Integrim i edukimit qytetar, jo si lëndë e veçuar, por si filozofi që përshkon çdo mësim, duhet të shihet si prioritet dhe lidhet ngushtë me vlerësimin e kurrikulës.


Mësuesi nuk duhet të shihet thjesht si transmetues, por krijues i njohurive. Ai ka nevojë për trajnim të vazhdueshëm, jo si detyrim, por si ushqim shpirtëror. Ndaj kërkohet që nevojat e tij të evidentohen jo me formularë, por me dëgjim të vërtetë. Të rritet pjesëmarrja e tyre në vendimmarrje arsimore dhe garantimin e sigurisë në të gjitha dimensionet, fizike, ligjore, emocionale dhe institucionale. Nevojitet mbrojtje nga dhuna dhe fyerjet, mbështetje psikologjike, si dhe fushata për forcimin e figurës së mësuesit në publik. Prindërit të përfshihen në kode sjelljeje që mbështesin marrëdhënien mësues–nxënës–familje, duke rikthyer dinjitetin dhe respektin ndaj profesionit.


Është thelbësore të garantohet një status i qartë ligjor dhe profesional, për mësuesin ndihmës, si dhe të përcaktohet mënyra e organizimit të punës në klasë. Po aq e rëndësishme është mbështetja emocionale dhe profesionale për përballimin e vështirësive që lidhen me natyrën e ndërlikuar të këtij roli duke siguruar formim të vazhdueshëm me teknika pedagogjike dhe psikologjike.


Mirëqenia e nxënësve, brenda dhe jashtë mjedisit shkollor, duhet të jetë prioritet i padiskutueshëm. Kërkohet mbështetje e vazhdueshme për ata me vështirësi në të nxënë, sigurimi i mjeteve mësimore nga shkolla dhe jo nga mësuesi, si dhe programe të strukturuara për shëndetin fizik, mendor apo edukimin emocional, të mbështetura nga psikologë dhe punonjës socialë aktive. Këto janë thelbësore për zhvillimin e tyre të plotë ndërsa prindërit duhet të mbajnë përgjegjësi në rast të thyerjes së disiplinës, duke forcuar bashkëpunimin për një mjedis të sigurt dhe të shëndetshëm për fëmijët.


Infrastruktura dhe organizimi i shkollave duhet të reflektojë nevojat reale të nxënësve dhe mësuesve, duke garantuar kushte dinjitoze për mësim dhe zhvillim. Kërkohet digjitalizim i plotë me akses në internet, SmartLab dhe pajisje teknologjike funksionale, si dhe shkolla të pajisura me ngrohje, ambiente sportive dhe biblioteka moderne. Bashkimi i shkollave duhet të realizohet aty ku transporti i nxënësve është i mundshëm, ndërsa grupimi sipas cikleve (AF dhe AMU) ndihmon në disiplinë dhe organizim më të mirë. Duhet të investohet në shkolla më të gjelbra, laboratorë shkencorë dhe teknologjikë në çdo shkollë. Programi SMIP duhet të përdoret si instrument mbështetës për mësuesin, jo si mbingarkesë administrative.


Kjo është një thirrje për të kthyer shkollën në vend të mendimit, jo thjesht të notës. Një ftesë për të parë mësuesin si udhërrëfyes, jo si administrator. Një lutje për të mos e lënë dijen të vdesë në heshtje, por për ta ringritur në vendin që meriton.


© Portali Shkollor Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,314 Lexime
1 muaj më parë