Aktualitet

Nis regjistrimi i nxënësve në klasën e parë përmes portalit e-Albania, procesi përfundon më 30 qershor

MAS ka bërë me dije që tashmë ka nisur regjistrimi i nxënësve në klasën e parë për vitin shkollor 2023-2024, përmes portalit e–Albania. Procesi do të mbyllet më 30 qershor. Artikulli më poshtë ju njeh me hapat e procedurës që do të kryeni për të regjistruar fëmijët tuaj në klasën e parë.

Në zbatim të Urdhrit nr 31, datë 28.01.2020 “Për miratimin e Rregullores për Funksionimin e Institucioneve Arsimore Parauniversitare në Republikën e Shqipërisë” kreu 3, Neni  7 “Regjistrimi në Institucionet e Arsimit Bazë”, MAS ka bërë me dije që tashmë ka filluar regjistrimi i nxënësve në klasën e parë për vitin shkollor 2023-2024 përmes portalit e –Albania dhe se ky proces do të mbyllet më datë 30 qershor. 


Hapat e procedurës:


  1. Identifikohuni si qytetar në portalin e-Albania; 
  2. Zgjidhni shërbimin "Aplikim për regjistrim në klasë të parë"; 
  3. Klikoni butonin "Përdor"; 
  4. Plotësoni formularin e aplikimit dhe klikoni "Dërgo"; 
  5. Aplikimi mbërrin në shkollën përkatëse ku nxënësi dëshiron të regjistrohet dhe shkolla fillon procedurën për trajtimin e kërkesës; 
  6. Në qoftë se çdo gjë është në rregull shkolla regjistron nxënësin;

.



Regjistrimit në klasë të parë bëhet vetëm me anë të portalit e - Albania e jo fizikisht. 



Dokumentacioni i nevojshëm

Shërbimi elektronik "Regjistrimi në klasë të parë" u vjen në ndihmë nxënësve të cilët duhet të regjistrohen në klasën e parë në shkollat e arsimit bazë parauniversitar për vitin shkollor 2023 - 2024. Personi që ushtron përgjegjësinë prindërore mund të bëjë një aplikim online, ku plotëson të dhënat e nevojshme të formularit. Nxënësit i lejohet të regjistrohet në institucionin arsimor publik që mbulon vendbanimin e personit që ushtron përgjegjësinë prindërore të nxënësit. Harta e mbulimit të territorit, e miratuar nga NjVV-ja, respektohet gjatë regjistrimit të nxënësve në klasën e parë. Aplikimi për regjistrim në klasën e parë mund të bëhet duke filluar nga data 17 qershor 2023. Për çdo pyetje apo paqartësi rreth procesit, mund të kontaktoni në adresën [email protected].


Dokumente që ngarkohen nga aplikanti:

  • Dokumenti i kujdestarisë ligjore (vetëm në rastet kur aplikimi për regjistrim kryhet nga personi që ka kujdestarinë ligjore);


Koha e nevojshme e marrjes së shërbimit është 5 ditë pa asnjë kosto, pra pa pagesë. pra shkolla njofton elektronikisht aplikuesin në rast pranimi ose mospranimi të regjistrimit brenda 5 ditësh nga momenti i dërgimit të aplikimit.

  • Në rast mospranimi, personi që ushtron përgjegjësinë prindërore, vazhdon aplikimin brenda afatit në institucionin arsimor ku i takon regjistrimi i fëmijës;
  • Në rast pranimi të aplikimit personi që ushtron përgjegjësinë prindërore dorëzon në sekretarinë e shkollës fizikisht Kartelën e Vaksinimit të fëmijës jo më vonë se 10 ditë para fillimit të vitit shkollor; Vetëm në momentin e dorëzimit të Kartelës së Vaksinimit regjistrimi i fëmijës quhet i përfunduar


Për çdo pyetje apo paqartësi mbi përdorimin e shërbimit mund të kontaktoni në adresën [email protected] ose nëse hasni vështirësi për kryerjen e këtij procesi paraqituni pranë drejtorisë së shkollës që i përket vendbanimit tuaj.



Nanila Allkja Biçaku 

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

3,866 Lexime
10 muaj më parë