Vëzhgim

Ngarkesa emocionale e mësuesve në Shqipëri

Artikulli më poshtë tregon një pasqyrim të gjendjes emocionale të mësuesve, të cilët për hir të së vërtetës janë të ngarkuar me stres prej problematike të shumta që hasin në punë. Shumica e fshehin stresin, ndërsa të paktët që flasin nuk ndihmohen nga psikologët në shkolla.

Jetesa me depresionin, ankthin dhe stresin ditor në mjediset arsimore mund të identifikohet dhe trajnohet nga ekspertë. Prioriteti maksimal i çdo shteti duhet të jetë mirëqenia e njerëzve, me në krye mësuesit. Si të kuptojmë se ndeshemi nga këto simptoma negative?

Lajmet e dy viteve të fundit janë të tejmbushura me listime e problematika në bordet drejtuese të arsimit. Mungesat e shumta të nxënësve për shkak të infektimeve, distancimet dhe mbajtja e maskave irrituruese, orët zëvendësuese, operimi online, mungesa e stafit mësimor, ankesat e prindërve, zero shpërblime për orët shtesë, këto e shumë peripeci ndikojnë në luhatjet e humorit. Si po e menaxhojnë këtë mësuesit dhe edukatorët? A janë ata të vetëdijshëm për luhatjet emocionale?


“Pa dyshim stresi dhe tensioni janë çdo ditë udhëtarë në punën time me fëmijët, nga mos-organizimi i orëve të plota dhe numrat e mbipopulluara të klasave. Vetë mbajtja e maskës në orët mësimore është një stres më vete”, - u shpreh një mësuese në njërën nga shkollat nëntëvjeçare në Tiranë. “Psikologët janë në shkollë, por vetëm për nxënësit. Ne mësuesit jemi të fundit në seancat dëgjimore.”


Psikologjia na thotë se emocionet janë komplekse dhe shkaktohen nga ndjenjat. Përthithja e emocioneve vjen nga empatia. Nxënësit frymojnë emocione të ndryshme në çdo klasë, si mërzitje, frikë, paqartësi, luhatje humori, duke infektuar rrymë pesimizmi te njëri-tjetri. Mësuesit jo pak herë refuzojnë t’ia pranojnë vetes se mund të vuajnë nga PTSD-ja (Çrregullimi Post-traumatik i Stresit), ose kanë një ndjenjë turpi ta pranojnë haptazi në radhët e bordit shkollor se shenjat e stresit/depresionit janë prezente tek ata. Fuqia e të pranuarit është shenja progresive drejt marrjes së ndihmës. 


Pse ndodh fenomeni i fshehjes së stresit?


Shoqëria shqiptare shquhet për stigamtizimet e errëta, kur bëhet fjalë për stresin dhe depresionin. Mësuesit e piketuar me këto simptoma nuk mirëkuptohen, madje fare pak marrin këshilla dhe terapi. Frika e transparencës vjen si shkak i ruajtjes së punës. Ky argument vjen në masë nga shumë edukatorë të pyetur. Psikologët janë të pranishëm në çdo shkollë, dhe ky fakt mirëpritet disi ngrohtë. E sërish, numri i lartë i fëmijëve bën që mësuesit të jenë të fundit në listën e seancave psikologjike. Mësuesit janë shndërruar në gjysmëpsikologë në klasat e tyre, duke mbajtur një balancë te shqetësimi i çdo nxënësi. 


 Kur njëra nga mësueset e shkollave të kryeqytetit u pyet mbi orët e saj të pushimit, përgjigjja e saj ishte: “Punoj nga mëngjesi deri në darkë, thuajse çdo ditë, duke zëvendësuar kolegët e mi të sëmurë. Në orarin e drekës kam një orë kohë të lirë për të plotësuar ditarin mësimor…”. Koha e lirë shikohet nga mësuesit si portë e lirë për të shkruar agjendat mësimore, e jo për të dalë nga ambientet e punës për pak shkëputje dhe qetësim. Fatkeqësisht, dalim në përfundimin se mësuesit dhe edukatorët kanë nisur të harrojnë ç’do të thotë të kenë një jetë private. Kuadratimi i jetës vetëm brenda punës, shkakton probleme sa kohë “e keqja” normalizohet.


Ndihma për mësuesit e shkollave kërkohet në çdo nivel, duke nisur nga shtimi me më shumë mësues dhe psikologë profesionistë, si dhe më shumë klasa për shkak të numrit më të lartë sesa duhet të nxënësve në to. 

Në këtë vazhdë lehtësuese duhen propozuar metoda terapeutike. Përdorimi i “Rrotës së emocioneve të Plutchik” u vjen në ndihmesë si nxënësve dhe mësuesve në njohjen e emocioneve, duke planifikuar ndryshime dhe rregullime. Nëse i kategorizojmë emocionet, atëherë bëhet më e dallueshme aftësia e përgjigjes në situata të ndryshme. Për këtë qëllim, mësuesit mund të organizojnë një “Planifikues emocionesh” bazuar në tre hapa të thjeshtë. 


Si fillim, përshkruani në letër ngjarjen që shkakton emocionet më të forta në punë. Rrota e Plutchik-ut lehtëson identifikimin e tetë emocioneve kryesore, si: gëzimi, besimi, frika, befasia, trishtimi, neveria, pritjet dhe neveria. 


Së dyti, vijoni duke i etiketuar emocionet në shkallë hierarkike nga më kryesoret tek ato dytësore. Në këtë mënyrë mund të evidentoni emocionet që shkaktojnë stres në punë.

 

Në fund, përcaktoni një strategji në normalizimin e emocioneve tuaja. Mësuesit mund të bazohen në ushtrime orientuese nga psikologët dhe terapistët për gjetjen e qetësisë. Mësuesit mund të zgjedhin mantra të tjera personale nisur nga preferencat vetjake në rritjen e pozitivitetit dhe përftimin e qetësisë. Identifikimi i problemeve të emocioneve është gjysma e zgjedhjes së problemit tuaj. 


Nga Xhoana Jaku 


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

5,965 Lexime
2 vjet më parë