Nis shpërndarja e teksteve shkollore, Kumbaro: Për herë të parë, i gjithë cikli fillor me libra të rinj dhe falas
Ka nisur shpërndarja e teksteve shkollore për vitin e ri. Për herë të parë, nxënësit nga klasa e parë në të pestën do të pajisen me libra të rinj dhe falas. Kumbaro foli edhe për ndalimin e celularëve, Kodin e Etikës dhe programin “Pas Shkolle” në 408 shkolla.
Ka nisur shpërndarja e teksteve shkollore për vitin e ri shkollor, ndërsa këtë vit vjen një ndryshim i rëndësishëm për nxënësit e arsimit fillor dhe familjet e tyre. Për herë të parë, të gjithë nxënësit nga klasa e parë deri në klasën e pestë do të pajisen me tekste shkollore të reja dhe falas.
Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, gjatë një vizite në shkollën “Andrea Stefani”, ku u njoh nga afër me përgatitjet për nisjen e vitit të ri shkollor.
“Për herë të parë, i gjithë cikli i arsimit fillor, nga klasa e parë deri në klasën e pestë, do të ketë tekste shkollore falas dhe të reja”, u shpreh Kumbaro, duke e cilësuar këtë një mbështetje të drejtpërdrejtë për familjet.
Sipas ministres, pajisja e fëmijëve me librat e rinj synon që çdo nxënës ta nisë vitin shkollor me mjetet e nevojshme për të mësuar, duke sjellë njëkohësisht më shumë lehtësi për prindërit në përballimin e shpenzimeve të fillimvitit.
Përgatitjet për vitin e ri shkollor
Gjatë vizitës në shkollën “Andrea Stefani”, ministrja Kumbaro zhvilloi edhe një takim me stafin pedagogjik, ku në fokus ishin përgatitjet për vitin e ri shkollor dhe disa prej prioriteteve që do të shoqërojnë punën në shkolla.
Një prej tyre është ndalimi i përdorimit të celularëve në shkolla, një masë që synon të krijojë më shumë përqendrim gjatë procesit mësimor dhe një mjedis më të përshtatshëm për nxënësit.
Në takim u diskutua gjithashtu për zbatimin e Kodit të Etikës për mësuesit, me synimin për forcimin e standardeve profesionale dhe të marrëdhënieve brenda komunitetit shkollor.
Një tjetër program që do të vijojë edhe gjatë këtij viti është “Pas Shkolle”, i cili tashmë shtrihet në 408 shkolla në të gjithë vendin. Programi synon t'u ofrojë nxënësve mundësi për aktivitete dhe angazhime edukative edhe pas përfundimit të orarit mësimor.
Me nisjen e shpërndarjes së teksteve shkollore dhe masat e reja të paralajmëruara, përgatitjet për vitin e ri shkollor tashmë kanë hyrë në fazën përfundimtare, ndërsa nxënësit pritet t'u rikthehen bankave me libra të rinj dhe një sërë ndryshimesh në jetën shkollore.
© Portali Shkollor - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Etika nën presion/ Gazetarja Marieta Mërkuri: Si e deformon mesatarja arsimin dhe çfarë duhet ndryshuar?
Drejtoresha Anila Çota rrëfen rrugëtimin e shkollës “Qamil Guranjaku” si fituese e vendit të dytë në Konkursin e Gjuhës Shqipe
Si të bëhesh oficer sigurie në shkolla? Eksperti i arsimit, Fiqiri Çifliku: Ja procedurat, kriteret dhe ndryshimet në VKM nr. 600